Njerëzit tanë
Njerëzit tanë
Njihuni me njerëzit tanë që janë burimi më i mirë i Rrjetit Shqiptar për Zhvillim Rural – ANRD
Roland BARDHI
Rolandi ka një përvojë pune mbi 25 vjeçare dhe ekspertizë të spikatur në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm rural, me fokus zonat e margjinalizuara, komunitetet e varfëra dhe malore të vendit. Projekti i Bankës Botërore dhe IFAD (Fondit Ndërkombëtar për Zhvillimin e Bujqësisë) i fokusuar në reduktimin e varfërisë në zonën verilindore të vendit (Kukës, Tropojë, Has dhe Dibër) në 1995 shënon një nga përvojat e para të punës për Rolandin që ende vazhdojnë deri më sot me projekte të tjera zhvillimi në sektorin bujqësor dhe rural.
Përkushtimi ndaj punës zhvillimore në komunitet rurale i hapi horizonte të reja për t’u përfshirë në ekipin e Agjensisë së Zhvillimit të Zonave Malore, institucion lider në mbështetje të zhvillimit rural të 21 rretheve malore të vendit. Përvoja e punës në këtë institucion i dha mundësi Rolandit të njohë nga afër dhe mirë realitetet rurale të Shqipërisë, njerëzit dhe komunitetet, shqetësimet e tyre të tashme dhe shpresat për të ardhmen. Përvoja shumëvjecare në projekte të rëndësishme të reduktimit të varfërisë rurale dhe zhvillimit të qëndrueshëm social-ekonomik të komuniteteve malore i dhanë mundësi Rolandit të krijojë një rrjet të gjerë bashkëpunimi dhe në të njëjtën kohë konsolidimin e ekspertizës së tij në çështje të rëndësishme të zhvillimit bujqësor dhe rural të tilla si: planifikimi i investimeve strategjike në bujqësi, analiza dhe studime në lidhje me zinxhirin furnizues për produktet bujqësore dhe blegtorale, planet e zhvillimit vendor të komunave dhe bashkive, hartimi dhe zbatimi i mekanizmave financiarë në bujqësi (Skemat e Garancisë të Kredisë në bujqësi), ruajtja e biodiversitetit të lidhur me zhvillimin e markave cilësore (tregues gjeografikë) për disa produkte tradicionale bujqësore, e shumë të tjera.
Ndër shumë kontributeve të Rolandit, nuk mund të lihet jashtë vëmendjes kontributi i dhënë në krijimin e Rrjetit Kombëtar për Zhvillimin Rural. Rolandi ka qenë ndër nismëtarët dhe themeluesit ANRD dhe aktualisht, ai kontribuon me ekspertizën e tij në nismat advokuese dhe të ndërtimit të kapaciteteve që ANRD ka ndërmarë për mirëqënien e komuniteteve rurale. Pavarësisht përvojës unike dhe ekspertizës së gjerë që Rolandi ka ndërtuar, pasioni i tij më i madh mbeten zhvillimi i produkteve unike tradicionale dhe çertifikimi i tyre, platforma CLLD, Qasja LEADER si dhe mbështetja e fermerëve të vegjël dhe fermave familjare. Zhvillimi i qëndrueshëm i Zonave Malore dhe sfidat për reduktimin e varfërisë së këtyre zonave përmes politikave dhe mekanizmave mbështetës janë çështje të mëdha kombëtare për të cilat Rolandi do të vazhdojë të kontribuojë duke ndarë përvojën e tij në të ardhmen.
Ruajtja e biodiversiteti dhe çertifikimi i produkteve me tregues gjeografik përbëjnë përvojat profesionale më të veçanta, që Rolandi i ka më shumë për zemër. Në bashkëpunim me partnerët francezë të Agjensisë Franceze të Zhvillimit dhe Institutin Agronomik Mesdhetar të Montpeliesë, Rolandi dhe ekipi i tij kanë arritur të ndërtojnë me përkushtim modelin e parë në Shqipëri për produktet e boronicës, gështenjës, mjaltit të gështenjës dhe mishit të kecave të Hasit. Puna e palodhur dhe kontributi cilësor që Rolandi i ka dhënë zhvillimit bujqësor dhe rural janë mbështetur edhe nga puna dhe angazhimi akademik në ekonomi dhe politika bujqësore, përmes studimeve Master dhe Doktoraturë. Përkushtimi, përvoja e gjatë dhe e konsoliduar, përgatitja akademike dhe shumë cilësi të tjera, e bëjnë Rolandin një koleg, bashkëpunëtor dhe mentor të shkëlqyer për të planifikuar dhe zbatuar nisma që adresojnë sfidat dhe nevojat e komuniteteve rurale anembanë vendit.
