– Koha për një “Patriotizëm të Gjelbër” –
Mendime nga Prof. As. Dr. Enver Isufi, Instituti për Bujqësinë Biologjike, Durrës
(Intervista u realizua nga gazetari i bujqësisë Enver Shehu, TV APOLLON, FIER, Datë 07.4.2020)
Enver Shehu: – Si e vlerësoni këtë situatë të pazakontë globale e cila është shkaktuar nga sëmundja virusale COVID-19 dhe si duhet t’i përshtatet bujqësia jonë kësaj emergjence ?
Enver Isufi: – Po, është e vërtetë që kjo sëmundje nuk ka prekur njerëzit e një ose disa komuniteteve, por ka vënë para rrezikut jetik të gjithë njerëzimin, të gjithë banorët e globit. Tani është koha të gjejmë zgjidhje të shpejta dhe jo të bëjmë si ai babai me fëmijën e tij në liqen.
E.Shehu: – Si është ajo fabul?
E.Isufi: – Një fëmijë kishte hyrë në një rezervuar uji për t’u larë dhe pasi hyri thellë e gati po mbytej thërriste: “Ndihmë, ndihmë! ”. Babai rrinte në breg dhe e kërcënonte nga larg fëmijën: “Sa herë të kam thënë mos hyr në lumë, sa herë të ka këshilluar nëna jote, të rraha një ditë kur hyre pa leje!”. Fëmija nga ana e tij thërriste atje në ujë: “Baba, eja më shpëto se po mbytem, pastaj më rrih sa të duash!”.
Pra, jemi në kohën kur duhet të shpëtojmë njerëzit jo vetëm nga sëmundja por edhe nga kriza ushqimore. Kjo është e domosdoshme sepse pasi të mbarohen rezervat tona dhe të botës, edhe nëse nuk do ketë krizë ushqimore globale, me siguri do të ketë rritje ҫmimesh, prandaj nuk duhet shumë filozofi nga erdhi dhe si erdhi virusi, por si të zgjidhim problemin e sotëm dhe për vitet që vijnë.
Kjo situatë ka nxitur instiktet e vetëmbrojtjes.
Individi po mendon për vetëmbrojtjen e tij, kryefamiljari për vetëmbrojtjen e familjes, dikush për vetëmbrojtjen e komunitetit, vetëmbrojtjen e vendit dhe të shtetit. Kjo e gjitha sepse rreziku është real dhe atë po e përjeton si të tillë e gjitha bota.
Të gjithë janë në kulmin e frikës, vetëm natyra jo.
E.Shehu: – Çfarë doni të thoni me këtë?
E.Isufi: – Vetëm natyra dhe mjedisi ndihen shumë më të relaksuara.
Janë në festë dhe me pushime pyjet, kafshët, bletët, ujrat, ajri, mineralet nëntokësore, kafshët e detit, madje edhe klinikat e spitalet e traumave nuk kanë pasur pacientë të aksidentuar në rrugë dhe në punë. Pakësimi në maksimum i veprimtarisë së njeriut e ka lehtësuar natyrën. Do të behën studime edhe për këtë aspekt gjatë krizës, por sidomos pasi kjo të kalojë.
Është momenti kur njerëzimi dhe politika globale duhet t’i bëjnë një analizë vetes dhe të dizenjojnë strategji të reja më të qëndrueshme dhe miqësore si për paqen ndaj natyrës dhe për paqën sociale në përgjithësi.
Njeriu ka menduar dhe mendon se ka ardhur në tokë për të sunduar dhe jo për të jetuar si pjesë e ekosistemit të madh natyror. Ngrohja globale e shkaktuar kryesisht prej keqpërdorimit të natyrës nga njeriu, është shkaku kryesor që edhe natyra po reagon për mbrojtjen e vetes. Por ndërsa natyrës mund t’i dëmtohet bukuria, por aspak mbijetesa, njeriut i rrezikohet pikërisht kjo e fundit.
Tani t’i përgjigjemi pyetjes suaj.
Objektivi kryesor i bujqësisë sonë është sigurimi i sasisë dhe cilësisë së prodhimit bujqësor dhe blegtoral.
