Në një kohë kur bujqësia shqiptare përballet me sfida gjithnjë e më komplekse, nga përafrimi me standardet e Bashkimit Evropian te nevoja për rritje të konkurrueshmërisë dhe përfshirje të fermerëve të vegjël, dialogu mes aktorëve të interesit, i bazuar në përvojën konkrete bëhet i rëndësishëm për ndërtimin e politikave efektive. Pikërisht në këtë frymë u zhvillua Eventi i Dialogut Politik mbi Informimin dhe Këshillimin Bujqësor, i cili mblodhi 35 pjesëmarrës nga Ministria e Bujjqësisë dhe Zhvillimit Rural, AZHBR, institucione publike si Enti i Farërave, AREB-e, bashki, Universiteti Bujqësor i Tiranës, shoqata lokale dhe partnerë të projektit Ruralbania si dhe fermerë përfitues të projektit.

Eventi shërbeu si një hapësirë reflektimi dhe bashkëbisedimi mbi përvojën dhe implikimet politike të Qendrave të Asistencës Bujqësore dhe Rurale (QABR), një model novator i pilotuar në kuadër të projektit RURALBANIA, që synon të afrojë shërbimet këshillimore më pranë fermerëve, veçanërisht atyre të vegjël dhe në zonat malore.

Nga përvoja në politikëbërje

Në fjalën e saj të hapjes, Evelina Azizaj theksoi se rëndësia e këtij eventi qëndron në ndarjen e rezultateve konkrete dhe përvojës së QABR-ve, si dhe në diskutimin e implikimeve të tyre për politikat publike në bujqësi dhe zhvillim rural. Diskutimet u fokusuan në mënyrën se si ky model mund të institucionalizohet, konsolidohet dhe zgjerohet, në përputhje me prioritetet kombëtare, IPARD III dhe kërkesat e Bashkimit Evropian.

Si Rrjet Shqiptar për Zhvillimin Rural, ne besojmë fort në qasjen nga poshtë lart, që vendos fermerët dhe komunitetet në qendër të hartimit të politikave. Ndërtimi i partneriteteve të qëndrueshme mes institucioneve publike, shoqërisë civile, akademisë dhe sektorit privat është kusht i domosdoshëm për krijimin e një sistemi këshillimor që i përgjigjet realisht nevojave të fermerëve shqiptarë.

Zëri i institucioneve dhe i terrenit

Zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Jaupllari, vuri theksin në nevojën urgjente për më shumë informim dhe mbështetje të fermerëve, duke e lidhur këtë edhe me numrin e ulët të aplikimeve në skemën kombëtare të investimeve. Sipas tij, zgjidhjet nuk mund të vijnë vetëm nga institucionet, por nga vetë fermerët dhe shoqatat që punojnë ngushtë me ta. Një nga shqetësimet kryesore mbetet përafrimi i standardeve të fermave shqiptare me ato të BE-së, si dhe mungesa e përgatitjes së fermerëve për këtë transformim. Çdo fermer, theksoi ai, duhet të ketë një plan të qartë veprimi dhe financiar për të arritur këto standarde.

Nga ana e saj, znj. Eranda Selmanaj prezantoi një nga masat e IPARD III të dedikuara për shërbimet këshillimore, e cila pritet të akreditohet në grupin e parë të masave. Kjo masë do të mbështesë certifikimin e ekstensionistëve që do të informojnë, këshillojnë dhe asistojnë fermerët, duke forcuar më tej rolin e këshillimit profesional në sektor.

QABR-të: shërbime më afër fermerëve

Përfaqësues të projektit Ruralbania, Benito Prendi, dhe shoqatave lokale që menaxhojnë QABR-të, Hafuz Domi dhe Sabah Djaloshi, ndanë procesin e ngritjes dhe funksionimit të këtyre qendrave, të cilat ofrojnë shërbime të përditshme, të personalizuara dhe më afër fermerëve.

QABR-të kanë një rol plotësues ndaj shërbimeve këshillimore publike, duke u fokusuar veçanërisht te fermerët dhe prodhuesit e vegjël, grupe që tradicionalisht kanë qenë të pambuluara nga sistemi publik i ekstensionit.