Simo RIBAJ
Njeriu i detit dhe i malit, njeriu i apasionuar pas natyrës Simo Ribaj siç njihet nga shokët, miqtë dhe bashkëpunëtoret, ka lindur në Vranisht të Vlorës në dimër të vitit 1967.
I rritur në mes të maleve, gjelbërimit dhe ajrit të pastër, si edhe mes ushqimeve bio, i shkolluar për Biologji në Universitetin e Tiranës, ka bërë që dashuria për natyrën dhe pasioni për eksplorimin e saj te rritej cdo ditë e më tepër tek ai.
Pasionin për natyrën perpiqet që ti trasmentojë edhe tek brezat e rinj, nëpërmjet punës se tij si profesor i Biologjisë jo vetëm në auditor e laborator por edhe në natyrë, nëpërmjet qindra aktiviteteve që realizon me të rinjtë natyralist në det, pyll, mal, lagunë, lumë e kudo ku natyra gjendet.
Dashurinë për natyrën ai e tregon edhe me punën e tij si drejtues në Qëndrën “Vizioni i Gjelbër” përmes iniciativave dhe projekteve që zbaton ku, në fokus të të cilave qëndron zhvillimi i qëndrueshëm që ka në thelb ruajtjen e natyrës.
Krahina e Lumit të Vlorës e njeh Simon si birin e saj, që përpiqet fort për të zhvilluar zonën me idetë inovatore të tij ashtu si zonat rurale të zhvilluara të vendeve të Europës dhe me angazhimet konkrete për mbrojtjen e pasurive natyrore.
Benito PRENDI
gazetari që braktisi ëndrrat e fëmijërisë për t’ju përkushtuar Zhvillimit Rural
Quhem Benito Prendi. Kam mbaruar masterin shkencor për Shkenca të Komunikimit, dega Gazetari Ndërkombëtare në Fakultetin e Filologjisë, Universitetin e Tiranës në vitin 2012. Kam marë pjesë në trajnime të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare që lidhen me zhvillimin rural dhe jo vetëm.
Si pjesa e madhe e fëmijëve, ëndrra ime ishte që një ditë të bëhesha një futbollist i talentuar. Gjërat nisën mbarë dhe në moshën 17-vjeçare bëhem pjesë e skuadrës ADA e Velipojës në kategorinë e dytë të kampionatit shqiptar. Dëmtimet e njëpasnjëshme ndërprenë ëndrrën time të fëmijërisë akoma pa filluar mirë. I dashuruar tmerrësisht me futbollin, kërkoja medoemos që kontaktet me sportin t’i mbaja të gjalla. Pikërisht për këtë arsye zgjodha të studioja për gazetari, me qëllimin e vetëm që sporti të ishte kryefjala e jetës time.
Me përfundimin e studimeve në vitin 2012 nisa menjëherë punën si gazetar sportiv në RTV Ora News. Më kujtohet si tani java e parë e praktikës, kur dilja në terren me gazetarët e politikës dhe sociales. Kthehesha në redaksi, nuk bëja lajmin për të cilin isha në terren por kërkoja dhe gjeja një lajm sportiv, vetëm e vetëm që t’i bija në sy drejtorit të programacionit, për t’i bërë të ditur se ndodhesha për të bërë gazetari sportive. Falë këmbënguljes dhe pasionit ja arrita qëllimit, fillova te redaksia e sportit ku qëndrova për më shumë se një vit dhe pata një përvojë pune të paharrueshme.
Pavarësisht punës që bëja, kontaktet me vendlindjen ishin aq të shpeshta dhe të forta, sa një ditë më rrëmbyen dhe më rikthyen aty ku kisha hedhur hapat e parë të fëmijërisë time. Me idenë se një ditë do të kontribuoja sadopak për vendlindjen, u riktheva dhe nisa punë fillimisht si animator dhe menaxhues i një biblioteke për fëmijë dhe të rinjtë në një nga institucionet religjioze të zonës. Gjatë kësaj kohe pata fatin të njihem me dëshirën, pasionin e fëmijëve dhe të rinjve për librat dhe të lexuarit. Por ajo që më preku, ishte pamundësia e familjeve të tyre për t’u blerë apo siguruar libra jashtëshkollorë. I ndodhur përballë këtij realiteti të trishtë, isha gjithmonë në kërkim të mundësive për të kontribuar sadopak në përmirësimin e jetesës së familjeve në këto zona.
Në pranverën e vitit 2017 bie në kontakt të rastësishëm me shoqatën Volontari nel Mondo RTM. Pasi u njoha me qëllimet dhe vizionin e kësaj shoqate, vendosa pa hezitim të bëhesha pjesë e saj, sepse ato përputheshin me qëllimet e rikthimit tim. Puna në vitet e para ishte e lodhshme por të jepte një kënaqësi të veçantë kur takoja në fshatrat e veriut të Shqipërisë njerëz bujar, stoik dhe ruajtës të kulturës dhe traditave lokale.
Rreth tre vite u angazhova në rolin e Oficerit të Projektit në zbatimin e projektit Aleanca për Zhvillimin dhe Vlerësimin e Bujqësisë Familjare në Veri të Shqipërisë financuar nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim dhe zbatuar nga Volontari nel Mondo RTM. U mora kryesisht me menaxhimin e granteve për përmirësimin e bizneseve familjare në bashkitë e Vau të Dejës, Pukës dhe Fushë-Arrëzit. Pata fatin e mirë të njihja nga afër realitetin e trishtë të këtyre zonave rurale, që veç sfidave të shumta të ofrojnë mikpritje dhe një panoramë natyrore për t’u admiruar. Fryt i punës së susksesshme në këto vite ishin padyshim mbështetja dhe zhvillimi i biznesit të vogël familjar, krijimi i disa manualeve praktike rreth mbarështimit dhe administrimit të kullotave, si dhe krijimi i markës gjeografike “Shija e Veriut”, e cila promovon jo vetëm produktet e zonave në bashkitë më sipër por edhe kulturën, traditat dhe bukuritë natyrore të këtyre trevave.
Impenjimi i radhës është zbatimi i një tjetër projekti tre-vjeçar i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i titulluar “Rural You”. Duke qenë se ky projekt u dedikohet tërësisht të rinjve rural, ideja është që t’u japim mundësi atyre të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vendin e lindjes, gjë për të cilën unë vetë personalisht braktisa kryeqytetin.
Altin MESHINI
Altin Meshini, ka lindur në Këlcyrë më 09.07.1972 dhe sot është Koordinadori i Shoqatës Pro Përmet.
Si gjithë moshatarët e tij, në moshë të re, i detyruar nga kushtet ekonomike, emigroi në Greqi duke bërë punë të ndryshme për të siguruar të ardhura për familjen. Në këtë kohë i ati, duke qënë se para viteve 90 kishte punuar si baxhoxhi, krijoi në ambjentin e një bunkeri italian të luftës së dytë botërore, një punishte të vogël qumështi. Altini, pasi punoi dy vjet në emigracion u kthye dhe së bashku me të atin, filloi përpunimin e qumështit të cilin e grumbullonte nga blegtorët e zonës.
Shkathtësia dhe vullneti për punë, bënë që ai shumë shpejt të përvetësojë zanatin e baxhoxhiut duke e çuar përpara punishten e qumështit edhe pasi i ati largohet nga jeta. Sot, baxho Meshini (Bunkeri), përfaqëson njërën nga punishtet më cilësore të trevës së Përmetit.
Vizioni dhe dëshira e tij për të promovuar zonën e Përmetit, bënë që ai të angazhohet edhe në nivel komuniteti, ku së bashku me 14 subjekte të tjera familjare, të themelojnë Shoqatën “Pro Përmet” në vitin 2009. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, ai vijon të rrisë aftësitë individuale duke ndjekur studimet e larta pranë Universitetit “Eqerem Çabej” dhe diplomohet në degën Administrim Biznes.
