Jemi të lumtur të njoftojmë përfundimin me sukses të takimit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural. Asambleja u mblodh më 7 prill 2023, në ambjentet e fermës “Albanët”, duke bërë bashkë përfaqësuesit e 22 organizatave nga 31 prej tyre për të rishikuar arritjet e vitit të kaluar dhe diskutuar veprimet për të ardhmen.
Takimi nisi me prezantime të shkurtra nga organizatat anëtare mbi ecurinë dhe të reja të fundit nga veprimtaria e tyre, për t’u inkurajuar dhe ndërtuar mbi çfarë organizatat anëtare janë të angazhuar. Përvojat e ndryshme që u ndanë nga pjesëmarrësit ishin të rëndësishme për të nxitur më tej diskutimin e përbashkët mbi mënyrat që ANRD të përmirësojë funksionimin e vet për të arritur impakt dhe njohje më të rritur publike. Gjithashtu, me kënaqësi evidentuam bashkëpunimin dhe shkëmbimin e rritur ndërmjet organizateve të rrjetit, duke kontribuar kështu në një kohezion më të rritur brenda anëtarësisë së ANRD.
Disa nga momentet kyçe të agjendës së takimit përfshijnë prezantimin dhe aprovimin e raportit vjetor, shqyrtimin dhe miratimin e kërkesave për anëtarësi, diskutimin mbi Parlamentin e tretë rural shqiptar dhe platfroma të tjera të advokocasisë rinore dhe të grave rurale.
Raporti vjetor për vitin 2022 i miratuar nga Asambleja e Përgjithshme gjendet këtu.
Asambleja shqyrtoi dhe miratoi unanimisht kërkesat e mëposhtme për anëtarësi të tre organizatave lokale:
- Shoqata e Bashkuar Agro-Mjedisore-Agri-En e themeluar në vitin 2014, aktive në bashkinë Librazhd dhe Prrenjas, ka në fokus të punës së saj zhvillimin rural dhe mbrojtjen e mjedisit. (anëtarësuar në ANRD më 7 prill 2023)
- Shoqata e Përdoruesve të Burimeve Natyrore Komunës Velçan, Pogradec, ka në fokus të punës së vet menaxhimin e burimeve natyrore të zonës. (anëtarësuar në ANRD më 7 prill 2023)
- Shtëpia e Bariut dhe Bjeshkimit, Kelmend, e fokusuar në ruajtjen dhe zhvillimin e praktikës së bjeshkimit të bagëtive gjatë sezonit të verës si dhe shtegtimi dimëror. (anëtarësuar në ANRD më 7 prill 2023)
Tre organizatat e reja përfaqësojnë interesat dhe prioritetet e komuniteteve të ndryshme dhe sjellin përvojat dhe ekspertizën e tyre në fushat ku janë të angazhuar. Falë tyre, ANRD gjithnjë e më shumë siguron një mbulim më të mirë territorial dhe tematik të zhvillimit të qëndrueshëm rural.
Pjesa tjetër e kohës iu dedikua diskumit mbi Parlamentin e tretë rural shqiptar që do të zhvillohet në vjeshtën 2023. Koha, vendi, tematika, bashkëpunëtorët etj ishin çështje të rëndësishme të diskutuara për të cilat koha në dispozicion nuk ishte e mjaftueshme. Së shpejti, Asambleja e Përgjithshme do të publikojë Deklaratën për të informuar partnerët,bashkëpunëtorët dhe entuziastët e punës tonë mbi planet dhe diskutimet kryesore rreth tyre.
Në këtë takim, sikurse është bërë traditë, kishim të ftuar një mike speciale, znj Martine Ëolf, antropologe që po kontribuon në themelimin dhe konsolidimin e shoqatës Shtëpia e Bariut dhe Bjeshkimit. Zj Martine solli për Asamblenë një perspektivë të freskët të situatës aktuale të komunitetit të barinjve në veri të Shqipërisë, nevojat e mëdha sociale, shëndetësorë, arsimore dhe ekonomike me të cilat po përballen për të siguruar një jetesë dinjitoze për vete dhe familjet e tyre. Gjithashtu, me interes ishte edhe prezantimi i saj mbi nismën e Kombeve të Bashkuara për shpalljen e vitit 2023 si Vitin Ndërkombëtar të Pastoralizmit ekstensiv. Dakortësuam se duhet të punojmë së bashku për të krijuar ndërgjegjësim edhe në Shqipëri për rolin e komunitetit të barinjve dhe kontributit të jashtëzakonshëm që japin në krijimin e një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik, social dhe mjedisor dhe nevojën për të ndihmuar mirëqenien e komuniteteve pastoraliste.
Takimi i Asamblesë si gjithmonë ofroi mundësi për anëtarët tanë për t’u rrjetëzuar dhe diskutuar, forcuar bashkëpunimet aktuale dhe nxitur të reja. Ndjesia e gjithë pjesëmarrësve është se një takim vjetor nuk mjafton, dhe grupet e punës për tematika të veçanta do të na ofrojmë mundësi shtesë për të qenë në kontakt për të bashkëpunuar me qëllim avancimin e agjendës së përbashkët të zhvillimit rural të qëndrueshëm.
Shumë mirënjohje për të gjithë anëtarët pjesëmarrës që e bënë këtë takim kaq inkurajues.