Malësia e Madhe përfaqëson një nga territoret më të rëndësishme në Shqipëri për prodhimin, përpunimin dhe eksportin e Bimëve Mjekësore dhe Aromatike (BMA), një sektor me potencial të lartë për krijimin e vendeve të punës, gjenerimin e të ardhurave dhe zhvillimin e qëndrueshëm rural. Megjithatë, pavarësisht rolit të rëndësishëm që gratë luajnë në këtë sektor, pjesëmarrja e tyre mbetet e kufizuar kryesisht në segmentet me vlerë më të ulët të zinxhirit të prodhimit, ndërsa mundësitë për zhvillimin e aktiviteteve ekonomike të qëndrueshme dhe fitimprurëse vazhdojnë të jenë të kufizuara.

Për t’iu përgjigjur kësaj sfide, Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD) dhe VIS Albania po që prej shkurtit 2026 zbatojnë projektin Mbështetje për fuqizimin e grave përmes prodhimit të qëndrueshëm të Bimëve Mjekësore dhe Aromatike në Malësi e Madhe, me mbështetjen e UN Women, në kuadër të programit Empowering Women for Rural Development in Northern Albania, financuar nga Qeveria Italiane përmes Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS). Projekti do të zbatohet për periudhën shkurt 2026 – korrik 2027.

Projekti synon të kontribuojë në fuqizimin ekonomik të grave rurale dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre në sektorin e BMA-ve, përmes zhvillimit të kapaciteteve, përmirësimit të aksesit në njohuri teknike dhe sipërmarrëse, si dhe krijimit të mundësive për rritjen e të ardhurave dhe përfshirjen më aktive në zinxhirin e vlerës së sektorit.

Ndërhyrja synon të mbështesë gratë jo vetëm si punëtore në sektor, por si prodhuese, sipërmarrëse dhe aktore të zhvillimit ekonomik lokal. Projekti do të punojë drejtpërdrejt me gratë e angazhuara në kultivimin, mbledhjen dhe përpunimin e BMA-ve në Bashkinë Malësi e Madhe, duke ofruar mbështetje të integruar që kombinon analizën e nevojave, ngritjen e kapaciteteve, asistencën teknike dhe planifikimin ekonomik. Projekti parashikon një paketë të integruar aktivitetesh që ndërtohen mbi nevojat reale të grave dhe potencialin e territorit duke përfshirë, studimin bazë dhe vlerësimin e nevojave të grave të angazhuara në sektorin e BMA-ve; mobilizimin e komunitetit dhe identifikimin e grave përfituese; trajnime mbi administrimin, menaxhimin financiar dhe sipërmarrjen; asistencë individuale për zhvillimin e planeve të biznesit dhe vlerësimin e rentabilitetit të aktiviteteve ekonomike; asistencë teknike agronomike për kultivimin dhe menaxhimin e qëndrueshëm të BMA-ve; vizita studimore dhe shkëmbim përvojash me aktorë të suksesshëm të sektorit, etj.

Përfituesit kryesorë të projektit janë gratë e Bashkisë Malësi e Madhe të angazhuara ose të interesuara për t’u angazhuar në kultivimin, mbledhjen dhe përpunimin e Bimëve Mjekësore dhe Aromatike. Vëmendje e veçantë i kushtohet grave fermere, grave me mundësi të kufizuara ekonomike, grave kryefamiljare dhe atyre që kanë potencial për të zhvilluar aktivitete ekonomike të qëndrueshme në sektor.

Projekti synon të krijojë një model të qëndrueshëm të fuqizimit ekonomik të grave në sektorin e BMA-ve, duke kontribuar në:

  • Rritjen e të ardhurave dhe përmirësimin e mirëqenies ekonomike të grave rurale;
  • Forcimin e rolit të grave në zinxhirin e vlerës së BMA-ve;
  • Përmirësimin e kapaciteteve teknike dhe sipërmarrëse të grave përfituese;
  • Rritjen e produktivitetit dhe cilësisë së prodhimit;
  • Krijimin e lidhjeve më të forta me tregun dhe mundësitë e financimit.