+355 (04) 2400241 [email protected]

Rreth Nesh

QENDRA E RINISË RURALE

KUSH JEMI NE?
Qendra e Rinisë Rurale (Rural Youth Hub – RYH) – RYH është një platformë e aktivizmit rinor që mbështet të rinjtë, veçanërisht ata të zonave rurale, që të ushtrojnë zërin e tyre për të ndikuar politikëbërjen bujqësore dhe rurale, për t’i bërë këto procese të orientuara dhe të lidhura ngushtë me shqetësimet, interesat dhe prioritetet e të rinjve. Qendra përfshin të rinj, studentë, sipërmarrës, fermerë etj., që janë entuziastë dhe të motivuar për të marrë një rol aktiv dhe për të kontribuuar në proceset e zhvillimit rural dhe vendimmarrjen vendore.
Krijimi i RYH u nxit dhe mbështet nga Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural për të mundësuar të rinjtë të përfshihen në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, dhe në veçanti në transformimin e komuniteteve të tyre rurale. ANRD beson në rolin e rëndësishëm të rinisë shqiptare në zhvillimin dhe progresin e vendit tonë. Që prej dhjetorit të 2019, ANRD nisi të formojë platformën e Qendrës së Rinisë Rurale (RYH) me qëllim shprehjen e zërit të të rinjve në Shqipërinë rurale duke promovuar vetë-aktivizimin e rinisë rurale.

Pse RYH?
Politikat publike në Shqipëri si në nivel qendror edhe në nivel vendor kanë qenë joefektive për të adresuar çështjet që lidhen me përfshirjen e të rinjve në bujqësi, si dhe me trendin gjithnjë në rritje të migrimit të tyre. Pavarësisht rolit dhe kontributit të rëndësishëm të të rinjve, migrimi i tyre është një nga sfidat më të mëdha dhe risku kryesor i qëndrueshmërisë për të gjithë sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural, si dhe të sigurisë ushqimore.

Koha dhe sfidat e saj kërkojnë politika që pasqyrojnë nevojat dhe përparësitë reale të rinisë rurale, dhe që orientohen nga aspiratat e të rinjve për të ardhmen rurale. Ndaj ka rëndësi të kuptuarit e situatës aktuale të rinisë rurale (nevojat dhe përparësitë) si dhe aspiratat dhe ëndrrat e tyre (vizioni për të ardhmen) për komunitetet rurale. Për ta bërë këtë, duhet mbajtur një qëndrim thelbësisht i ri ndaj realitetit rural – vështrimi i botës rurale nga perspektiva e rinisë. RYH mund të kontribuojë shumë në këtë drejtim!

Historia
RYH u themelua më 11 dhjetor 2019 – Ditën Ndërkombëtare e Maleve, gjatë workshopit udhëtues të organizuar nga ANRD ‘Realiteti i të rinjve në zonat rurale ndërmjet sfidave dhe aspiratave për të ardhmen’. Ky udhëtim dy ditor shënoi nisjen e lëvizjes rinore rurale në Shqipëri drejt përmirësimit të mirëqenies dhe zhvillimit të qëndrueshëm të jetesës në zonat rurale. Të rinjtë pjesëmarrës diskutuan mbi realitetin, nevojat dhe sfidat e të rinjve shqiptarë, aspiratat dhe dëshirat e tyre. Ata reflektuan edhe rreth mënyrës që politikat rurale mund t’i përgjigjen perspektivës së tyre; çfarë mund të bëjë rinia për të ndikuar në proceset dhe reformat e fushës për të përmirësuar jetesën dhe të ardhmen në zonat rurale. RYH synon të bëhet zëri i rinisë së Shqipërisë rurale dhe të promovojë vetë-aktivizmin e saj.

Cila është veprimtaria jonë?
Qendra e Rinisë Rurale (RYH) si një platformë aktive në mbështetje të të rinjve ruralë, bazohet në shkëmbimin e eksperiencave, njohurive dhe ndarjen e vizionit për të ardhmen e komuniteteve rurale.
Qendra e Rinisë Rurale përbëhet nga antarë të cilët kanë aktivitete të ndryshmë si në bujqësi, në turizëm, shoqërinë civile, dhe synon të bëhet një qendër e cila mbledh të gjithë sipërmarrësit e rinj ruralë, idrejton, i orjenton dhe bëhet zëri i tyre për realizimin e politikat në zhvillimin rural.

