ANRD u vlerësua me çmimin Bandiera Verde seksioni AgriMED, duke dëshmuar punën e saj e bërë ndër vite në sektorin e fuqizimit të shoqërisë civile dhe zhvillimit rural në Shqipëri. Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural – ANRD bashkon 31 organizata shqiptare dhe ndërkombëtare, të cilat janë pjesë e rrjetit për të bashkuar forcat me qëllim zhvillimin e politikave rurale efektive, gjithëpërfshirëse dhe të orientuara drejt nevojave të komuniteteve vendore.
Ky çmim, i cili jepet për sipërmarrësit për kapacitetet prodhuese dhe mbrojtjen e territorit dhe mjedisit, i dorëzohet ANRD-së në kuadër të bashkëpunimit dhe partneritetit në Projektin Rural You në seksioni Bandiera Verde Agricoltura – AgriMED i CIA – Agricoltori Italiani.
Presidenti I CIA- Cristiano Fini dorëzoi çmimin te Kordinatorja Kombëtare e Rrjetit Evelina Azizaj, me prezencën e delegacionit të Rural Youth Hub që vazhdonin të ishin në programin e vizitës studimore në Itali. Në fjalën e saj të shkurtër ajo tha:
“Nisma jonë është modeste, por ka në fokus të rinjtë e zonave rurale dhe një nga problemet më të mëdha në ditët e sotme, i cili është trendi gjithnjë në rritje i largimit të tyre nga zonat rurale duke vënë në rrezik jo vetëm qëndrueshmërinë e sektorit bujqësor dhe rural, por edhe jetës komunitare në fshat. Ky vlerësim është inkurajim dhe përgjegjësi e madhe për të forcuar përpjekjet tona në konsolidimin e Qendrës së Rinisë Rurale dhe nxitjen e bashkëpunimit për të hapur pespektiva të qëndrueshme për të rinjtë në nivel vendor.
Ky moment i rëndësishëm na bën të reflektojmë rreth bashkëpunëtorëve dhe partnerëve tanë me të cilët kemi nxitur agjenda të përbashkëta në lidhje me rininë e zonave rurale përmes shkëmbimit dhe rrjetëzimit. “
Në përfundim të këtij eventi delegacioni i Rural Youth Hub dhe Koordinatoria Kombëtare e ANRD morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Mirëkuptimit midis Agia, ANRD dhe RYH.
Marrëveshja u firmos nga Enrico Calentini President Agia Giovani Imprenditori Agricoli dhe Evelina Azizaj, Koordinatore Kombëtare Rrjeti Shqiptar për Zhvillim Rural – ANRD me synim forcimin e marrëdhënieve në sektorin e zhvillimit bujqësor dhe rural, veçanërisht në lidhje me rolin dhe kontributin e të rinjve në sektor.
Moment i rëndësishëm në këtë event ishte takimi dhe biseda frymëzuese me Presidenten e CEJA Young Farmers, Zj Diana Lenzi, një mundësi e jashtëzakonshme për të shkëmbyer mendime rreth sfidave të sektorit dhe përfshirjes së të rinjve në zhvillimin e qëndrueshëm bujqësor dhe rural.