Një mundësi për t’u ndërgjegjësuar për rolin e rëndësishëm dhe kontributin e grave rurale në bujqësi dhe zhvillimin rural dhe rivitalizuar përpjekjet e përbashkëta për të përmirësuar situatën nëpërmjet politikave pro-grave rurale
Tiranë, 15 tetor 2019 – Rreth 150 gra dhe vajza nga zonat rurale të vendit u mblodhën sot në Edicionin e parë të ‘Pro Grave Rurale’ të organizuar nga Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD) me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Grave Rurale me 15 tetor 2019. Ky edicion që synon të kthehet në një traditë të përvitshme, synon të rrisë ndërgjegjësimin për rolin e rëndësishëm dhe kontributin e grave rurale në bujqësi dhe zhvillimin rural dhe njëherësh për të tërhequr vëmendjen e të gjithëve për mbështetje të qëndrueshme në adresimin e sfidave me të cilat përballen gratë rurale në vendin tonë. Vitin e ardhshëm ‘Pro Grave Rurale’ do të udhëtojë në bashkinë që vlerësohet si “Bashkia pro-grave rurale” për vitin përkatës.
Edicionin e hapi z. Sotiraq Hroni, Kryetar Bordi i Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural, i cili ndër të tjera theksoi nevojën e dukshme për të nxitur politikat që mbështesin sipërmarrjen e gruas rurale, dhe forcimin e rolit të qeverisjes vendore në këtë kuadër.
Ndërsa z. Razvan Ghitescu- Oficer Programi për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, Delegacioni i BE-së në Tiranë theksoi se sot, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas Rurale, është momenti të reflektojmë sesi mund t’i ndihmojmë gratë rurale të luftojnë varfërinë.
I pranishëm në panel, z. Brian J.Williams, Përfaqësues i Përhershëm i UN në Shqipëri adresoi pjesëmarrësit duke sjellë në vëmendje Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm: “Nëse Shqipëria dëshiron të arrijë një zhvillim të qëndrueshëm (në fushat e punësimit, mjedisit, arsimit, shëndetësisë) duhet me patjetër që t’i ofrojë më shumë hapësirë dhe mbështetje grave në zonat rurale” theksoi ndër të tjera.
Të pranishëm në panel ishin edhe zj Frida Krifca, Drejtore e Përgjithshme, Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural si dhe Zj. Eglantina Gjermeni, Anëtare e Parlamentit Shqiptar, të cilat adresuan pjesëmarrësit duke ndarë modele të mira të sipërmarrjes së grave si dhe duke sjellë në vëmendje sfidat e shumta dhe komplekse të fuqizimit ekonomik të grave rurale.
Edicioni i parë, gjithashtu, synonte të bënte bashkë të gjithë aktorët në fushën e zhvillimit rural dhe në fuqizimin e grave për të rritur ndërgjegjësimin rreth nevojës për përpjekje të përbashkëta në krijimin e modeleve të qëndrueshme që fuqizojnë rolin e gruas në zhvillimin rural dhe jetën komunitare. Për këtë, Koordinatorja e Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural, Evelina Azizaj, lançoi Platformën e Parlamentit të Dytë Rural Shqiptar që synohet të mbahet në pranverën e vitit 2020. Kjo platformë mbarëkombëtare do të integrojë perspektivën gjinore në programin e saj për të mobilizuar vullnet politik dhe mbështetje për fuqizimin e grave dhe vajzave rurale.
Në panel u ftuan edhe përfaqësuese të grave rurale të cilat bënë të zëshme sfidat, nevojat dhe aspiratat e gruas rurale, e cila është cilësuar edhe si shtylla e padukshme e shoqërisë. Zj Dake Gjoni, nga fshati Qelëz Pukë renditi disa nga sfidat e grave në zonën e saj. Ato lidhen me mungesën e certifikatave të pronësisë mbi tokën dhe banesat; mungesa e certifikimit të produkteve që gratë përgatisin me aq mjeshtëri por vështirë se gjejnë akses në tregje, etj. Znj Valentina Pashollari nga bashkia Maliq ndër të tjera tha: “Gruaja rurale duhet të dijë edhe si gatuhet buka, edhe si rritet gruri”.
Aktiviteti vijoi me panairin e produkteve lokale te prodhuara nga grupet prodhuese të grave dhe vajzave rurale dhe duke u rrjetëzuar, njohur dhe shkëmbyer përvoja të mira në çështjen e promovimit të mirëqenies së grave dhe vajzave rurale.
Organizata të shoqërisë civile, anëtare dhe jo anëtare të Rrjetit Shqiptar të Zhvillimit Rural, ishin të pranishëm në këtë event, duke mbështetur grupet e grave rurale të jenë pjesëmarrëse dhe të kontribuojnë në këtë event advokacie për status më të përmirësuar social-ekonomik të tyre.
Falënderime për mbështetjen e dhënë duke bërë të mundur që ky event të startoi për t’u fuqizuar në vitet e ardhme shkon për:
- Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM)
- AGRINET Albania
- AGROPUKA
- AGRITAVISION
- Gruaja në Bujqësinë e Qëndrueshme
- COSPE
- VIS ALBANIA
- Federata Bujqësore e Elbasanit
- RASP
- ADAD Malore
- Qendra për Zhvillim dhe Integrim
- Amaro-Drom
Foto nga aktiviteti: