Tryeza Rajonale “Rrjeti Shqiptar për Zhvillim Rural: Përfshirja e Aktorëve Jopublik në Axhendën Kombëtare Rurale”
Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD) pas lançimit të debatit kombëtar mbi zhvillimin rural në Konferencën kombëtare më 11 mars, ndërmori një nismë tjetër për të mundësuar sinergji ndërmjet aktorëve publik dhe jopublik në nivel rajonal dhe lokal që kanë potencial për të kontribuar në avancimin e axhendës kombëtare për zhvillimin rural.
Gjatë muajit maj, ANRD organizoi tre tryeza rajonale “Përfshirja e Aktorëve Jopublik në Axhendën Kombëtare Rurale”. Pjesëmarrësit në këto tryeza përfaqësonin aktorë të rëndësishëm në të tre sektorët, duke përfshirë përfaqësues të institucioneve publike në nivel rajonal dhe lokal (Këshillat e qarqeve, bashkitë, administratorë të njësive administrative, drejtoria rajonale e bujqësisë etj); të shoqërisë civile (shoqatë të grave, të të rinjve, mjedisore, ato që promovojnë demokracinë lokale, zhvillimin me pjesëmarrje, zhvillimit rural, turizmi etj); të sektorit privat (agro-biznesi, bankat); medias, të grupeve me bazë komunitare formale dhe informale, si dhe profesionistë dhe individë aktiv të interesuar.
Tryezat u fokusuan në ndarjen me aktorët që veprojnë në nivel rajonal dhe lokal të axhendës kombëtare për zhvillim rural, me theks të veçantë në zhvillimin rural me pjesëmarrje si një nga fushat prioritare të Strategjisë Ndër Sektoriale për Zhvillimin Rural dhe Bujqësor 2014-2020.
Të tre tryezat patën një mbulim të plotë të gjithë territorit të vendit si më poshtë:
- Tryeza Rajonale në Fier (aktorë përfaqësues të Qarqeve Fier, Berat, Vlorë dhe Gjirokastër);
- Tryeza Rajonale në Pogradec (aktorë përfaqësues të Qarqeve Elbasan dhe Korçë);
- Tryeza Rajonale në Shkodër (aktorë përfaqësues të Qarqeve Shkodër, Lezhë, Kukës dhe Dibër).
Prezantimet dhe diskutimet e tryezave përfshinë një sërë aspektesh të zhvillimit rural. Ato u fokusuan në prezantimin dhe njohjen e pjesëmarrësve me perspektivën themeluese të ANRD, ajo nga poshtë-lart; politikat e zhvillimit rural, strategjitë, programet dhe qasjet, me një fokus të veçantë në një nga masat e SNBRZH (Strategjia Ndërsektoriale e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural 2014-2020), ajo që lidhet me përgatitjen dhe zbatimin e strategjive lokale për zhvillimin rural – qasja LEADER.
Tryezat Rajonale inkurajuan përfshirjen dhe ndërveprimin e aktorëve të ndryshëm për atë që njihet si fuqizimi i komuniteteve rurale, përmes prezantimit të axhendës kombëtare të zhvillimit rural, rolit të shoqërisë civile, rolit dhe përpjekjeve të institucioneve zyrtare për avancimin e kësaj axhende, incentivave të ofruara nga sektori privat dhe roli i ANRD-së si aktor ndryshimi në zhvillimin rural.
Përfaqësues të Drejtorisë së Politikave të Zhvilimit Rural në Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave (MBZHRAU) mbështetën këto tryeza me pjesëmarrjen e tyre aktive.