Qasja LEADER, instrument për transformimin rural në Ballkanin Perëndimor
Katër të rinj, përfaqësues të Qëndrës Burimore për të Rinjtë Rural (Rural Youth Hub) të Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural morën pjesë në Kampin Rinor mbi Qasjen LEADER/CLLD i cili u zhvillua në Mojkovac, Mal i Zi, në datat 24-28 maj. Kampi rinor i këtij viti u organizua nga Rrjeti Ballkanik për Zhvillimin Rural në partneritet me Rrjetin për Zhvillimin Rural në Malin e Zi, mbështetur financiarisht nga GIZ.
Kampi rinor synoi fuqizimin e pjesëmarrjes së të rinjve rural në transformimin rural të vëndeve të Ballkanit Perëndimor përmes qasjes LEADER/zhvillimit vendor të udhëhequr nga komuniteti, një metodë evropiane për nxitjen e zhvillimit të integruar dhe të qëndrueshëm rural. Me interes të veçantë për të rinjtë pjesëmarrës nga Shqipëria ishte roli dhe rëndësia e zbatimit të praktikave më të mira evropiane të qasjes LEADER në vendet Ballkanit Perëndimor.
Në këtë kontekst pjesëmarrësit e kampit rinor – fermerë të rinj, aktivist dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga të gjithë vëndet e Ballkanit Perëndimor – , vizituan fermën lokale Pešić e cila ishte e fokusuar në mbarështimin dhe përpunimin e qumështit. Midis të tjerave vizita në fermën Pešić theksoi rëndësinë e mbështetjes së zhvillimit të sipërmarrjeve në zonat rurale nga institucionet vendore dhe donatorët ndërkombëtar. Në kuadër të vizitës në fermën Pešić, pjesëmarrësve u ofrua një panoramë e përgjithshme e përpjekjeve dhe arritjeve të fermerit drejt krijimit të një ferme të madhe. Njohja e praktikave më të mira në rajon, si dhe konsultimi me ekspert të fushës ndihmuan të rinjtë rural për të krijuar një prespektivë të re për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale.