Në fshatin Vakuf të Dibrës, aroma e jufkave të sapopërgatitura ka shoqëruar për dekada jetën e përditshme të familjeve. Për Flutura Begun, kjo aromë nuk ishte thjesht një kujtim fëmijërie, por një trashëgimi e çmuar, e kaluar brez pas brezi nga gjyshet, që ajo vendosi ta kthejë në një fillim të ri. Një fillim që sot e bën Fluturën Begu fituese të edicionit të dytë të Çmimit “Liljana Isakaj” për Lidership në Fuqizimin e Grave në Zonat Rurale.

Ky vlerësim nderon trashëgiminë e Liljana Isakajt, një figurë frymëzuese që ia kushtoi jetën mbështetjes së prodhuesve të vegjël dhe fuqizimit ekonomik të grave dhe vajzave në zonat rurale. Çmimi vlerëson gra që, përmes punës, përkushtimit dhe guximit të tyre, kanë sjellë ndryshim pozitiv dhe të qëndrueshëm në komunitetet ku jetojnë dhe punojnë.

Flutura Begu ushtron veprimtarinë e saj prej vitit 2005 në fshatin Vakuf, pjesë e njësisë administrative Kastriot, si agro-përpunuese e produkteve tradicionale. E njohur gjerësisht në Dibër dhe më gjerë, ajo ka kthyer një traditë mbi 100-vjeçare, të trashëguar nga gjyshet e saj, në një model të suksesshëm të sipërmarrjes familjare. Sot, “Jufka Dibre” dhe një gamë e gjerë gatimesh tradicionale të prodhuara prej saj, si trahana, komposto, shurupe, reçelra, bakllava, sheqerpare dhe produkte të tjera, janë bërë simbol i shijes autentike dhe cilësisë artizanale.

Në Peshkopi, mjafton të përmendet emri i saj për të dëgjuar të njëjtin përshkrim: një grua punëtore dhe e guximshme, që rreth 20 vite më parë vendosi të besojë tek vetja dhe tek ajo që dinte të bënte më mirë. Flutura nuk ndërtoi thjesht një aktivitet ekonomik; ajo krijoi një model frymëzues për gratë e tjera nga zonat rurale, duke thyer tabutë e daljes së gruas ne treg, e duke treguar se tradita, kur ruhet me dashuri dhe përkushtim, mund të bëhet forcë zhvillimi.

Fitimi i Çmimit “Liljana Isakaj” për Fluturën është më shumë se një vlerësim. “Është një nder i madh për mua, por edhe një sfidë dhe një motivim për të punuar edhe më shumë, ashtu siç ishte vetë Liljana, një grua shumë punëtore” shprehet ajo. Në këtë vlerësim, Flutura sheh edhe përgjegjësinë për të vazhduar rrugën e hapur nga gra që kanë kontribuar për fuqizimin e komuniteteve rurale.

Në punën e saj të përditshme, ajo është udhëhequr nga një parim i thjeshtë, por i fortë: I kam ushqyer klientët me gatimet që kam ushqyer edhe fëmijët e mi. Thjeshtësia dhe korrektësia ndaj klientëve kanë qenë shtylla e suksesit të saj dhe arsyeja pse produktet e Fluturës kanë fituar besimin e konsumatorëve.

Rrugëtimi nuk ka qenë i lehtë. Mentaliteti, konkurrenca dhe vështirësitë e tregut kanë qenë të pranishme, por Flutura ka zgjedhur t’u përballet duke përmirësuar çdo ditë punën e saj. Për ata që duan të ndjekin hapat e saj, Flutura ka një mesazh të qartë dhe të sinqertë: vetëbesim, guxim, vendosmëri dhe përkushtim. Suksesi është i arritshëm, nëse beson tek ajo që bën dhe nuk dorëzohesh thotë ajo.

Planet për të ardhmen mbeten të lidhura ngushtë me atë që e ka sjellë deri këtu: përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë dhe kënaqësinë e klientëve, sepse, siç shprehet vetë, vlerësimi më i madh vjen nga njerëzit që zgjedhin çdo ditë produktet e saj.

Historia e Flutura Begut është historia e shumë grave rurale shqiptare që, me punë të ndershme dhe dashuri për traditën, ndërtojnë zhvillim dhe shpresë në komunitetet e tyre. Në këtë frymë, Çmimi “Liljana Isakaj” vazhdon të nderojë gra që, si Flutura, e kthejnë trashëgiminë në lidership dhe ndryshim pozitiv.

***
Liljana u largua parakohe nga kjo botë, por la pas një trashëgimi të fuqishme, duke frymëzuar shumë të tjerë që ndjekin hapat e saj. Një prej tyre është Flutura, e cila çdo ditë punon me përkushtim për të siguruar një të ardhme më të mirë dhe më të drejtë për gratë në zonat rurale. Si Flutura, shumë individë të tjerë në çdo cep të Shqipërisë ndajnë këtë mision të përbashkët. Për të vlerësuar dhe nxitur përpjekjet e tyre, Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural dhe Adad Malore, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, kanë krijuar çmimin “Liljana Isakaj” Për Lidership në Fuqizimin e Grave të Zonave Rurale.

Ky çmim synon të vlerësojë individë që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në përmirësimin e jetës së grave rurale. Përtej vlerësimit, nisma ka për qëllim të krijojë një trashëgimi të qëndrueshme që nxit zhvillimin dhe progresin në komunitetet rurale të Shqipërisë. Duke identifikuar dhe mbështetur liderët e ndryshimit në zhvillimin e qëndrueshëm rural, çmimi kontribuon në ndërtimin e një rrjeti të fuqishëm të individëve që përforcojnë dhe zgjasin ndikimin e tyre në nivel kombëtar dhe lokal.