Trajnim Kombëtar i OSHC-ve – “Ekonomia dhe Sipërmarrja e Gjelbër”
Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD) është organizata zbatuese në Shqipëri e projektit rajonal NAGE – Rrjetëzim dhe Advokaci për Ekonominë e Gjelbër, i cili synon rritjen e ndikimit politik dhe vendimmarrës të Rrjetit të Zhvillimit Rural Ballkanik (BRDN) dhe të anëtarëve të tij, përmes përfshirjes së konceptit të ekonomisë së gjelbër në proceset e reformimit të programeve dhe politikave rurale e bujqësore.
Në kuadër të projektit NAGE, ANRD hap Thirrjen për Pjesëmarrje në Trajnimin kombëtar dy ditor ”Ekonomia dhe sipërmarrja e gjelbër” që do të zhvillohet më 12-13 Mars 2020 në Durrës. Qëllimi i trajnimit është rritja e kapaciteteve të përfaqësuesve të shoqërisë civile në lidhje me njohjen e parimeve kryesore dhe praktikave të ekonomisë dhe sipërmarrjes e gjelbër, vlerësimin dhe modelimin e saj si edhe njohuri mbi zbatimin e konceptit të industrisë së gjelbër.
Kjo thirrje i drejtohet të gjitha OSHC-ve, me fokus të veçantë OSHC-ve të angazhuara në tematika të ndryshme të zhvillimit rural (bujqësi, agro-përpunim, agro-turizëm, pylltari, barazi gjinore, të rinjtë, zhvillimi lokal i integruar, ekonomi e gjelbër, dialog civil, kooperim dhe partneritet, edukim dhe ngritje kapacitetesh, përfshirje sociale etj.) që të inkurajojnë përfaqësuesit dhe stafin e tyre të aplikojnë për të marrë pjesë në këtë trajnimin kombëtar. Nga çdo organizatë mund të aplikojnë jo më shumë se dy përfaqësues. Totali i pjesëmarrësve të përzgjedhur për të marrë pjesë në trajnim do të jetë njëzet.
Kandidatët e interesuar janë të ftuar të aplikojnë duke plotësuar dhe dërguar Formën e Aplikimit (e linkuar) në adresën e emailit: [email protected] brenda datës 4 Mars 2020, ora 12 PM. Vetëm aplikantët e përzgjedhur do të kontaktohen brenda datës 6 Mars 2020.
Shpenzimet e transportit, akomodimit dhe ushqimit gjatë dy ditëve të trajnimit do të mbulohet nga ANRD si organizata zbatuese e projektit NAGE.