+355 (04) 2400241 [email protected]

Fjalimi i Z. Sotiraq Hroni – Kryetar Bordi i ANRD në panairin Terra Madre Balkans “Putting Farmers First”

E Nderuar Znj. N/Kryetare e Bashkisë Tiranë, Ambasador Alberto Cutillo, Z. Yngve Engstrom, President Carlo Petrini, të nderuar të pranishëm.

Më lejoni të them që në krye të herës se nuk jam një ekspert i fushës së prodhimit, as i shkencës së gastronomisë. Por ndihem mirë! Njëherazi falënderoj organizatorët për ftesën këtu si përfaqësues i Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural, një network i rreth 20 aktorëve të ndryshëm të shoqërisë civile nga i gjithë vendi. Rreth gjysma e anëtarëve të Rrjetit janë drejtpërsëdrejti të lidhur me promovimin në këtë panair të produkteve vendore nga zona të ndryshme të vendit.

Pata mundësinë të vizitoja disa stenda dhe jam i befasuar nga potencialet që ekzistojnë për një zhvillim të Slow Food, efektiv në kosto dhe me ndryshim të menjëhershëm.

Aktivitetin e çmoj si një dritare mjaft të rëndësishme që Terra Madre Balkans me filozofinë dhe atë çfarë ajo përfaqëson ofron për realitetin shqiptar dhe jo vetëm. Çdokush ka për të mësuar nga përvojat më të mira të vendeve të rajonit dhe të zgjerojë bashkëpunimet në nivel kombëtar dhe rajonal. Jam shumë dakord me çfarë tha Presidenti i Slow Food Carlo Petrini, se përfaqësuesit e Slow Food nga vendet janë ambasadorë të afrimit midis popujve.

Por e shoh këtë aktivitet ndërkombëtar si një mbështetje për domosdoshmërinë e politikave më realiste dhe efektive në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe rural, promovimit të produkteve vendore, agro-turizmit, punësimit dhe sipërmarrjes individuale, familjare apo në grupime të tjera lokale.

Duke vlerësuar programin si mjaft largpamës, dëshiroj ta shoh atë si rrezatues për sfidat përmes së cilave duhet të përballen aktorët publik dhe jo publik për të dinamizuar sipërmarrjen në të gjithë territoret e vendit.

Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural funksionon për të promovuar, jetësuar dhe advokuar për një zhvillim vendor të drejtuar nga komuniteti (CLLD) përmes instrumenteve të tillë si LAG (Local Action Group).

Kjo qasje nuk duhet të mbetet si deri më sot, një çështje e shkruar bukur në Strategjinë Ndër Sektoriale për Zhvillimin Rural. Mbështetja e tre ministrive për këtë aktivitet duhet të shtrihet në nivel vendor, tek institucionet dhe deri tek çdo komunitet vendor, tek familjet dhe sipërmarrësit në çdo zonë të vendit.

LAG-u si model funksional nuk është gjë tjetër veçse një partneritet midis qeverisjes vendore, biznesit, fermave, prodhuesve apo asosacioneve të tyre dhe shoqërisë civile. Parë nga këndvështrimi i proceseve integruese në BE dhe financimit të pritshëm për këtë instrument, letrat nga Brukseli thonë se duhet të bëhet i mundshëm në 2018. Por për këtë, aktorët e ndryshimit në nivel vendor ashtu sikundër edhe në nivel kombëtar kanë shumë, por shumë për të bërë.

Më vjen mirë që kryetari Veliaj po merr pjesë në mënyrë aktive në këtë aktivitet. Në fakt në dijeninë time, ai i ka kushtuar një vëmendje të veçantë diversifikimit të zhvillimit ekonomik dhe promovimit të produkteve në territoret rurale të Tiranës duke marrë pjesë aktive dhe të drejtpërdrejtë.

Ndërkohë sfidat përpara janë shumë të mëdha për qeverisjen vendore dhe qendrore në të gjithë vendin.

Dhe sfida më e madhe është mbështetja për gjallërimin e iniciativës nga poshtë për të lidhur zhvillimin ekonomik, punësimin me potencialet natyrore, tradicionale, mjedisin, trashëgiminë kulturore, por edhe me kapitalin social të nevojshëm.

Terra Madre Balkans përmes asaj që dëshmon panairi dhe tematikës mjaft të zgjuar të përzgjedhur për të diskutuar gjatë paneleve të ndryshme, besoj do të arrijë të orientojë dhe influencojë politikat e nevojshme për të nxitur dhe mbështetur familjet dhe prodhuesit e vegjël të ushqimit. Uroj që institucionet qendrore të përfshira të jenë pjesë aktive e këtyre diskutimeve, për të përfituar sa më shumë.

Ecurinë përtej këtij eventi e shoh në mbështetje në rritje për bizneset familjare, krijimin e kooperativave dhe të rrjetëzimeve të nevojshme në nivel rajonal dhe kombëtar të prodhuesve të ndryshëm. Modele të ndryshme të këtyre praktikave janë gjerësisht të përfshira në programin e aktivitetit.

E veçanta tjetër e këtij aktiviteti është se e gjithë kjo praktikë, gjithë këto modele zhvillimi të mbështetura në Slow Food, po bëhen pjesë e diskutimeve që përfshijnë edhe kërkimin shkencor dhe akademinë. Pra, kështu aktiviteti lidh prodhuesit e vegjël me kërkimin shkencor dhe akademinë.

Mësimi i parë nga këto eksperienca është që zhvillimi i qëndrueshëm mund të jetë vetëm një rezultante e bashkëveprimit të shumë faktorëve dhe aktorëve. Sfida është kultura menaxheriale për t’i bërë ata bashkë që të punojnë si një ekip dhe për të folur me një zë.

Si Rrjet Kombëtar për Zhvillimin Rural përmes organizatave anëtare dhe jo vetëm, detyrat tona mbeten:

  • Informimi dhe edukimi për potencialet përmes modeleve të sprovuara dhe kësaj qasjeje.
  • Advokacia për një mjedis sa më mundësues për sinergjinë e aktorëve publik dhe jo publik në nivel vendor për këtë model zhvillimi ekonomik. Kjo duhet medoemos të përfshijë qeverisjen vendore, dhe të gjithë aktorët e tjerë të zhvillimit.
  • Fuqizimi dhe lidhja e shoqërisë civile me prioritetet vendore të zhvillimit përmes zhvillimit vendor të drejtuar nga komuniteti (CLLD).

Duke mbyllur dëshiroj të falënderoj organizatorët për këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare që zhvillohet në Tiranë, dhe VIS Albania për mundësinë që i ofroi ANRD.