Marie Frroku është shpallur fituese e edicionit të dytë të çmimit “Liljana Isakaj” për Lidership në Fuqizimin e Grave në Zonat Rurale. Ky çmim përkujton trashëgiminë e jashtëzakonshme të Liljana Isakajt, koleges sonë të dashur e cila ia dedikoi jetën zhvillimit rural dhe fuqizimit ekonomik të grave në komunitetet rurale. Liljana Isakaj mbetet një simbol frymëzimi për gratë e zonave rurale, duke u bërë një shembull i lidershipit, përkushtimit dhe ndryshimit pozitiv.
Përzgjedhja e fitueses u bë nga një komitet vlerësues, përbërë nga përfaqësues të Ministrinë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural dhe Adad Malore. Çmimi u nda gjatë Edicionit të gjashtë të eventit “Pro-Grave Rurale”, organizuar më 15 tetor 2024.
Marie Frroku vjen nga Gjegjan i Pukës, ku ka dhënë kontributin e saj prej më shumë se 35 vitesh në zhvillimin social dhe ekonomik të zonës. Aktualisht, ajo punon si financiere në Bashkinë Fushë-Arrëz dhe drejton me përkushtim grupin e grave të Gjegjanit. Marie, nënë e pesë fëmijëve, ka një ndjeshmëri të thellë dhe një jetë të mbushur me sfida dhe sakrifica. “Kam mbetur jetime akoma pa u lindur, rrëfen ajo. U linda dhe u rrita me nënën, vëllain dhe motrën. Kjo më bëri të fortë dhe më nxiti të punoj fort që të shoh gra dhe vajza të tjera të lumtura”.
Marrja e çmimit “Liljana Isakaj” e ka bërë Marijen të ndihet e vlerësuar për kontributin e saj, ndërsa ka rritur dhe përgjegjësinë që ajo ndjen: “Nuk pata mundësinë ta njoh Liljanën nga afër, por jam shumë e motivuar nga gjithçka kam dëgjuar për të”, shprehet ajo. “Marrja e këtij çmimi është një privilegj i madh dhe një nder i veçantë. Njëkohësisht, është edhe një përgjegjësi e madhe të ecësh në gjurmët e saj”.
E frymëzuar nga vlerësimi, Marie është e vendosur të vazhdojë angazhimin e saj për të mbështetur gratë nga zonat rurale, duke i ndihmuar ato të përballojnë sfidat e shumta që hasin në punën dhe jetën e tyre.
Përgjatë rrugëtimit të saj, Marije është përballur me shumë sfida dhe problematika që prekin gratë në zonë, gjë që e nxiti të ndërmarrë hapa konkrete për ndryshim. Me mbështetjen e organizatës Agro-Puka, në vitin 2004 ajo krijoi grupin e grave “Gjegjan” në një kohë kur gratë ende nuk lejoheshin të kishin jetë sociale jashtë mureve të shtëpisë. Marije kujton me emocion herën e parë kur grupi u mblodh në një kafene në qendër të fshatit: “Sa shumë telefonata morën bashkëshortët tanë, sa shumë u komentuam nga banorët e fshatit. Ishte një moment i vështirë, por edhe një pikënisje e fortë për ne”.Pavarësisht paragjykimeve, ato vazhduan me vendosmëri, duke forcuar lidhjen mes njëra-tjetrës dhe duke ndjekur çdo mundësi për t’u rritur dhe për të shkundur mentalitetin e vjetër. “Qëllimi ynë nuk ishte vetëm të përmirësonim jetën tonë, por të frymëzonim edhe gratë e tjera në zonat rurale të vendit,” përfundon Marije, me krenarinë e dikujt që ka parë vizionin e saj të marrë jetë.
