+355 (04) 2400241 [email protected]

Në datën 5 prill 2019, u mblodh  Asambleja e Përgjithshme e Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural. Takimi vjetor i Asamblesë së këtij viti shënon takimin e pestë që nga krijimi i ANRD në fund të vitit 2015.

14 përfaqësues të organizatave anëtare të ANRD me të drejtë vote morrën pjesë në takim. Agjenda e Asamblesë u fokusua kryesisht në prezantimin e progres raportit të veprimtarisë së ANRD për vitin 2018 si dhe raporti financiar. Pjesë e rëndësishme e takimit ishte edhe prezantimi i planit të punës për vitin  2019 dhe diskutimi mbi çështje të lidhura me anëtarësinë aktuale dhe kërkesat për anëtarësime të reja.

Takimi gjeneroi diskutime të ndryshme të cilat në fokus kanë dinamikën e forumeve rajonale që ANRD ka formësuar gjatë 2018. Konsolidimi i katër forumeve rajonale (i Drinit, Arbërërit, Egnatias dhe Vjosës) kërkon punë të vazhdueshme dhe mbi të gjitha rol aktiv të të gjitha organizatave anëtare të ANRD sipas rajoneve ku janë të angazhuara. Forcimi i tyre për të qenë struktura të parlamenteve rurale rajonale është një sfidë përpara që kërkon koordinim dhe sinergji si ndërmjet organizatave brenda ANRD ashtu edhe me aktorë të tjerë.

Plani i punës për vitin 2019 përmbledh një seri përpjekjesh të cilat konvergojnë dhe kontibuojnë në platformën e Parlamentit të dytë Rural Shqiptar, i cili do të organizoihet në pranverën e vitit 2020. Përpjekjet për vitin 2019 do të bëhen për konsolidimin e forumeve rajonale, gjenerimin e evidencave për politikërbërje  efektive në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural si dhe aktivitetete pararendëse të parlamenteve rurale rajonale sipas katër rajoneve.

Në fund të takimit, Asambleja miratoi edhe kërkesat për anëtarësi të disa prej organizatave që kanë shprehur interesin për t’u anëtarësuar në ANRD.