Mes emocionesh, përballë një salle të prekur nga kujtimi i Liljanës, Pavlina Sumbulla u shpall fituese e çmimit “Liljana Isakaj”, Për Lidership në Fuqizimin e Grave të Zonave Rurale. Kjo nismë i është kushtuar nderimit të trashëgimisë së jashtëzakonshme të Liljana Isakajt, e cila ia kushtoi jetën zhvillimit rural dhe fuqizimit ekonomik të grave në zonat rurale. Ky çmim u nda gjatë Edicionit të pestë të ‘Pro-Grave Rurale’ të organizuar më 12 tetor 2023 nga Rrjeti Shqiptar për Zhvillim Rural. Si epitomë e grave të zonave rurale, Liljana hapi rrugën për progres, lidership dhe ndryshim pozitiv në komunitetet rurale.
Pavlina u lind dhe u rrit në fshati malor të Korçës, Vithkuq, aty ku ajo tashmë vazhdon jetën e saj të lumtur me bashkëshortin dhe dy fëmijët e saj. Pavlina ka punuar në Komunën e Vithkuqit për rreth 11 vite, periudhë kur ka nisur njohjen e saj me Liljanën dhe përfaqësues të tjerë të organizatës ADAD malore. “Liljana erdhi këtu për të formuar një grup të grave që ishin të angazhuara me prodhimin e produkteve lokale. Që prej vitit 2008 jam bërë pjesë e ADAD malore dhe kam qenë e pranishme në trajnime, panaire dhe shkëmbime eksperiencash që organizoheshin nga organizata. Ndihem e privilegjuar që kam njohur dhe kam patur mundësinë të punoj me një profesioniste siç ishte Liljana Isakaj.”
Të marësh këtë çmim është një vlerësim i madh për Pavlinën dhe një shpërblim për punën e palodhur të gjithë këtyre viteve, por pesha e këtij çmimi shkon përtej kësaj: “Padyshim që është nder dhe vlerësim nderimi me çmimin ” Liljana Isakaj”, por dhe një përgjegjësi e madhe. Të mbash këtë çmim, me këtë emër që simbolizon një profesioniste, zonjë, mike dhe këshilluese aq të vyer sa Liljana, e cila rrezatonte vetëm mirësi është një peshë shumë e madhe. Jeta është shumë e bukur, por këtë e kupton më së miri kur je e sprovuar nga ana shëndetësore. Liljana nuk ia doli ta vazhdonte rrugëtimin e saj në transmetimin e dijeve tek ne, në atë mënyrë të veçantë që vetëm ajo dinte. Shpresoj që unë si lidere e grupit të grave të arrij ta çoj punën përpara dhe të luftoj që dëshira e saj të plotësohet.”
Frymëzimi është nxitje për punën e palodhur të grave në zonat rurale. E pyetur se cili është burimi i saj i frymëzimit, Pavlina shprehet: “Rezistenca dhe shpirti luftarak i grave me të cilat punoj më frymëzon çdo ditë. Historitë e tyre të punës së palodhur, këmbënguljes dhe dëshirës për të ndërtuar një jetë më të mirë për veten dhe familjet e tyre janë ato që më mbajnë përpara. Vetë Liljana Isakaj ishte një burim frymëzimi për mua. Vendosmëria dhe dhembshuria e saj e palëkundur treguan se edhe sfidat më të rëndësishme mund të kapërcehen me përpjekje kolektive.”
Të jesh grua në një vend ku patriarkalizmi dhe mendësia të kufizojnë nga burimet dhe shërbimet bazike është e vështirë, por të jesh një grua rurale është dyfish më e vështirë. “Rruga drejt fuqizimit të grave rurale nuk është pa pengesa. Unë jam përballur me skepticizëm, mungesë burimesh dhe barriera kulturore të rrënjosura thellë. Por me mbështetjen e Liljanës, punën e palodhur dhe shpresën e pafundme, ne kemi arritur të përballemi me këto sfida. Çdo pengesë e kapërcyer na ka bërë më të forta dhe më të vendosura për të nxitur ndryshimin”- u shpreh Pavlina teksa kujton vitet që i duken sa të largëta, po aq edhe të afërta.
Teksa rikujton vitet e kaluara në përpjekje dedikuar fuqizimit të grave rurale, Pavlina e di fare mirë se ky rrugëtim kërkon angazhimin e brezave që do të vijnë, prandaj ajo ka disa këshilla për të gjithë ata që duan të ndjekin hapat e saj: “Mos kini frikë të shembni muret që bëhen pengesë në rrugën tuaj, ashtu sikurse Liljana bëri. Guximi juaj mund të hapë rrugën për fuqizimin e vajzave dhe grave në zonat rurale. E, në qoftë se doni të arrini diçka duhet shumë punë, vullnet dhe sakrificë. Asgjë nuk të jepet falas në këtë jetë, gjithçka fitohet. Kështu arriti të fitonte Liljana respektin dhe dashurinë e çdo gruaje që njohu.”
Pavlina është një grua ambicioze dhe me shpirt sipërmarrës që punon në të sotmen, por sytë i ka drejt të ardhmes. Pavlinën e gjen në Vithkuq, ku mendon të investojë energjinë e saj për ta bërë këtë zonë një vend më të mirë për të jetuar:”Dëshira ime më e madhe është hapja e një bujtine e cila do të ofrojë produkte tradicionale të zonës. Por për të arritur këtë nuk mjafton të kesh vetëm dëshirën, por duhet shumë punë dhe mbështetje.” Pavarësisht sfidave asgjë nuk është e pamundur për gra të forta sikurse janë gratë në zonat rurale.
Liljana kishte arritur të shikonte tek Pavlina atë që shumica prej nesh nuk mundet dot. Ajo kishte besuar në Pavlinën dhe gratë e tjera në zonat rurale dhe ky besim ishte kthyer në shpresë, forcë dhe kurajo për të ofruar një të ardhme më të mirë dhe të drejtë për to. Heroina të heshtura si Pavlina ndodhen në çdo cep të Shqipërisë, prandaj çmimi “Liljana Isakaj” Për fuqizimin e grave në zonat rurale do të ndahet çdo vit me rastin e organizimit të ‘Pro-Grave Rurale’. Çmimi do të vlerësojë individë që kanë kryer përpjekje të jashtëzakonshme për të përmirësuar jetën e grave rurale. Ai do të promovohet nga Rrjeti Shqiptar për Zhvillim Rural së bashku me ADAD malore. Kjo nismë synon të krijojë një trashëgimi që nxit zhvillimin dhe progresin e vazhdueshëm të komuniteteve rurale shqiptare, duke vlerësuar liderët në zhvillimin e qëndrueshëm rural dhe të krijojë një rrjet të personave që sjellin ndryshimin dhe më tej përforcojnë përpjekjet e tyre në nivel kombëtar dhe lokal.