+355 (04) 2400241 [email protected]

Mesazhet kryesore “Eventi lançues PRSH”

Eventi lançues i Parlamentit të parë Rural Shqiptar u organizua më 14 prill 2017, në ambjentet e Universitetit Bujqësor të Tiranës. Ky event solli bashkë akademikë, organizata të shoqërisë civile dhe anëtarë të Rrjetit, përfaqësues të Agjensive të Zhvillimit Rajonal, aktorë të tjerë të interesit të zhvillimit rural dhe studentë të fakulteteve të ndryshme të Universitetit. Takimin e çeli rektori i UBT, Prof. Dr. Bahri Musabelliu, i cili inkurajoi të gjithë pjesëmarrësit për të diskutuar mbi mënyrat se si mund të kapitalizojmë pespektivat dhe përvojat tona për të mbështetur dhe nxitur zhvillimin rural të vendit.

Mesazhet kryesore të Eventit Promovues:

  • Zhvillimi rural efektiv kërkon partneritet ndërmjet sektorit publik – shoqërisë civile – komunitetit akademik. Hapësira dhe sisteme me të mira të konsultimit për të mundësuar pjesëmarrjen e aktorëve jopublike në formimin e politikave të zhvillimit rural dhe nxitjen e politikave të bazuara në evidencë. Nevoja për hapësira të tilla konsultimi, shkëmbimi dhe ndarje informacioni dhe përvojash u konfirmua edhe nga pjesëmarrësit që ndanë shembuj të studimeve të ndryshme empirike të pakonsideruara nga vendimmarrja;
  • Zhvillimi rural duhet të orientohet ndaj zhvillimit me bazë territorin, e cila është e integruar, përfshin partneritete ndërsektoriale dhe shumë aktorësh, gjithashtu. Interesi ndaj zbatimit të qasjes LEADER duhet të rritet paralel me ofrimin e mbështetjes për krijimin e partneriteteve ndërmjet sektorëve për prezantimin e Leader/CLLD;
  • Banorët e zonave rurale, familjet dhe organizimet e ndryshme, shoqatat e fermerëve, grupe të rinjsh, shoqatat e grave, klustera, konsorciume dhe bërthama si dhe grupe të ndryshme janë të parët mbi të cilët bie përgjegjësia e zhvillimit të komuniteteve të tyre ku ata jetojnë. Për këtë, ata duhet të marrin përsipër rolin e aktorit të ndryshimit në komunitetin e tyre. Promovimi i rolit të liderit duhet të jetë në thelb të nismave rurale;
  • Qeverisja dhe politikëbërësit duhet të përftojnë një kuptim më të mirë dhe të ndërmarrin veprime dhe reforma konkrete në zhvillimin rural; donatorët, gjithashtu, munden të ndihmojnë në lidhje me këtë;
  • Bashkitë duhet të forcojnë kapacitetet e tyre për zhvillimin e integruar dhe me bazë territorin të zonave rurale; zhvillimi social-ekonomik i zonave rurale duhet të mbështetet në promovimin e potencialeve endogjene të territoreve;
  • Fuqizimi i shoqërisë civile dhe i gjithë sektorit jopublik përbën prioritet për të mundësuar zhvillimin me qasje nga poshtë-lart;
  • UBT shprehu gadishmërinë për të bashkërenduar në çdo fazë me ANRD në këtë proces.

Partnerët në këtë sipërmarrje ndanë një vizion të përbashkët përsa i përket rolit të akademisë, shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë të interesit në adresimin e çështjeve kritike dhe sfidave me të cilat përballet zhvillimi rural. Parlamenti Rural Shqiptar ofron një mundësi edhe në lidhje me ndarjen e përvojave dhe transferimin e njohurive në rajon dhe Europë.