Një zhvillim emocionues, Qendra e Rinisë Rurale – një grup dinamik i të rinjve nga zonat rurale dhe entuziastëve të zhvillimit rural në Shqipëri – ka zgjeruar horizontet e veta duke u bërë anëtar i RYE.
“Europian Rally” është një nga aktivitetet kryesore të Rural Youth Europe (RYE), e kthyer tashmë në një traditë të përvitshme duke filluar që më 1960, viti që shënoi startimin e këtij eventi. Këtë vit, Rally u organizua në Klagenfurt, Austri nga 30 korriku deri më 6 gusht.
Në kuadër të këtij eventi të rëndësishëm për të rinjtë e komuniteteve rurale evropiane, u zhvillua edhe Mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të Rural Youth Europe. Në Asamble morën pjesë 23 organizata anëtare të cilat vinin nga njëzet vende të ndryshme të Evropës. Pjesë e rëndësishme e agjendës ishte edhe shqyrtimi i kërkesave për t’u bërë anëtarë të RYE, një prej të cilave ishte edhe kërkesa e Qendrës së Rinisë Rurale-RYH. Për këtë arsye, dy përfaqësues të RYH morën pjesë në Asamble për të prezantuar RYH, njohur me anëtarët e RYE dhe shkëmbyer më shumë mbi planet dhe vizionet e dy organizatave.
Ilda Metani, Koodinatore e RYH dhe Gentjan Hajdari, anëtarë i bordit të RYH ishin pjesëmarrës dhe prezantuan Qendrën e Rinisë Rurale, historikun, aktivitetet kryesore, vizionin etj, dhe përforcuan kërkesën për anëtarësim në RYE . Kjo kërkesë përputhet me përkushtimin e RYH për të rritur dhe fuqizuar potencialin e rinisë rurale dhe për të njohur rolin e tyre të rëndësishëm në zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve rurale. Duke u bashkuar me një rrjet të njohur të rinisë evropiane, Qendra e Rinisë Rurale forcon pozitën e vet në diskutime dhe kontribute rreth zhvillimit rural në nivel kombëtarë dhe evropian. Ky anëtarësim do të jetë përfitues në shumë aspekte duke ofruar mundësi të reja për zërin e rinisë rurale, si dhe për shkëmbimin e ideve, përvojave dhe praktikave të mira me të rinjtë nga e gjithë Evropa.
Në zbatim të rregullave për anëtarësim, Asambleja vendosi unanimisht që Qendra e Rinisë Rurale të bëhet pjesë e Rrjetit Rural Youth Europe si anëtarë kandidate për dy vitet e ardhshme. Anëtarësimi përfaqëson një hap premtues për të fuqizuar zërin dhe aspiratat e të rinjve në zonat rurale, me shpresën për të rritur ndikimin e punës së tyre për të ardhme më të mirë dhe me mundësira në komunitetet rurale në Shqipëri.