Grupi i grave “Gjegjan” ka një histori frymëzuese që fillon para rreth 20 vitesh dhe sot numëron 22 anëtare aktive, të cilat bashkëpunojnë me shumë gra të tjera në komunitetin e tyre. Veprimtaria kryesore ekonomike e grupit është përpunimi i frutave dhe perimeve: “Deri atëherë, frutat i hanin bagëtitë ose përdoreshin për të bërë pije alkoolike. Mësuam të punojmë në grup, të ndihmojmë njëra-tjetrën dhe të qëndrojmë të bashkuara. Vetëm kështu zbuluam që mund t’ia dalim”.
Përtej aktivitetit ekonomik, grupi ka pasur një ndikim të madh edhe në zgjidhjen e problemeve sociale me të cilat përballeshin gratë e zonës. Mendësia patriarkale dhe sfidat e rolit të gruas në shoqëri kanë qenë pengesa të vazhdueshme, por gratë e “Gjegjanit” nuk janë ndalur. Me përkushtim dhe vendosmëri, ato kanë punuar për të zbutur varfërinë në zonë, sidomos gjatë periudhës së vështirë të pandemisë COVID-19.
“Të punosh me gratë nga zonat rurale është një përvojë sa sfiduese, aq edhe e bukur,” shprehet njëra nga anëtaret e grupit. “Duhet të jetosh me to, të njohësh jetën e tyre reale dhe të përballesh me sfidat e një fryme patriarkale, që pas viteve të komunizmit ishte shumë e përhapur, veçanërisht në zonat rurale.”
Ajo shton: “Rregullat patriarkale, mungesa e burimeve financiare dhe mbështetjes kanë qenë sfida të mëdha, por me shumë përkushtim, mund të them që ia kemi dalë. Fuqizimi i komuniteteve rurale, veçanërisht i grave, nuk arrihet pa vullnet dhe sakrifica. Por çdo përpjekje, sado e vogël, mund të përmirësojë mirëqenien e tyre dhe t’i ofrojë brezave të ardhshëm një shembull se si shoqëria jonë mund dhe duhet të ecë përpara.
Përmes sfidave të panumërta, Marije ka gjetur forcën dhe frymëzimin për të vazhduar punën e saj të përditshme:“Duke jetuar përkrah grave që shpesh i nënshtrohen mentalitetit patriarkal, duke dëgjuar historitë e tyre të dhimbshme, por njëkohësisht duke parë motivimin dhe vullnetin e tyre për të punuar në grup dhe për të mbështetur familjet e tyre, kam gjetur frymëzimin për të ecur përpara. Pavarësisht vështirësive që na dalin në rrugëtimin tonë, unë besoj se jeta është sfidë. Prandaj, nuk duhet të kemi frikë të shprehim atë që ndjejmë. Vetëm duke guxuar dhe vepruar mund të arrijmë të përparojmë fuqizimin e grave në zonat rurale.”
***
Liljana u largua parakohe nga kjo botë, por la pas një trashëgimi të fuqishme, duke frymëzuar shumë të tjerë që ndjekin hapat e saj. Një prej tyre është Marije, e cila çdo ditë punon me përkushtim për të siguruar një të ardhme më të mirë dhe më të drejtë për gratë në zonat rurale. Si Marije, shumë individë të tjerë në çdo cep të Shqipërisë ndajnë këtë mision të përbashkët. Për të vlerësuar dhe nxitur përpjekjet e tyre, Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural dhe Adad Malore, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, kanë krijuar çmimin “Liljana Isakaj” Për Lidership në Fuqizimin e Grave të Zonave Rurale.
Ky çmim synon të vlerësojë individë që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në përmirësimin e jetës së grave rurale. Përtej vlerësimit, nisma ka për qëllim të krijojë një trashëgimi të qëndrueshme që nxit zhvillimin dhe progresin në komunitetet rurale të Shqipërisë. Duke identifikuar dhe mbështetur liderët e ndryshimit në zhvillimin e qëndrueshëm rural, çmimi kontribuon në ndërtimin e një rrjeti të fuqishëm të individëve që përforcojnë dhe zgjasin ndikimin e tyre në nivel kombëtar dhe lokal.