FTESË PËR PJESËMARRJE
Parlamenti IV Rural Shqiptar
Evropa në Shqipërinë Rurale: Komunitetet rurale në rrugën drejt BE-së përmes partneriteteve, reformave dhe zhvillimit koheziv territorial
Bashkitë pritëse: Bashkia e Lezhës dhe Bashkia e Mirditës
25-27 mars 2026
Të dashur miq, kolegë dhe partnerë,
Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural dhe bashkitë pritëse, Lezha dhe Mirdita, ju ftojnë të merrni pjesë në Parlamentin e IV Rural Shqiptar – një platformë kombëtare dialogu, bashkëpunimi dhe bashkëkrijimi për të ardhmen e Shqipërisë rurale. Edicioni i këtij viti do të zhvillohet më 25-27 mars 2026 dhe do të mbledhë përfaqësues nga 61 bashkitë e vendit, organizata të shoqërisë civile, sipërmarrje rurale, të rinj, fermerë, akademikë dhe institucione publike qendrore e vendore, për të diskutuar dhe ndërtuar së bashku vizionin e zhvillimit rural në kontekstin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Parlamenti nis më 25 mars me një event territorial të dedikuar aktorëve vendorë të qarkut Lezhë. Çelja zyrtare do të zhvillohet më 26 mars, ora 10:00, ndërsa programi përmbyllet më 27 mars, ora 13:00. Pjesëmarrësit nga qarqe të tjera të vendit janë të mirëpritur të bashkohen duke filluar nga data 26 mars.
Ky edicion fokusohet në tematikën “Shqipëria rurale në rrugën drejt BE-së përmes partneriteteve, reformave dhe zhvillimit koheziv territorial”. Përmes sesioneve plenare, punëtorive tematike “Rural Talks”, dialogut politik dhe Asamblesë së Dytë Kombëtare të të Rinjve nga Zonat Rurale, Parlamenti do të krijojë hapësirë për diskutim mbi sfidat, mundësitë dhe rolin e komuniteteve në proceset reformuese dhe zhvillimore.
Ftojmë përfaqësuesit e bashkive, organizatat, të rinjtë, sipërmarrjet rurale dhe të gjithë aktorët e interesuar të regjistrohen dhe të bëhen pjesë aktive e këtij procesi. Para se të regjistroheni, ju lutemi njihuni me programin dhe udhëzimet e pjesëmarrjes.
Regjistrohuni këtu: LINK
Afati i regjistrimit: 15 mars 2026
Vendet janë të kufizuara. Pas regjistrimit, pjesëmarrësit do të kontaktohen nga ANRD për konfirmimin përfundimtar dhe informacionin logjistik.
Presim me padurim të takohemi dhe të kontribuojmë së bashku në këtë moment të rëndësishëm për fermerët, komunitetet rurale dhe për rrugëtimin e përbashkët drejt një zhvillimi më të qëndrueshëm në Shqipëri.
Ekipi organizator
Parlamenti Rural Shqiptar
Parlamenti Rural Shqiptar
Këtu mund të gjeni: Njoftim për shtyp ALB
MIRËNJOHJE
Ky aktivitet organizohet nga Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural dhe mbështetet financiarisht nga:
- Projekti “Mbështetje institucionale për Shqipërinë në sektorët e bujqësisë dhe peshkimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian – EU GoAL”, financuar nga Ministria Italiane e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, përmes Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim (AICS), dhe i zbatuar nga CIHEAM Bari;
- Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), kontributi i së cilës ofrohet përmes programeve kryesore si Business, Partnerships and Solutions for SDGs (B4SDGs), Digital Agriculture and Rural Transformation in Albania (DART), si dhe Mbështetje për përmirësimin e menaxhimit të tokës dhe zhvillimit rural lokal në kontekstin e integrimit në BE.
- Projekti rajonal “Akademia nga Ferma në Tryezë për Ballkanin Perëndimor të Gjelbër – E ardhmja jonë e përbashkët evropiane”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga konsorciumi i Rrjeteve Kombëtare për Zhvillimin Rural në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Kroaci, së bashku me platformën e tyre rajonale të bashkëpunimit, Rrjeti Ballkanik për Zhvillimin Rural.