34 km nga Puka, në Gjegjan, mentaliteti i zonës nuk i ka ndalur gratë dhe vajzat të krijojnë grupin e tyre që prej vitit 2004. I përbërë gra shtëpiake por edhe të angazhuara në sektorët e mjekësisë, arsimit apo administratës publike, grupi i Gjegjanit sot ka 22 anëtare që angazhohen për përpunimin e produkteve të zonës.
Marie, me profesion ekonomiste dhe nënë e 5 fëmijëve, është një nga zonjat iniciatore të krijimit të këtij grupimi. Ajo na pret bashkë me Dranen në ambientin e vogël kur promovojnë produktet e prodhuara nga zonjat e fshatit.
“Që ditën e parë që jemi ulur në lokal, ka pasur një jehonë duke thënë nga na u grumbulluan gjithë këto gra kështu. Ishte një risi për gjithë Pukën. Në fillim nuk kishim ku të mblidheshim, deri në vitin 2007 kemi përdorur shtëpinë time si qendër. Që nga maji kur fillon qershia e parë dhe në fund që përfundon me kivin, ishim aty.”
Një grua e diplomuar dhe e punësuar, nënë e pesë fëmijëve, Marie në atë kohë mori përsipër të drejtonte Grupin e grave Gjegjan me 12 anëtare shumë aktive. Fokusi i grupit ishte përpunimi i frutave dhe perimeve të zonës, por dhe problemet sociale me të cilat përballeshin gratë dhe vajzat e Gjegjanit.
Periudha që zonjat kujtojnë të përmalluara, është kur grupit iu dha në përdorim nga pushteti lokal një Qendër në mes të fshatit. Për 8 vite me radhë gratë i shërbenin Qendrës dhe Qendra i shërbeu grave. Ndihmoi për të mbështetur vajza, gra shtëpiake apo të divorcuara nga ana morale dhe sociale, u zhvilluan kurse rrobaqepësie, për kultivimin e luleve apo punimet e dorës. Por më pas u mbyll. Që prej vitit 2015, grupit të Gjegjanit iu hoq ambienti nga përdorimi. Sot ato kanë vetëm një hapësirë të vogël larg nga qendra, falë një prej anëtareve të grupit, për të promovuar produktet.
“Që atë ditë ne nuk e kemi ul veten, nuk e kemi ndal aktivitetin. I kemi bërë takimet në lëndina dhe jemi përkushtuar që të gjitha prodhimet që bënim tek Qendra secila t’i bëj nëpër shtëpi, për shembull, njëra grua ka bërë reçelin e fikut, tjetra të qershisë, një tjetër frutat e thata dhe më pas i kemi mbledhur. Edhe sot, fjala kryesore po të na pyesësh të gjithave është një Qendër. Me të marrë një Qendër që do ishte me të gjitha kushtet, do të merrnim edhe licencën. Do të punonim me rregulla, me orare të caktuara që Qendra të rrinte hapur dhe do të kishim prodhim me sasi më të mëdha.”
Maria dhe grupi të cilin ajo drejton vazhdimisht janë përballur me sfida. Pavarësisht kësaj, sot, pas pothuajse 16 vitesh grupi i grave Gjegjan ēshtë zgjeruar dhe vazhdon të jetë po aq i lidhur dhe aktiv, duke angazhuar vazhdimisht edhe gra të cilat nuk janë anëtare, duke marrë pjesë në çdo treg e panair.
Ky album fotografik synon t’i japë lexuesit një vështrim të Shqipërisë rurale, ku gratë marrin shumë role. Përmban histori të ndryshme të grave dhe vajzave nga zonat e Pukës, Elbasanit dhe Kolonjës, me fokus tek sfidat e jetës së tyre të përditshme, familja, puna dhe koha e lirë. Realizuar nga Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural në rolin e nën-kontraktorit në kuadër të projektit “Fuqizimi i Grave në Zonat Rurale dhe Turizmi” i cili po zbatohet së bashku me UN Women Albania, të financuar nga Qeveria Italiane dhe në partneritet me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Shfleto Albumin e plotë KËTU.