Në vitin 2016, falë aftësive të tij dhe përfshirjes aktive si anëtar, ai zgjidhet Koordinatori Kombëtar dhe Pëfaqësuesi Ligjor i Shoqatës. Gjatë kësaj kohe ka punuar me përkushtim për ta kthyer shoqatën “Pro Përmet” në një nga aktorët kryesor jo vetëm të rajonit por në të gjithë vendin. “Pro Përmet” është anëtar themelues i Rrjetit Shqiptar pёr Zhvillimin Rural (ANRD) dhe jep kontributin e tij në zhvillimin dhe fuqizimin e komuniteteve vendore.
Si rrjedhojë e këtij angazhimi konstant në vite, shoqata “Pro Përmet” duke bashkëpunuar ngushtësisht me organizatën Cesvi, Kooperacionin Italian, Ministrinë e Bujqësisë, Bashkinë Përmet dhe Agjensinë e Zhvillimit Bujqësor Rajonal, bëri të mundur ndërtimin e Inkubatorit të parë në vend për prodhimin e produkteve tipike lokale. E ndërtuar në një zonë turistike, Inkubatori është ndihmë dhe mbështetje jo vetëm për anëtarët e shoqatës por edhe për fermerët e zonës të cilët mund të prodhojnë raki të llojeve të ndryshme ose të përdorin impjantin për tharrjen e fruta/perimeve dhe bimëve mjekësore.
Angazhimi në komunitet i Altinit, është i spikatur edhe brenda Lëvizjes Slow Food Përmet ku së bashku me 67 anëtarë të tjerë, ka marrë pjesë në aktivitete të ndryshme si panaire brenda dhe jashtë vendit, takime informuese dhe sensibilizuese, trajnime dhe tavolina të rrumbullakta, organizime eventesh si Dita e Verës, hapja e sezonit turistik etj. duke promovuar ushqimin e ngadaltë, të shëndetshëm dhe në respekt të natyrës; duke mbështetur ruajtjen e produkteve dhe gatesave tipike lokale; duke ndikuar në rritjen e numrit të vizitorëve dhe turistëve vendas dhe të huaj dhe duke e kthyer trevën e Përmetit në një nga destinacionet kryesore në jug të Shqipërisë.
Altin Meshini është një sipërmarrës familjar i suksesshëm, i cili e ka kthyer punishten e tij në një pikë referimi për vizitorët vendas dhe të huaj. Aty mund të siguroni jo vetëm produktet e tij por edhe produktet e anëtarëve të “Pro Përmet”, si dhe mund të degustoni prodhimet tipike nën shoqërinë e një gote rakie sipas traditës. Ai, me punishten e tij, është një vitrinë e promovimit të territorit dhe shpritit mikpritës që karakterizon trevën e Përmetit, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e qëndrueshëm të kësaj zone.
Enver ISUFI
Si puna reflektohet në qëndrimin e njeriut! Ndërsa ka kaluar 44 vjet si agronom nё fshat, kjo autobiografi e Prof. Isufit fillon me 3 vitet kur ka punuar nё ish kooperativën e Kryevidhit. Një nga arritjet që ndan me krenari ёshtё «Organizimi i mbrojtjes sё bimëve nё bazё tё vrojtim sinjalizimit», sistem qё u pёrhap nё tё gjithё Shqipёrinё. Mё pas pёr 21 vite me radhё, profesori iu pёrkushtua punёs nё Institutin e Mbrojtjes sё Bimёve, Durrёs ku themeloi Sektorin e mbrojtjes sё integruar tё bimёve. Si pjesёtar i Lёvizjes sё Bujqёsisё Biologjike pёr mё shumё se 20 vjet, Prof. Isufi themeloi shoqatёn e Bujqёsisё Biologjike «BioAdria» dhe Institutin e Bujqёsisё Biologjike (IBB), organizatë anёtare e ANRD qё prej vitit 2017.
