QËNDRIM I RRJETIT SHQIPTAR PËR ZHVILLIMIN RURAL
Mbi turin e dëgjesave me fermerët për përgatitjen e Skemës Kombëtare 2026
Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural, një rrjet i afro 40 organizatave të shoqërisë civile, i angazhuar në advokacinë me pjesëmarrje për politika bujqësore dhe rurale gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme si dhe të bazuara në nevojat reale të territorit, shpreh qëndrimin zyrtar mbi turin e dëgjesave me fermerët të organizuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në të 12 qarqet e vendit, në kuadër të përgatitjes së Skemës Kombëtare 2026.
ANRD e vlerëson këtë nismë si një hap pozitiv dhe të rëndësishëm drejt forcimit të dialogut institucional me fermerët dhe vendosjes së tyre në qendër të politikëbërjes të sektorit. Në përfundim të turit të dëgjesave, ANRD vlerëson angazhimin e Ministrit, Z. Salla dhe të kabinetit të tij në këtë konsultim me fermerët dhe sinjalizimin se sugjerimet e mbledhura do të reflektohen në Skemën Kombëtare 2026. Qëllimi i kësaj sipërmarrje, i bërë publik nga MBZHR, përfaqëson qasjen që përputhet me parimet e zhvillimit të udhëhequr nga komuniteteti dhe rekomandimet e vazhdueshme të ANRD të shprehura në: Letrën e Pozicionimit mbi Qeverisjen e Bujqësisë dhe Zhvillimit Ruralal (2019), Deklaratën e Parlamentit të dytë rural shqiptar (2021) dhe të Parlamentit të tretë Rural Shqiptar (2023).
Dokumentet e mësipërme, të hartuara me kontributin e më shumë se 500 pjesëmarrësve në terren dhe parlamentet rurale, theksojnë se skemat kombëtare të mbështetjes së bujqësisë dhe zhvillimit rural janë instrumente kyçe për zhvillimin e qëndrueshëm dhe koheziv të komuniteteve rurale. ANRD rithekson se institucionalizimi i hartimit të skemës kombëtare me pjesëmarrjen e fermerëve dhe grupeve të tjera të interesit, përmes rregullave dhe procedurave të qarta për njoftimin dhe konsultimin publik, është një domosdoshmëri dhe duhet të kthehet në praktikë të rregullt institucionale.
Në këtë kuadër, ANRD risjell në vëmendje rekomandimin për rritjen e mbështetjes buxhetore për sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural, në mënyrë që Skema Kombëtare të mbështesë të gjithë fermerët që plotësojnë kriteret, pa baza konkurruese. Skema duhet të ristrukturohet gradualisht duke aplikuar efektin e ekualizimit të fondeve publike, përmes diferencimit të masave dhe fondeve sipas rajoneve, me qëllim nxitjen e zhvillimit koheziv dhe të balancuar të komuniteteve vendore dhe reduktimin e pabarazive territoriale.
Një element i rëndësishëm për efektivitetin dhe besueshmërinë e politikave mbështetëse është qëndrueshmëria e tyre në kohë. Ndryshimet e shpeshta ose vjetore të masave mbështetëse nuk orientojnë dhe nuk ofrojnë siguri për fermerët dhe aktorët e tjerë të zhvillimit rural. Për këtë arsye, ANRD rekomandon që Skema Kombëtare të jetë e qëndrueshme, me masa mbështetëse të pandryshueshme për një periudhë 3-5 vjeçare, të bazuara në studime, analiza territoriale dhe procese konsultuese me pjesëmarrje reale.
ANRD thekson nevojën që Skema të hartohet gradualisht mbi baza dhe masa të ngjashme me ato të Politikës së Përbashkët Bujqësore të BE-së duke synuar afrimin me instrumentet e mbështetjes, kritereve të përfitimit dhe mekanizmave të zbatimit me standardet evropiane. Kjo qasje do të përmirësonte parashikueshmërisë për fermerët dhe përgatitjen e tyre për integrimin në tregun evropian.
Ngjashëm si mesazhi i Ministrit Z. Salla, edhe ANRD beson se politikat e qëndrueshme ndërtohen në terren, bashkë me ata që punojnë tokën. Në këtë frymë, ne e konsiderojmë turin e dëgjesave me fermerët si një praktikë që jo vetëm duhet të vijojë, por të institucionalizohet si standard i hartimit të politikave bujqësore dhe rurale në vend, duke garantuar që zëri i fermerëve të jetë pjesë përbërëse dhe e vazhdueshme e vendimmarrjes publike.