+355 (04) 2400241 [email protected]

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Grave Rurale, Rrjeti Shqiptar për Zhvillim Rural dhe organizatat e veta anëtare të angazhuara në fuqizimin e grave dhe barazinë gjinore në bujqësi dhe zhvillimin rural, organizoi me sukses Edicionin e gjashtë të eventit “Pro-Grave Rurale, më 15 tetor 2024 në ambientet e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Dita Ndërkombëtare e Grave të angazhuara në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural shërben si një platformë e qëndrueshme për t’u përfshirë në diskutime rreth sfidave dhe prioriteteve të tyre, si dhe për të identifikuar hapat që institucionet dhe shoqëria duhet të ndërmarrin për fuqizimin e tyre social ekonomik. Ky edicion bëri bashkë më shumë se 80 pjesëmarrës, ndër të cilët gra dhe vajza të komuniteteve rurale nga Dibra, Erseka, Elbasani, Puka, Shkodra, Durrësi etj. përfaqësues të institucioneve publike dhe organizatave të shoqërisë civile, si dhe aktorë të tjerë të përfshirë në fuqizimin e grave nga zonat rurale, të cilët diskutuan rreth sfidave që pengojnë produktivitetin e tyre në sektorin agro-ushqimor.

Edicioni u çel nga Zj. Majlinda Hoxha, Sekretare e përgjithshëm e ANRD e cila ndër të tjera tha: “Sot, fokusi ynë është mirëqenia e grave dhe vajzave të komuniteteve rurale. Njohja e sfidave dhe gjetja e zgjidhjeve praktike për to është hapi i parë për të avancuar dialogun me strukturat politikëbërëse, duke lehtësuar kështu përballimin e këtyre sfidave”.

Zj. Anila Denaj, Ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në fjalën e vet e vuri theksin tek fuqizimi ekonomik i grave në sektorin agro-ushqimor përmes rritjes së aksesit në skemat mbështetëse dhe nxitjes së bashkëpunimit midis tyre. “Pro Grave Rurale na mblodhi së bashku jo vetëm për këtë event, por edhe për të konkretizuar çfarë duhet të ndryshojmë me instrumentet tona për të sjellë më shumë mbështetje financiare të drejtpërdrejtë në fokusin tuaj. Skemat Kombëtare për Bujqësinë duhet të kenë një zë më të fuqishëm për gratë sipërmarrëse. Orientimi drejt bashkëpunimit mes operatorëve është një mundësi e artë për të tejkaluar vështirësitë ekonomike, në mënyrë që produktet e tyre të njihen jo vetëm në tregjet kombëtare, por edhe në ato ndërkombëtare.”

Zheni Gjergji, Kryetare e Komisionit Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, vlerësoi angazhimin e organizatave të shoqërisë civile në rritjen e mirëqenies së grave në zonat rurale dhe më tej u ndal tek sfidat me të cilat ato përballen: “Gratë dhe vajzat në zonat rurale përballen me një sërë sfidash duke filluar nga aksesi i ulët në shërbime arsimore dhe shëndetësore, mungesa e transportit, ujit të pijshëm e deri te qasja dhe pronësia mbi burimet prodhuese dhe financiare. Në vendin tonë, rreth 55% e të punësuarve në bujqësi janë gra, por vetëm 7% e tyre drejtojnë ferma. Është domosdoshmëri integrimi i grave nga zonat rurale në tregun e punës dhe zhvillimi i aftësive të tyre sipërmarrëse. Në këtë drejtim, strukturat vendore dhe qeverisja lokale duhet të luajnë një rol shumë të rëndësishëm për fuqizimin ekonomik të grave.”

Gjatë diskutimeve, gratë pjesëmarrëse shprehën nevojën për më shumë qasje në trajnime, rritje të kapaciteteve dhe të aksesit në burimet financiare, si mundësi për fuqizimin e tyre ekonomik. “Grupi i grave ‘Duarartat e Leskovikut’ janë të angazhuara në prodhimin dhe tregtimin e zahireve të dimrit.Falë mbështetjes së FAO-s, kemi në dispozicion inkubatorin ‘Duarartat e Leskovikut’ me teknologji dhe infrastrukturë moderne. Megjithatë, ndiejmë se kemi ende nevojë për  ndihmë që të jemi më të pranishme në treg dhe të rrisim të ardhurat tona,” – u shpreh Majlinda Mehmeti, Drejtuese e Inkubatorit të Zahireve.

