Një projekt Europian…
E artikuluar si një ide para një viti, “Parlamenti Rural” u shndërrua në një projekt ku të gjithë filluan të besojnë e tashmë po nis të kthehet në një praktikë gjithëpërfshirëse për të nxitur dhe ndërmarrë nga poshtë lart reforma të domosdoshme që synojnë rigjallërimin dhe rilindjen e zonave rurale.
Nisma e Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD) për një “Parlament Rural” si instrument për të mbështetur idenë evropiane në zhvillimin rural është jo vetëm një projekt zhvillimi ekonomik dhe social në zonat rurale të vendit, por njëherazi dhe fuqishëm ai është edhe një projekt demokracie.
Mbështetja në partneritetin publik-privat, sensibilizimi dhe përfshirja e çdo qytetari në planet e zhvillimit të Grupeve Lokale të Veprimit (GLV), bashkëpunimi dhe rrjetëzimi mes aktorëve, përfshirja e grave dhe të rinjve dhe mbështetja në ndërveprimin mes qeverisjes vendore, sipërmarrjes ekonomike dhe shoqërisë civile e kthejnë këtë sipërmarrje në një projekt të pazëvendësueshëm zhvillimi të qëndrueshëm. Një gjë e tillë synon që në çdo zone të vendit të ngrihen dhe funksionojnë struktura partneriteti tri-palëshe të afta për të vënë në lëvizje komunitetet vendore në funksion të zhvillimit dhe, si të tilla, të jenë në gjendje të përthithin asistencën e Bashkimit Evropian në vitet në vazhdim.
Parlamenti Rural synon të sensibilizojë dhe mbështesë çdo përpjekje për të kapur ritmin e kohës në politikat dhe praktikat e zhvillimit rural përmes një qasjeje nga poshtë-lart. Përmes ANRD, Parlamenti Rural do të shtrihet në të gjithë vendin dhe së shpejti do të decentralizohet në katër forume rajonale, të cilat do të shërbejnë njëherazi edhe si parlamente rurale rajonale. Ky aktivitet dy ditor hedh bazën për
një sinergji rajonale të aktorëve publikë, biznesit rural, dhe shoqërisë civile.
Të gjitha këto dëshmojnë se ANRD mirëpret dhe po punon vazhdimisht me synimin drejt muajit shtatorit të vitit 2019 kohë kur do të mblidhet edhe Parlamenti i Dytë Rural, në të cilin do të bëhet një vlerësim i arritjeve të deritanishme dhe do të nxiten e forcohen më tej ato. Deklarata Përfundimtare e Parlamentit të Parë Rural që do të lexohet në sallën e Kuvendit të Shqipërisë më datën 30 shtator është sfida jonë për dy vitet e ardhshme.
Sotiraq Hroni
Kryetar i Bordit,
Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural