+355 (04) 2400241 info@anrd.al

Historiku

Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural – Anrd

Historiku

Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural – Anrd

Historiku

Mirësevini në faqen e Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural!

Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD) – një nismë e shoqërisë civile për të promovuar dhe jetësuar zhvillimin rural të udhëhequr nga komuniteti nëpërmjet advokacisë dhe nismave në hartimin dhe zbatimin e politikave të zhvillimit të qëndrueshëm rural me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës të komuniteteve rurale në Shqipëri – u formalizua në fund të vitit 2015 duke kurorëzuar një seri përpjekjesh ndër vite.

Nisur me qëllimin për të fuqizuar shoqërinë civile dhe promovuar bashkëpunimin në nivel kombëtar për zhvillimin rural, promovuar dialogun, besimin dhe bashkëpunimin ndërmjet aktorëve vendorë, qeverisë dhe aktorëve të tjerë të përfshirë në zhvillimin vendor, fuqizuar dhe përfaqësuar komunitetet rurale për t’u përfshirë në mënyrë aktive në proceset vendimmarrëse për zhvillimin e qëndrueshëm rural:

Më 05 qershor 2015, 14 organizata të shoqërisë civile me profil të konsoliduar në fushën e zhvillimit rural në vend, mbajtën takimin e tyre në kuadër të nismës për themelimin e Rrjetit Rural Shqiptar. Bazuar në praktikat dhe modelet pozitive Europiane në fushën e zhvillimit rural, detyrimin dhe përgjegjësinë e aktorëve jo-publik në ndërmarrjen dhe zbatimin e nismave konkrete që i shërbejnë zhvillimit rural në vend, ata dakordësuan mbi ngritjen dhe funksionimin e kësaj strukture.

Më 26 Shtator 2015, dy nga organizatat nismëtare për ngritjen e Rrjetit Rural, AgroPUKA dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), organizuan në Pukë konferencën kombëtare “Rrjetëzimi për Zhvillim Rural në Shqipëri”. Dukë mbledhur sëbashku përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, si dhe institucioneve publike, konferenca u shndërrua në një platformë për të diskutuar dhe dakordësuar themelimin e Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural.

Më 11 dhjetor 2015, me vendim nr. 5216, Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural u regjistrua pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë si organizatë jo-qeveritare. Rrjeti është organizatë me anëtarësi.

Që nga dhjetor 2015, 21 anëtarë i janë bashkuar Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural, duke u bërë pjesë e përpjekjeve të ANRD për të advokuar dhe lobuar për politika efektive rurale që janë më pranë banorëve të komuniteteve rurale, hartuar me pjesëmarrjen e komuniteteve vendore, kuptuar dhe zbatuar me njerëzit në territor.

Në linjë me politikën e Bashkimit Evropian për zhvillimin lokal të udhëhequr nga komuniteti, Rrjeti zbaton perspektivën me pjesëmarrje dhe nga poshtë-lart për avancimin e agjendës kombëtare rurale.

Aktualisht, Rrjeti është anëtar i Rrjetit Ballkanik për Zhvillimin Rural dhe Rrjetit PREPARE (Partnership for Rural Europe).

Bëhu pjesë e ANRD!

 

Regjistrohu