«Tё gjitha kёto veprimari kanё qenё nё funksion tё zhvillimit tё bujqёsisё dhe tё qytetёrimit tё fshatit (ajo qё quhet zhvillim rural)» rrёfen me pasion profesori. Ai kujton sesi nё bashkёpunim me shoqatёn COSPE tё drejtuar nga zj Rozeta Mihali kanë zbatuar projektin mbi bujqёsinё biologjike nё zonёn e Zadrimёs. Me synimin e mbёshtetjes sё agroturizmit me produkte tё çertifikuara u krijua njё grup fermerёsh, tё cilёt aktualisht po zbatojnë standarde tё bujqёsisё biologjike. Fermat e tyre furnizojnё me produkte fermën e njohur agro-turistike “Mrizi i Zanave”. IBB ofron kёshillime, trajnime dhe botime nё mbёshtetje tё praktikave tё mira bujqёsore nё bujqёsinё biologjike.
Profesori gjithashtu promovon dhe mbështet edukimin e tё rinjve me konceptet e bujqёsisё biologjike. Ai tregon pёr bashkёpunime të suksesshme me shoqatat anëtare në ANRD, si për shembull me shoqatën RASP nё njё projekt me fokus krijimin e moduleve pёr prodhimin biologjik nё rajonin e Ballkanit, tё cilat pёrdoren nga tё rinjtё e Ballkanit qё i janё dedikuar bujqёsisё biologjike. Marketingu territorial është një tjetër kontribut i Prof.Isufit. Dashuria dhe pasioni pёr rajonin e Durrёsit e nxit vazhdimisht të promovojë burimet dhe prodhimet e zonёs. Nё tetor tё 2020-tës pas njё pune tё palodhur tё Prof.Isufit me shoqatёn e Zhvillimit Rural tё Ishmit Durrёs, u çel panairi i produkteve bujqёsore tё zonёs, kulinarisё tradicionale dhe prodhimeve artizanale dhe artistike. IBB ndihmoi në organizimin e panairit vecanërisht në evidentimin dhe etiketimin e produkteve dhe promovimin e tyre etj.
Në vitet e fundit Prof.Isufi jep kontributin e tij aktiv në Rrjetin Shqiptar pёr Zhvillimin Rural në unifikimin e interesave dhe prioriteteve të komuniteteve vendore.
Nё kёtё fund vit Rrjeti i uron nga zemra shёndet dhe mendje tё kthjellёt pёr tё vazhduar t’i japё bujqёsisё biologjike dhe zhvillimit rural nё Shqipёri kontributin e tij të çmuar.
Rozeta GRADECI
Një grua e dashuruar me Veriun e Shqipërisë! Kur e shikon Rozetën, të bije në sy portreti i saj i qeshur dhe dinamizmi që i buron ngado. Ajo punon me përkushtim dhe prej më shumë se 20 vitesh me Shoqatën Italiane COSPE – Bashkëpunimi për Zhvillimin e Vendeve në Emergjencë, e cila kontribuon në zhvillimin e territoreve rurale të Veriut të Shqipërisë nga Fusha e Zadrimës deri në Bashkinë e Vaut të Dejës, Shkodrës, Fushë Arrëzit, Pukës, Lezhës etj. E lindur në Tiranë, është diplomuar për Shkenca Natyrore në Universitetin e Tiranës duke u specializuar më pas brenda dhe jashtë vendit për zhvillimin e qendrueshëm të komuniteteve dhe menaxhimin e projekteve ndërkombëtare.
Puna e gjatë dhe e pasionuar në zbatimin konkret të projekteve në zonat rurale ka bërë që Rozeta të njohë nga afër dhe të jetë e lidhur me gjithë zinxhirin e zhvillimit ekonomik e social të këtyre zonave duke filluar nga planifikimi ndërkomunal i politikave rajonale dhe strategjive lokale, forcimi i kapaciteteve për institucionet publike dhe ato të edukimit profesional bujqësor, nxitja e bujqësisë organike dhe format e organizuara të saj, modelet e turizmit rural si dhe mbështetjen e grave dhe të rinjve fermerë që merren me bujqësi.