Kjo do të zgjidhë:
- Sigurimin e sasisë së ushqimit për popullsinë për të krijuar sa më shumë pavarësi ushqimore.
- Shtimin e eksportit për të fituar burime financiare.
- Kufizimin e importit duke kursyer burime financiare.
- Diversifikimin e grupeve të interesit në menaxhimit e prodhimit bujqësor.
E.Shehu: – Çfarë taktike dhe strategjie duhet të ndërmarrim që të sigurojmë vazhdimësinë e prodhimit bujqësor ?
E.Isufi: – Fillimisht le të bëjmë një përshkrim të grupeve të interesit që merren me bujqësi .
Sot ka disa grupime kryesore të prodhimit bujqësor.
Grupi i parë i prodhuesve janë ata të cilët për kushtet e Shqipërisë mund t’i quajmë të mëdhenj, të cilët prodhojnë për tregun e vendit dhe për eksport.
Grupi i dytë është ai i prodhuesve të mesëm, gjithmonë për kushtet e Shqipërisë, të cilët ҫojnë mbi 50 % të prodhimit në tregun vendas.
Propozoj që të diversifikohen grupet e prodhuesve ose me fjalë të tjera të shtohen grupet e interesit. Mendoj se duhet të rrisim dhe të kristalizojmë edhe disa grupe të tjera interesi të cilat deri më sot ose janë të dobta ose nuk ekzistojnë fare.
Këtu do të përmendja fermerët shumë të vegjël që janë ata që prodhojnë për konsumin familjar dhe rreth 20 % të prodhimit e shesin në treg.
- Prodhimi i bahҫeve fshatare i cili nuk del në treg.
- Prodhuesit që kanë nga 300-500 m2 tokë (pra nën sipërfaqen e një fermeri të vogël)
Këto dy grupe duhet të nxiten të punojnë tokën dhe të mbjellin për nevojat e veta familjare produkte të tilla si: perime, fruta, fasule, patate, perime të dyta gjethore, presh, qepë spinaq, sallata, hudhra, erëza guzhine etj.
- Kopshtet dhe bahҫet në qytete.
Kjo është bujqësia qytetare ose siҫ quhet bujqësia urbane. Kërkoni në internet në adresën “Urban agriculture” dhe do të shikoni se ҫfarë mrekullish bëjnë banorët e qyteteve nëpër botë për prodhime bujqësore të freskëta. Prodhohen perime në ҫdo cep toke bosh, në tarraca, oborre e ballkone të cilat kanë madhësi të mjaftueshme.
- Kopshte në fshat të menaxhuara nga banorët e qytetit
Kjo tokë u jepet banorëve nga qyteti dhe ata i menaxhojnë vetë. Shteti, pushteti vendor ua jep tokat në përdorim për një një periudhë të caktuar 3-5 vjet.
Kjo sipërfaqe që merret me dëshirë nga qytetarët mund të arrijë 2-3 dynym. Ata prodhojnë për nevojat familjare dhe sasinë e produktit që u tepëron jau shesin fqinjëve ose në treg. Në qytetet e Europës këto quhen Hobby garden.
E.Shehu: – Si mund të nxiten këta mikroprodhues të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale?
E.Isufi: – Duke u dhënë fidanë dhe farëra falas ose me gjysmë çmimi, duke i ndihmuar me asistencë teknike. Specialistë të bujqësisë duhet të ngrenë shoqata të prodhimit të vogël familjar që do të trajnohen me kurse dhe asistencë teknike edhe nga agronomë në pension. Shoqatat duhet të ndihmohen me vegla të thjeshta bujqësore (bela, lopata, kepa, plastmas dhe inpute me gjysmë ҫmimi ose që mund t’i blejnë vetë. Gjithashtu mund të ndihmohen me tuba vaditëse, me tuba plastikë për sistemin e ujitjes, plastmas për mikro serra, plehra, teknika kompostimi të plehrave organike etj.
- Bujqësia e biznesit jo bujqësor
Biznesmenë që deri më sot nuk janë marrë me bujqësi mund të marrin toka me qera dhe të prodhojnë për tregun vendas e për eksportin.
