+355 (04) 2400241 [email protected]

Reflektim mbi rrugëtimin deri në parlamentin e tretë rural të vendit…

Kanë kaluar tashmë gati tetë vite që nga themelimi i Rrjetit Kombëtar për Zhvillimin Rural, me synim promovimin e qasjes LEADER në vendin tonë duke u fokusuar në mbështetjen dhe ngritjen e kapaciteteve të aktorëve publik dhe privat në zonat rurale, në ndërtimin e partneriteteve në funksion të ngritjes së Grupeve Vendore të Veprimit (GVV), si edhe në rritjen e besimit të shoqërisë rurale për të ecur në rrjedhën e politikave dhe praktikave evropiane të zhvillimit të qëndrueshëm.

Njëherazi, ANRD ka mbështetur advokimin kombëtar për politika mbështetëse dhe inkurajuese për zhvillimin e qasjes LEADER, por edhe politika dhe skema finaciare mbështetëse për fermerët dhe aktorët e tjerë të angazhuar, për të sjellë besim dhe nxitur aktivizimin e tyre në këtë rrugë. Mbështetja e kapitalit social ka qenë dhe mbetet prioritet për ANRD-në. Parlamenti rural shqiptar është një përpjekje edhe më e fokusuar në drejtim të fuqizimit të grupeve të rëndësishme shoqërore, dhe pikërisht ngrihet mbi dy shtylla të rëndësishme për jetën rurale dhe qasjen LEADER, atë të Qendrës së Rinisë Rurale dhe mbështetjen e nismës së Pro-Grave Rurale.

Parlamenti i tretë rural në vend vjen në një kohë, që falë edhe advokacisë nga poshtë, kur Kuvendi i Shqipërisë miratoi Ligjin për Grupet Vendore të Veprimit duke krijuar një mundësi reale për të zhvilluar partneritete për fuqizimin e bashkëpunimeve vendore për zhvillimin e qëndrueshëm rural. Por, përgatitja e aktorëve vendorë, njësive të vet-qeverisjes vendore, biznesit dhe shoqërisë civile ende është larg një investimi të qëndrueshëm për të rritur besimin e aktorëve për t‘u bërë bashkë për ndryshim.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural duhet të bëjë më tepër për të hapur proceset ndaj aktorëve të shoqërisë dhe të rrisë këtë bashkëpunim. Mbështetja e fermerëve apo sipërmarrjeve turistike rurale duhet të shoqërohet me ndërgjegjësimin e komuniteteve vendore duke i vlerësuar, le të themi “bujtinat” si instrument cilësor për fuqizimin e Grupeve Vendore të Veprimit të zonës. Kjo kontribuon në zhvillimin e qëndrueshëm, duke qenë se është investim në kapitalin njerëzor.

 

ANRD vjen në këtë ngjarje kombëtare më e konsoliduar, me një trend rritës të anëtarësisë dhe një aktivitet që kalon kufinjtë e vendit. Rrjeti është i shtrirë në të gjithë vendin, dhe ka raporte bashkëpunimi me të gjithë njësitë e vet-qeverisjes vendore. Synim në vazhdimësi mbetet konsolidimi i Rrjetit Kombëtar për Zhvillimin Rural si qendër burimore për zhvillimin e qëndrueshëm rural të vendit dhe zbatimin e qasjes LEADER.

Me kënaqësi evidentojmë se ANRD ka rritur praninë e saj në shumë organizata dhe aktivitete evropiane. Njëkohësisht është vlerësuar me çmime të ndryshme, një ndër të cilët është Flamuri i Gjelbër (Green Flag) CIA Agricoltori Italiani, duke dëshmuar punën e vet të bërë ndër vite në sektorin e fuqizimit të shoqërisë civile dhe zhvillimit rural në Shqipëri. Rrjeti tashmë është tërësisht i pavarur sa i takon anës administrative dhe udhëheq projekte rajonale të financuara nga BE dhe jo vetëm. Rrjeti Kombëtar për Zhvillimin Rural është duke zgjeruar dhe bashkëpunon edhe me institucionet publike në vend. Krahas bashkëpunimit shumë të mirë me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, është rritur komunikimi edhe me Komisionin Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, një ngjarje shumë e rëndësishme për impaktin e punës së Rrjetit.

Univesiteti Bujqësor i Tiranës mbetet partneri ynë kryesor, jo thjesht për hapësirë fizike të mjediseve të tij që si gjithmonë ndahen me dashamirësi, por edhe për mbështetjen dhe këshillimin e vazhdueshëm në punën tonë. Në përfundim, më lejoni të falenderoj të gjithë donatorët që kanë mbështetur Rrjetin Kombëtar për Zhvillimin Rural në këto vite, bashkëpunëtorët tanë kudo në vend, dhe të gjithë pjesëmarrësit në këtë aktivitet të përbashkët dhe të rëndësishëm për të gjithë.

