Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), në partneritet me organizatat AgriNET dhe AgroPUKA, kanë filluar zbatimin e projektit “Konsolidimi i rolit të Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural drejt një modeli funksional të perspektivës me pjesëmarrje dhe poshtë-lart në agjendën kombëtare rurale”, financuar nga Bashkimi Evropian. Projekti përfaqëson një nismë që ndihmon në përmbushjen e misionit të Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD) dhe përputhet me Kornizën Strategjike të ANRD për 2018-2020. Kjo nismë përforcon angazhimin e organizatave anëtare të ANRD për t’u rrjetëzuar, bashkëpunuar dhe advokuar për të përmirësuar cilësinë e jetës së komuniteteve rurale.
Në këtë kontekst, IDM dhe partnerët e projektit, AgriNet dhe AgroPuka, organizojnë më 12 Prill 2018 aktivitetin prezantues të projektit, i cili synon të njohë me objektivat e projektit, rezultatet e pritshme, si dhe rolin e ANRD në proceset reformuese rurale në vend. Aktiviteti do të vijojë me mbledhjen e Asamblesë së Përgjitshme të ANRD, në të cilën do të diskutohet Draft Rregullorja mbi Ngritjen dhe Funksionimin e strukturave rajonale të Rrjetit, të cilat do të shërbejnë për të krijuar një dinamikë të brendshme të OSHC-ve aktive në nivel vendor, dhe do të fuqizojnë perspektivën themeluese të ANRD – nga poshtë-lart.
Përfaqësues të lartë të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Delegacionit të BE-së në Tiranë si dhe kryesisë së ANRD do të adresojnë këtë aktivitet të parë të një projekti që shënon një proces të rëndësishëm të konsolidimit dhe fuqizimit të sektorit jo-publik për të influencuar proceset dhe reformat e zhvillimit rural.