Ky mund të jetë një burim i prodhimit të madh, sepse ata mund të menaxhojnë sipërfaqe të mëdha toke.
- Bujqësia e komunitetit
Ngritja e bujqësisë së komunitetit nën menaxhimin e Njësive Administrative dhe Bashkive. Në tokat shtetërore zgjidhen parcela të mëdha për t’i futur në prodhim.
Këto struktura pajisen edhe me mekanikën bujqësore të komunitetit dhe punësojnë punëtorë dhe agronomë, me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme
E.Shehu: – Çfarë mund të mbillet në këto toka?
E.Isufi: – Po, pyetje e drejtë. Edhe në këtë drejtim duhet diskutim mes specialistëve. Unë mendoj se këto njësi do të mund të prodhonin misër , fasule, patate dhe jonxhë për të ndihmuar blegtorinë e komunitetit që ka pak tokë.Familjet e ndihmuara me ushqim për blegtorinë tokën e caktuar për foragjere mund ta mbjellin me perime. Si bimë të dyta mund të mbillen perime gjethore si lakra, lule lakra, brokoli, preshi, qepa etj. Në këto njësi të prodhimit bujqësor për komunitetin mund të punësohen punëtorë dhe specialistë bujqësie dhe ato mund të kenë edhe mekanikë bujqësore.
- Ngritja e serrave dhe parcelave për prodhimin e produkteve bujqësore pranë shkollave dhe kopshteve. Tokën mund ta kenë të tyren ose mund ta marrin në përdorim nga komunat përkatëse.
E.Shehu: – Po në lidhje me sistemet e bujqësisë, kujt duhet t’i jepet përparësi?
E.Isufi: – Kjo është një pyetje shumë me vend. Na duhet të shtojmë sipërfaqet e bujqësisë biologjike dhe bujqësisë së integruar, Global GAP (standartet botërore për praktikat e mira të bujqësisë), të rritet sipërfaqja e bujqësisë së ҫertifikuar në përgjithësi.
Kjo na jep përparësi të:
- Rritim sigurinë ushqimore për konsumatorin tonë
- Rritim shancet për eksport
- Nxisim agroturizmin
- Ruajmë mjedisin nga mbetjet kimike të dëmshme për njerëzit dhe biodiversitetin duke na dhënë rastin të bëjmë një kthesë.
- Rritim rolin e shkencës së aplikuar në Shqipëri
- Rritim rolin e Shërbimit Këshillimor në bujqësi
E.Shehu:- Cilat burime të tjera mund të përdoren më mirë se deri tani?
E.Isufi: – Disa prej tyre mund të jenë:
- Prodhimi i peshkut në rezervuaret e ujit dhe basenet për prodhimin e peshkut
- Rritja e patave dhe rosave ku ka burime uji
- Prodhimi i vezëve dhe mishit nga pularitë e vogla
Këtu privatët dhe shteti mund të gjejnë pika bashkëpunimi për të lehtësuar punët.
E.Shehu: – Po në fushën e investimeve cilat mendoni se janë më të dobishme ?
E.Isufi: – Mendoj se janë këto:
- Të shtohen kapacitetet ftohëse dhe frigoriferike
- Të shtohen kapacitetet e përpunimit industrial të frutave dhe perimeve
- Të zgjerohet përpunimi familjar i perimeve dhe frutave
- Të vendosen mjete për përpunimin e plehut organik si një rezervë e madhe për ushqimin e tokës dhe bimëve, sepse deri më sot po menaxhohet mirë.
E.Shehu: Po media elektronike dhe ajo e shkruar a ka nevojë të rimodelohet?
E.Isufi: – Po ka. Media bujqësore duhet t’i përshtatet kushteve të reja.
Zgjerimin e rrjetit të televizioneve publike kjo situatë nuk e ka gjetur në befasi, por duhen hapur rubrika të dobishme siç janë;
- Këshillimet për bujqësinë e vogël
- Video të zbatimit
- Modele të përpunimit të frutave dhe perimeve në familje
- Demonstrime të shembujve të mire, etj.
Pra të gjitha këto grupime të reja mund të ndihmojnë në shtimin e vëllimit të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale. Kjo përvojë fillon e testohet në praktikë dhe me kohë vazhdohet me modelet me të mira.
- Është koha të fillojë botimi i revistës “Bujqësia Shqiptare”.
- Mund të botohen revista në formë newsletter për grupet e tjera të interesit në bujqësi
- Mendoj se shteti duhet të mbështesë disa televizione private, që të rrisin numrin e programeve dhe prodhimeve televizive që mbështesin bujqësinë. Këto televizione le të aplikojnë me projekte dhe shteti të mbështesë ato televizione të cilat ofrojnë projektet më të dobishme për bujqësinë, ushqimin dhe mjedisin e komuniteteve që ato mbulojnë.
E.Shehu: – A mendoni se importi i produkteve bujqësore mund ta mpijë pjesëmarjen masive në prodhimin bujqësor?
E.Isufi: – Po, ky është një shkak pse vendet e vogla po braktisin bujqësinë. Ushqimet tona vijnë nga vendet e mëdha, të cilat subvencionojnë bujqësinë e tyre shumë më tepër sesa vendet siҫ është Shqipëria. Ky është edhe shkaku kryesor i largimit të popullsisë së vendit drejt vendeve të industrializuara.
Por besoj se do të kemi më shumë liri të blejmë atë që duam kur e duam si dhe do eksportojmë atë që duam kur e duam.
Besoj kjo do të jetë pjesë e negociatave të institucioneve kombëtare me ato ndërkombëtare dhe nuk dihet sesi do të vendoset sepse janë vendime që nuk i merr dot vetëm Qeveria Shqiptare, sepse janë marveshje të firmosura. Por nëse pas kësaj krize, nuk do të ketë mekanizma për mbrojtjen e produkteve vendase, krizat ushqimore do të riciklohen.
Prodhimet lokale, prodhimet vendase, janë kursime të mëdha për transportin, marketingun etj. Një kilogram mish në vendet perendimore bën 2000 km rrugë derisa të vijë deri tek konsumatori. Pra mbështetja e prodhimeve lokale është edhe më ekonomike, më ekologjike e më etike.
Pra bota demokratike duhet t’iu lejojë më shumë demokraci vendeve të vogla në bujqësi dhe blegtori. Nuk ka demokraci nëse jep më shumë para për ushtrinë sesa për bujqësinë. Qeveritë shqiptare duhet të shtojnë dukshëm buxhetin për bujqësinë.Është sektori që jep më shumë kontribut në buxhetin e përgjithëshëm ( rreth 20 %) dhe merr më pak se 2 %. Kjo situatë ka 30 vite kështu por besoj se tani do të ndryshojë.
Nëse Qeveria shqiptare do të mobilizohet për të, siҫ është mobilizuar për mjeksinë në këto momente, bujqësia shqiptare do të fluturojë përpara.Një bujqësi e shëndetëshme, rrit një popull të shëndetshëm sepse investimet që bëhen për bujqësinë e shëndetëshme kursejnë fonde tek parandalimi i sëmundjeve humane.Unë konsideroj se kjo situate do të prodhojë shumë më tepër optimizëm dhe do të mobilizojë energji të reja tek të gjitha shtresat e popullsisë.
Dua ta mbyll me thirrjen se është koha për një “Patriotizëm të Gjelbër” i cili shkon përtej bujqësisë dhe ushqimit. Një shembull të madh Shqipëria e dha në mobilizimin e të gjitha strukturave shetërore, private, vullnetare, civile, në mbrojtje të shëndetit të popullsisë. Le ta shtrijmë këtë përvojë edhe në bujqësi dhe mjedis.
E.Shehu: – Faleminderit për mendimet që dhatë
E.Isufi:- Faleminderit juve që jeni një gazetar që ka shkruar dhe xhiruar shumë emisione për bujqësinë dhe për fshatin në përgjithësi dhe më keni vënë edhe mua në punë me emisionet e shumta që kemi realizuar së bashku.