Projekti Rural Albanian Youth (RURAL-YOU) dhe RYH
Projekti Rural You është një projekt i finacuar nga Bashkimi Evropian që synon forcimin e përfaqësimit të interesit të të rinjve ruralë dhe kontributin në zbatimin e axhendës së anëtarësimit të Shqipërisë në BE në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural.
Ky projekt synon të përfshijë të rinj ruralë të motivuar për të luajtur një rol aktiv dhe për të kontribuuar në zhvillimin rural dhe proceset e vendimmarrjes duke rritur pjesëmarrjen e të rinjve në jetën shoqërore, ekonomike dhe politike të komuniteteve rurale. Projekti i mundëson rinisë rurale të jetë e vetëdijshme për mundësitë që ekzistojnë në nivel sektori, të marrë pjesë në mënyrë aktive në rritjen e qëndrueshme të territoreve të tyre dhe të ngrejë zërin e saj në arenën publike.
Duke pasur një synim të tillë, ‘Rural You’ është projekti i parë që i përgjigjet nismës së Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural për konsolidimin e Qendrës Burimore të të Rinjve Ruralë si një përvojë pilote për të angazhuar të rinjtë që jetojnë në zonat e largëta rurale në veprime rrjetëzuese. Projekti synon të aftësojë RYH që të kthehet në një platformë mundësuese për rininë rurale për t’u angazhuar në proceset e zhvillimit rural, për rrjetëzimin me shoqërinë civile, profesionistët nga e gjithë Shqipëria dhe advokim për nevojat e tyre.
Projekti Rinia Rurale Shqiptare është një ftesë për të parë botën rurale nga perspektiva e të rinjve si dhe u mundëson të rinjve ruralë të jenë të vetëdijshëm për mundësitë në sektor, të marrin pjesë në mënyrë aktive në rritjen e qëndrueshme të zonave të tyre dhe të jenë aktivë në procese vendimarrëse.

VIZIONI

Vizioni
Vizioni i RYH është: Një e ardhme ku rinia rurale kontribuon për zhvillimin e qendrueshëm dhe përparimin e komuniteteve rurale të Shqipërisë.

Qëllimi

Misioni
Të jemi në shërbim të komuniteteve rurale të Shqipërisë nëpërmjet fuqizimit të të rinjve rurale duke u ofruar atyre mundësi për tu bërë qytetarë aktive dhe për të krijuar të ardhura dhe mirëqenie edhe në tërritoret rurale më të largëta dhe të varfëra dhe ofrimit të mundësive interesit publik.

Parimet

Vlerat
– Integriteti
– Diversiteti
– Respekti për mendimet e çdo anëtari të RYH
– Paanshmëria politikisht
– Nismëtar
– Entuziazmi për të sjellë ndryshimin në zonën e tyre

Përfshihu:
Qendra e Rinisë Rurale është e hapur për të gjithë të rinjtë rurale, studentë, sipërmarrës, fermerë që janë entuziastë dhe të motivuar për të luajtur një rol aktiv dhe kontribuuar në proceset e zhvillimit dhe vendimmarrjen rurale.
Arsyet pse duhet të anëtarësoheni në Qendrën Rinore Rurale?
Në Qendrën Rinore Rurale, ne investojmë tek anëtarët tanë duke ofruar mundësi konkrete për të rinjtë përmes trajnimeve, workshopeve, vizitave studimore në mënyrë që të rinjtë të jenë:
• pjesë e një organizimi dinamik rinor që mbështet zhvillimin e komuniteteve rurale;
• të aftë për ngritjen dhe adresimin e problematikave të komunitetit të tyre;
• të aftë për të sjellë përmirësime në komunitetin ku të rinjtë bëjnë pjesë;
• të përditësuar rreth informacioneve, nismave dhe projekteve të cilave mund tu bashkohen;
Anëtarët e Qendrës Rinore Rurale kanë mundësi jo vetëm të rrjetëzohen me moshatarët e tyre që ndajnë të njëjtin vizion për komunitetet rurale, por edhe do të mbështetën dhe trajnohen nga profesionistë me përvojë gjatë këtij rrugëtimi të paharrueshëm.
E ardhmja e komuniteteve rurale eshtë në dorën tonë le të veprojmë pa nguruar!