 

Sotiraq Hroni

Kryetar Bordi,

Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural

                                                                              PARLAMENTI III RURAL SHQIPTAR

                                                                                 JETA BURON NGA FSHATI

                                                                                      11 – 13 Tetor 2023

PARLAMENTI i 3-të RURAL SHQIPTAR – një platformë kombëtare kushtuar ngritjes së kapaciteteve, rrjetëzimit dhe advokacisë për zhvillim të qëndrueshëm rural – zhvillohet në ambientet e Universitetit Bujqësor të Tiranës, nga data 11 deri më 13 tetor 2023. Parlamenti i 3-të Rural i Shqipërisë përfaqëson një përpjekje bashkëpunimi midis Rrjetit Shqiptar për Zhvillim Rural (ANRD) dhe 34 OSHC-ve të veta anëtare, në partneritet me Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT).

Parlamenti kombëtar rural përfaqëson përpjekjen më të qëndrueshme të advokacisë nga poshtë-lart, duke krijuar hapësirë për dialog dhe bashkëpunim, shkëmbim të këndvështrimeve rreth çështjeve të rëndësishme dhe aktuale të zhvillimit rural dhe bujqësor, si dhe për të ofruar rekomandime për gjallërimin e jetës dhe ekonomisë rurale. Platforma e këtij edicioni të tretë do të ofrojë mënyra novatore dhe qasje të reja për të arritur një konsensus të gjerë mbi prioritetet e zhvillimit rural në nivel
kombëtar. Platforma synon të forcojë zërin e sektorit civil dhe privat në dobi të zhvillimit të qëndrueshëm rural.
Parlamenti i tretë vjen me një platformë të plotësuar, duke krijuar për herë të parë mundësi për të rinjtë nga zonat rurale, fermerët e rinj dhe sipërmarrësit të mblidhen në Asamblenë e tyre Rinore: “me të rinjtë, për të rinjtë, nga vetë të rinjtë e Qendrës së Rinisë Rurale të ANRD-së”. Gjithashtu, Edicioni i 5-të i Pro-Grave rurale 2023 do të organizohet në kuadër të Parlamentit Rural për të fuqizuar advokacinë për një sektor bujqësor dhe rural, për komunitetete dhe një shoqëri me mundësi të barabarta për të
gjithë.
Tema e Parlamentit të 3-të Rural Shqiptar – JETA BURON NGA FSHATI – përgatit terrenin për dialog dhe bashkëpunim konkret, për të analizuar realitetin dhe për t’u njohur më mirë me nevojat dhe problemet, për të reflektuar mbi vizionin dhe prioritetet si veprime kolektive me qëllimin final për të fuqizuar dhe përmirësuar cilësinë e jetës në komunitetet rurale në të gjithë vendin.
“Jeta buron nga fshati” shërben si një thirrje e fuqishme për veprim drejt nxitjes së zhvillimit të qëndrueshëm rural. Kjo temë thekson të vërtetën e madhe se zhvillimi dhe përparimi i Shqipërisë vjen nga zonat e saj rurale.
“Jeta buron nga fshati” thekson rëndësinë e mbështetjes së ekonomive rurale, investimit në infrastrukturë dhe arsim dhe krijimit të mundësive për të rinjtë brenda komuniteteve të tyre. Tema na nxit të rivlerësojmë rëndësinë e komuniteteve rurale dhe ekonomisë së tyre në kontekstin e sfidave aktuale, duke përfshirë ndryshimet klimatike, migirimin nga zonat rurale etj.

 

INFORMACIONE TË PËRGJITHSHME DHE LOGJISTIKE MBI PARLAMENTIN E TRETË RURAL SHQIPTAR

→ PARLAMENTI i 3-të RURAL SHQIPTAR – një platformë kombëtare kushtuar ngritjes së kapaciteteve, rrjetëzimit dhe advokacisë për zhvillim të qëndrueshëm rural – zhvillohet në ambientet e Universitetit Bujqësor të Tiranës, nga data 11 deri më 13 tetor 2023. Parlamenti i 3-të Rural i Shqipërisë përfaqëson një përpjekje bashkëpunimi midis Rrjetit Shqiptar për Zhvillim Rural (ANRD) dhe 34 OSHC-ve të veta anëtare, në partneritet me Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT).

→ .

→ Ju lutemi përdorni #parlamentirural2023 #shqiperiarurale kur postoni në rrjetet sociale.

→ Këtu mund të gjeni: FJALA HAPËSE|| 

BOOKLET ||

DEKLARATA ||

FOTO

Për më shumë informacion kontaktoni: [email protected]