+355 (04) 2400241 [email protected]

THIRRJE e Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural

DIALOGU KOMBËTAR MBI QEVERISJEN E BUJQËSISË DHE ZHVILLIMIT RURAL – DOMOSDOSHMËRI JETIKE

Shoqëria civile, biznesi dhe përfaqësuesit e institucioneve vendore ftojnë Komisionin Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe institucione të tjera publike të NDËRTOJNË DIALOG të vazhdueshëm për të diskutuar sfidat dhe barrierat që pengojnë politikat dhe instrumentet mbështetës të sektorit për të qenë efektive dhe për të gjetur zgjidhje të mundshme sa më shpejt të jetë e mundur.

TRYEZA KOMBËTARE e mbajtur më 12 shkurt në Tiranë mblodhi rreth 80 pjesëmarrës nga i gjithë vendi, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe autoriteteve lokale, shoqërisë civile, shoqatave të fermerëve dhe sipërmarrjeve rurale, akademikë, ekspertë, përfaqësues të donatorëve, etj.

DISKUTIMET u fokusuan mbi problematikën e konsultuar në të gjithë vendin mbi efikasitetin e mbështetjes publike për zhvillimin bujqësor dhe rural e paraqitur në dokumentin LETRA E POZICIONIMIT mbi Qeverisjen e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.*

Pjesëmarrësit mbështetën plotësisht gjetjet dhe rekomandimet të përfshira në këtë dokument politikash dhe sugjeruan:

Politikat kombëtare të zhvillimit bujqësor dhe rural duhet të caktojnë mbështetje buxhetore të mjaftueshme dhe të qëndrueshme ndër vite. Struktura dhe masat mbështetëse duhet të orientojnë fermerët dhe sipërmarrësit drejt një vizioni afatgjatë zhvillimi. Fondet e IPARD II nuk duhet të shihen si zëvendësim i buxhetit kombëtar për sektorin. Mbështetja buxhetore e mjaftueshme është kritike.

Politikat e sektorit duhet të orientohen drejt zhvillimit gjithëpërfshirës për të kontribuar në kohezionin territorial të vendit. Adresimi i kufizimeve strukturore të bujqësisë – fermat e vogla dhe fragmentarizimi i tokës bujqësore është prioritet në këtë drejtim. Zonat malore duhet të risillen në fokus të instrumenteve mbështetës. Konsultimi me grupet e interesit mbetet i rëndësishëm për njohjen e specifikave territoriale dhe arritjen e klimës së besimit ndërmjet fermerëve dhe institucioneve.

Përfaqësuesit e qeverisjes vendore vlerësuan se bashkitë janë thuajse jashtë çdo roli substancial për zhvillimet në këto fusha. Politikat kombëtare dhe zhvillimi bujqësor dhe rural kërkojnë forcimin e parimit të subsidiaritetit.

Largimi i të rinjve nga zonat rurale dhe sidomos ato malore dhe të largëta mbart pasoja negative të pakthyeshme për vendin. Mbështetja e tyre me programe specifike është nevojë urgjente.

Mosmiratimi i Kuadri Ligjor për Organizimin dhe Funksionimin e Grupeve Lokale të Veprimit pengon zbatimin e instrumentit të politikës së BE-së për zhvillimin rural – qasjes LEADER/zhvillimit vendor të udhëhequr nga komuniteti.

Anëtarësia e Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural shpreh gadishmëri të plotë për të bashkëpunuar me institucionet për avancimin e kësaj agjende.

 

*Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural, Janar 2019. https://anrd.al/wp-content/uploads/2018/12/ANRD-PolicyPaper2019-AL.pdf