Ndërkaq, në këtë mori impenjimesh, pasioni i saj i madh mbetet Banka Lokale Gjenetike e Komunitetit, ngritur pranë Shkollës së Mesme Profesione “Ndre Mjeda” Bushat, Shkodër, e para e këtij lloji në Shqipëri, në të cilën është krijuar inventari i rreth 160 varieteve autoktone të perimeve, fasuleve, drithrave me qëllim ruajtjen, prodhimin dhe shpërndarjen e tyre për fermerët përreth, duke kontribuar në ruajtjen e biodiversitetit dhe të traditës lokale – një pasuri e paçmueshme shpirtërore dhe materiale për brezat e ardhshëm.
Rozeta flet me dashuri për territoret rurale të Veriut të Shqipërisë ku punon: “ Ato janë shumë të pasura në zakone, histori, në modele komunikimi që respektojnë njeriun e punës dhe ndihmojnë e shkëmbejnë me njeri-tjetrin. Këto zona ruajnë traditat e njohuritë e të parëve për punimet në bujqësi, ndjekin ciklin e hënës për krasitjet, mbjelljet apo edhe punime të tjera, ruajnë farat e tyre autoktone duke kontribuar kështu në diversitetin e prodhimeve dhe të trashëgimisë lokale të varieteteve të ndryshme”.
Sfida e saj për vitet që vijnë, është të kontribuojë që këto komunitete rurale të përfaqësohen, të mbështeten, të kenë zërin e tyre në institucionet lokale, si dhe të bëhen gjithmonë e më të ndërgjegjshmë për rolin e fuqishëm që kanë për zhvillimin e zonave të tyre.
Viola BOGDANI
Viola Bogdani është e angazhuar në Dorcas Aid International Shqipëri që prej vitit 2008, dhe aktualisht është Menaxhere Programi. Viola ka kryer studimet e larta për Gjuhe Angleze dhe më pas ka kryer studimet Master në “Lidership dhe Menaxhim Burimesh Njerëzore”. Dorcas është një organizatë ndërkombëtare që operon në Shqipëri që në fillim të viteve ’90 dhe zhvillon aktivitetin e vet në qytetin e Korçës, Elbasan dhe Tropojë. Ndër të tjera, organizata është e përfshirë në zhvillimin rural, fuqizimin dhe mobilizimin e fermerëve dhe komuniteteve vendore.
Përfshirja e Violës në zhvillimin rural ka qenë në kuadër të angazhimit të saj në të tre nivelet vendore, rajonale dhe ndërkombëtare. Viola ka qenë aktive dhe ka kontribuar në përgatitjen e planit strategjik për zhvillimin rural të zonës së Prespës së Vogël si dhe në zbatimin e nismave dhe aktiviteteve të tjera në zonë që prej vitit 2011. Viola ka punuar vullnetarisht në mbështetje të projektit ndërkufitar Shqipëri- Maqedoni e Veriut “SWG RRD”. Në këtë kuadër, Viola ka kryesuar dhe mbajtur presidencën e grupit të aktorëve Shqipëri-Maqedoni në periudhën 2014 -2018. Viola ka kontribute të veçanta edhe në ANRD që prej vitit 2017. Ajo ka përfaqësuar ANRD në Gender Equality Hub, një strukturë jo-formale për të fuqizimin e perspektivws gjinor nw zhvillimin rural në nivel ballkanik që prej vitit 2018. Viola përfaqëson një ndër pesë trajnerët e parë të çertifikuar në Shqipëri për qasjen “LEADER”. Ajo shprehet se, nëse komunitetet tona vendore do e përqafojnë qasjen LEADER si komponent të zhvillimit rural në Shqipëri, ato do të gjallërohen dhe zhvillohen si ekonomikisht ashtu edhe në aktivizimin, rritjen e kapaciteteve të komuniteteve lokale dhe marrjen në dorë të zhvillimit të vetë rajonit të tyre. Viola beson shumë në forcën e bashkëpunimit të aktorëve të ndryshëm në komunitet dhe mendon se ndryshimi i vërtetë mund të vijë vetëm në këtë formë.