Në diskutimin mbi situatën sociale dhe ekonomike të grave dhe vajzave të angazhuara në sektorin agro-ushqimor, një rëndësi të veçantë mori çështja e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Pavarësisht se skema e sigurimeve shoqërore favorizon gratë e vetëpunësuara në bujqësi përmes kontributeve të ulëta për shkak të subvencionimeve nga shteti, kjo skemë ende nuk vlerësohet e përshtatshme me sfidat e sektorit.  Skema nuk merr parasysh pamundësinë paguese të kontributeve nga fermerët, përfshi këtu edhe gratë dhe vajzat e vetpunësuara në bujqësi, në vitet e vështira të fermave, kur nuk munden të gjenerojnë të ardhura të mjaftueshme nga aktiviteti bujqësor. Gjithashtu, kriteri bazë i pëfshirjes në skemë, pronësia mbi tokën –  përjashton fermerët, përfshi edhe gratë dhe vajzat e vetpunësuar në bujqësi, nga skema  të cilët punojnë tokën, por nuk zotërojnë dokumentet e pronësisë mbi tokën, për shkak të reformës të papërfunduar të tokës, apo në rastet kur jetojnë në zonat malorë dhe nuk kanë tokë në pronësi, apo dhe rastet e blegtorëve që nuk zotërojnë tokë në pronësi, por bagëti. Në këto raste, kriteri që do të mund të lehtësonte përfshirjen e fermerëve në skemë do të ishte jo pronësia mbi tokën, por NIPT aktiv i fermerit.

Një momentet tepër i veçantë dhe emocionues i eventit ishte dhënia e çmimit “Liljana Isakaj” Për Lidership në Fuqizimin e Grave të Zonave Rurale, një nismë kushtuar nderimit të trashëgimisë së jashtëzakonshme të Zj.Liljana Isakaj, e cila ia kushtoi jetën e saj zhvillimit rural dhe fuqizimit ekonomik të grave rurale. Si epitomë e grave rurale, Liljana hapi rrugën për progres, lidership dhe ndryshim pozitiv në komunitetet rurale. Pjesëmarrësit patën mundësi të njiheshin me punën dhe kontributin e Liljanës së dashur përmes një video të përgatitur me kujtime të ndara nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e Liljanës. Trashëgimia e saj është e gjallë, e pasur dhe frymëzuese. Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural dhe  Adad Malore, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural kanë krijuar një komitet për themelimin dhe administrimin e çmimit “Liljana Isakaj” Për Lidership në Fuqizimin e Grave të Zonave Rurale. Komiteti vlerësoi me këtë çmim Zj. Marie Frroku nga Gjegjan, Pukë. Marie është lidere e Grupit të Grave të Gjegjanit dhe për më shumë se 20 vitesh i është dedikuar fuqizimit të grave në zonën e Pukës përmes luftimit të stereotipeve gjinore dhe angazhimit në aktivitete ekonomike. Me Marien dhe të tjerë fitues të këtij çmimi në vitet e ardhshme do të mund të krijojmë një trashëgimi me vlerë që nxit zhvillimin dhe progresin e vazhdueshëm të komuniteteve rurale shqiptare.

Eventi u përmbyll me panairin e produkteve lokale të prodhuara nga secili grup i grave pjesëmarrëse në event.

Edicionit të gjashtë të Pro-Grave Rurale ishte një mundësi për përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe institucione të qeverisjes vendore dhe qendrore, organizata për të drejtat e njeriut dhe aktorë të tjerë, të njihen me rolin e grave në bujqësi dhe zhvillimin rural, dhe ruajtjen e natyrës për të ardhmen e përbashkët.