Një dëshmi konkrete erdhi nga fermeri Nehmedin Kryemadhi nga Dibra, i cili ndau përvojën e tij si përfitues i shërbimeve të QABR Dibër. Ai tregoi për instalimin e linjës së parë Hidrocooler pranë grupit të prodhuesve të qershisë, një teknologji që ruan cilësinë dhe freskinë e frutit dhe zgjat ndjeshëm kohën e qëndrimit në treg, duke rritur vlerën ekonomike për fermerët.


Re
zultatet e vlerësimit të pavarur: ndikimi i QABR-ve në formalizim dhe akses në financa

Gjatë eventit u prezantuan edhe rezultatet kryesore të vlerësimit të pavarur të ndikimit të Qendrave të Asistencës Bujqësore dhe Rurale, të cilat konfirmojnë rolin e tyre të rëndësishëm në përmirësimin e formalizimit dhe aksesit në financa për fermerët. Të dhënat tregojnë se në vitin 2024, 76% e fermerëve në zonën e projektit zotëronin NIPT fermeri, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me vitin 2023.

Aplikimi dhe përfitimi nga Skema Kombëtare e Mbështetjes është rritur ndjeshëm, me normën e aplikimit që u rrit nga 54% në 75%, ndërsa qasja në financa u bë pothuajse universale, duke arritur në 99% të fermerëve të mbështetur në vitin 2024, krahasuar me 47% një vit më parë. Të dhënat administrative konfirmojnë këtë trend pozitiv, me rritje të ndjeshme të aksesit edhe në vitet pasuese, si dhe një rritje të konsiderueshme të pjesëmarrjes së grave. Vlerësimi evidentoi se QABR-të janë shndërruar në faktorin e rëndësishëm të këtyre përmirësimeve në të tre rajonet e projektit. Gjithashtu, u prezantuan rekomandime të lidhur me zhvillimin e një modeli financiarisht të qëndrueshëm dhe institucional për QABR-të, të cilat shërbyen si bazë për diskutimet e mëtejshme gjatë eventit.

 

Sfida të hapura dhe rruga përpara

Diskutimet nxorën në pah edhe një sërë çështjesh strukturore: mungesën e mbështetjes së mjaftueshme për fermerët e vegjël dhe të mesëm; moszbatimin e praktikave të mira bujqësore; rolin kyç të universiteteve në prodhimin dhe transferimin e dijes praktike; nevojën për forcimin e kujtesës institucionale për qëndrueshmërinë e politikave; si dhe rëndësinë e integrimit të kërkimit shkencor në politikëbërjen bujqësore dhe rurale. Bashkitë u identifikuan gjithashtu si aktorë thelbësorë në mbështetjen e QABR-ve, në kuadër të kompetencave të tyre në bujqësi dhe zhvillim rural.

 

 

 

 

 

Drejt një sistemi këshillimor më gjithëpërfshirës

Eventi konfirmoi se modeli i QABR-ve ofron zgjidhje konkrete dhe të zbatueshme për forcimin e sistemit të informimit dhe këshillimit bujqësor në Shqipëri. Tani sfida kryesore mbetet përkthimi i këtyre përvojave në politika të qëndrueshme, të institucionalizuara dhe të financuara në mënyrë afatgjatë. Vetëm përmes dialogut të vazhdueshëm, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përfshirjes aktive të fermerëve, mund të ndërtojmë një sistem këshillimor që jo vetëm i përgjigjet kërkesave të BE-së, por mbi të gjitha, nevojave reale të komuniteteve rurale shqiptare. ANRD dhe organizatat partnere të projektit do të vazhdojnë komunikimin me të gjithë aktorët për të informuar për modelin e QABR-eve dhe gjetur zgjidhje që mbështesin qëndrueshmërinë afatgjatë të tyre dhe replikimin në zona të tjera të vendit.

*** Eventi:“Eventi i Dialogut Politik mbi Informimin dhe Këshillimin Bujqësor” u zhvillua në kuadër të projektit “Ruralbania: Nisma për Mbështetjen dhe Promovimin e Produkteve Tradicionale Bujqësore për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Zonave Rurale të Shqipërisë”, mbështetur nga Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim (AICS) dhe zbatuar nga konsorciumi italo-shqiptar i udhëhequr nga RTM – Volontari nel Mondo, në partneritet me ANRD, ADAD Malore dhe AgroPuka.