Tatjana DISHNICA
Tatjana ka një lidhje të veçantë me zonat rurale, gati gati gjatë gjithë jetës së saj. Rrugëtimi profesional e ka lidhur Atë, me zonat rurale në mënyra të ndryshme. Fillimisht si studente në Institutin e Lartë Bujqësor, më pas si agronome në prodhim ku ka punuar për 13 vite në zonat rurale të Beratit, në te cilat ajo, krahas detyrës, filloi punën me eksperimentime, për mbrojtjen e disertacionit. Kjo periudhë, e njohu Tatjanën me njerëz të zotë, gra të mrekullueshme, që ishin përherë me buzë në gaz, pavarësisht jetës së vështirë dhe lodhjes në punët bujqësore. Si drejtuese e instituteve kërkimore të bujqësisë dhe shërbimit të ekstensionit për gjatë 20 viteve, duke kontribuar në shumë drejtime. Ky angazhim i gjatë, e ka lidhur Tatjanën me qindra kërkues dhe ekstensionistë të zonave rurale nga gjithë vendi. Tatjana, ka disa vite që është rikthyer në Universitetin Bujqësor si pedagoge, angazhim, që e ka ripërtëritur profesionalisht në mesin e agronomëve apo ekonomistëve të ardhshëm. Përgjatë angazhimit të saj profesional dinamik dhe të admirueshëm, Tatjana është përfshirë në bashkëpunime shumta me ekspertë vendas dhe të huaj, në trajnime, antarësime, botime, referime në konferenca, brenda dhe jashtë vendit etj, të gjitha në fushën e bujqësisë.
Së fundmi, Tatjana jep një kontribut të rëndësishëm edhe në shoqërinë civile. Ajo drejton një organizatë në mbështetje të grave në zonat rurale, e cila është edhe anëtare e ANRD.
Lidhja me bujqësinë, me bimët do të jetë e gjatë, sepse Tatjana kujdeset edhe për pemët e lulet e kopshtit të shtëpisë së fëmijërisë së saj.
Një jetë aktive, afro 45 vjet në shërbim të zhvillimit të zonave rurale, të cilat kontribuojnë aq shumë për këtë vend dhe vlerësohen aq pak. Sipas saj “askush deri tani, nuk po arrin të gjejë çelësin e vërtetë të një “ngërci” të tillë, për këtë fushë të rëndësishme të ekonomisë, që është e bekuar nga vet pozicioni gjeografik i vendit tonë”.
Petrit IMERAJ
President i Shoqatës “Aleanca e Alpeve Shqiptare”. Petriti është drejtues projektesh, konferencash, trajnimesh, forumesh, lektor etj. Ai, u vetë-përpoq të krijonte “një pikturë domethënëse për Alpet e Shqipërisë së Veriut”. Guidë profesionale, e licensuar për ekoturizëm dhe turizëm natyror (kërkime mbi botën e egër), i referuar nga guidat turistike më prestigjioze në Planet. Autor dhe bashkëautor i disa artikujve me karakter didaktiko-shkencor dhe informativ në median e shkruar vendase dhe të huaj (harta, guida, artikuj shkencor etj). Realizues–autor për foto-ekspozita vetjake mbi vlerat natyrore të rajonit malor në Shqipëri, Angli, Gjermani, Ceki. Me datë 11 Dhjetor 2019, Dita Botërore e Maleve, Petriti u shpreh në media: “#MountainsMatter këto vite është thirrja për të rinjtë e maleve, #MountainsYouth”.
Nikolin KARAPANÇO
Nikolini është i angazhuar si Koordinator Projekti tek Agrinet Albania e cila operon në fushën e bujqësisë, mbështetjes së fermerve të vegjël dhe të mesëm si dhe në fushën e zhvillimit rural. Aktualisht, ai vazhdon kualifikimet pas–universitare për shkollën e doktoraturës në fushën e mbrojtjes së bimëve. Nikolini ka një kontribut të vecantë në ndihmën dhe mbështetjen për fermerët e zonës së Korcës. Gjithashtu, Nikolini ka pasur një rol të rëndësishëm në mobilizimin e aktorëve vendor në procesin e konsolidimit të forumit të Egnatias, si pjesë e rëndësishme e lëvizjes rurale për politika efektive në dobi të zhvillimit të qëndrueshëm të komuniteteve rurale. Ai shprehet “Për t’u ndjerë i plotësuar në vetvete duhet gjithmonë të angazhohesh në shërbim të zhvillimit”.