+355 (04) 2400241 [email protected]

Credits: Welcome to Mallakastra

Nga Evelina Azizaj, Koordinatore Kombetare e Rrjetit shqiptar per Zhvillimin Rural

 

Në fund të muajit nëntor të vitit 2021, qeveria shqiptare miratoi ligjin që lehtëson zbatimin e një prej instrumenteve evropianë për zhvillimin rural, që njihet ndryshe si qasja Leader. Nga 30 nëntori deri më 4 dhjetor rrjetet rurale dhe Grupet Vendore të Veprimit (GVV) nga komunitete të ndryshme rurale në Evropë u mblodhën në Suedi për të festuar mbi arritjet dhe sukseset e zhvillimit të integruar rural nën filozofinë  e qasjes Leader.

Në fund të muajit nëntor 2021 ndodhën dy ngjarje të veçuara nga njëra tjetra dhe të natyrave krejt të ndryshme. Miratimi i një ligji në Shqipëri dhe organizimi i një eventi festiv në Suedi lidhen së bashku për nga tematika – qasja Leader[1] – instrument i politikës evropiane për zhvillimin rural. Pavarësisht tematikës, të dyja ngjarjet diferencohen për nga niveli i zhvillimit që paraqesin në lidhje me zbatimin e këtij instrumenti. Ligji në Shqipëri mundëson zbatimin e një prej instrumenteve evropianë për zhvillimin rural, ndërsa eventi në Suedi shënon një moment festiv për një përvjetor më shumë se çerek shekulli në zbatimin e këtij instrumenti.

Në Evropë, pas 30 vjet përvojë në zbatimin e qasjes Leader, u festua zbatimi i suksesshëm i këtij instrumenti dhe u reflektua mbi të ardhmen e tij për të ndërtuar një Evropë të qëndrueshme. Nga 30 nëntori deri më 4 dhjetor rrjetet rurale dhe Grupet Vendore të Veprimit (GVV) nga komunitete të ndryshme rurale në Evropë u mblodhën në Suedi për të festuar mbi arritjet dhe sukseset e zhvillimit të integruar rural nën filozofinë  e qasjes Leader. Metoda Leader mbushi 30 vjet  në 2021 nga 15 marsi 1991, kohë kur Komisioni Evropian  e propozoi Leader-in si një metodë e zhvillimit rural, me orientim nga poshtë-lart dhe i udhëhequr nga njerëzit në komunitet.

Ndërsa në Shqipëri, më 24 nëntor, qeveria shqiptare miratoi Projektligjin “Për Organizimin dhe Funksionimin e Grupeve Vendore të Veprimit”, i cili përcakton parakushtet për krijimin dhe funksionimin e GVV-ve. Ligji është në funksion të (dhe lehtëson zbatimin e) instrumentit evropian për zhvillimin e integruar rural që njihet ndryshe si qasja Leader. Kjo filozofi dhe instrument zhvillimi synon të mobilizojë dhe të lidh energjinë dhe burimet e njerëzve dhe organizatave për të inkurajuar partneritet në nivel nënrajonal ndërmjet tre sektorëve, atij publik, privat dhe civil. Që nga prezantimi i metodës LEADER, ajo po zbatohet në vendet anëtare të BE-së për 30 vjet, dhe tashmë njihet në mbarë botën si praktikë e mirë që fuqizon komunitet vendore  për të hartuar dhe zbatuar në mënyrë aktive strategjinë e zhvillimit të tyre. Si një histori suksesi, qasja Leader ka potencialin të shndërrohet në një instrument tepër të rëndësishëm për fuqizimin e komuniteteve lokale në Shqipëri, duke i orientuar ato drejt një zhvillimi të integruar.

Grupet vendore të veprimit

Ngritja dhe funksionimi i GVV-ve është një nga komponentët kyç të qasjes LEADER. GVV-ja përfaqëson një grup partneriteti trepalësh ndërmjet partnerëve publik, privat dhe të shoqërisë civile, që njihet si Grup Vendor i Veprimit. GVV-ja duhet të jetë përfaqësuese e komunitetit vendor, duke bërë partnerë – autoritetet publike, sipërmarrjen private dhe shoqërinë civile – ku asnjë prej partnerëve nuk dominon vendimmarrjen. Ky partneritet është struktura e vetme e ligjshme për të aksesuar fondet e IPARD III të planifikuara për masën ‘Zbatimi i Strategjive lokale të zhvillimit – qasja Leader’. Si rrjedhim, partneriteti vendor trepalësh i njohur si GVV duhet të formalizohet ligjërisht (sikurse Ligji në fjalë kërkon) në mënyrë që të mbështetet financiarisht dhe teknikisht nga programi IPARD III apo të tjera mundësi financiare.

Në përputhje me Ligjin, ato duhet të regjistrohen si organizata jo-qeveritare me anëtarësi, por duke përmbushur kërkesat që Ligji në fjalë kërkon për strukturën, mënyrën e funksionimit dhe vendimmarrjes apo të tjera detyrime ligjore të GVV-ve. Neni 10 i Ligjit tregon strukturat dhe detyrat përkatëse të secilës prej tyre. GVV-ja është strukturë partneriteti dhe asnjë sektor nuk dominon vendimmarrjen (shih neni 5/pika 2[2]). Asambleja, ku marrin pjesë përfaqësuesit e gjithë partnerëve është organi vendimmarrës. Bordi i GVV-së është përgjegjës për vendimmarrjen e përditshme të GVV, dhe stafi menaxherial është struktura operative. Zgjedhjet në Asamble dhe në Bord bazohen në parimin e partneritetit si edhe barazinë territoriale, gjinore dhe të moshës. GVV-ja ka detyrën e identifikimit dhe zbatimit të strategjisë lokale të zhvillimit, duke marrë vendime mbi alokimin e burimeve financiare dhe menaxhuar ato.  GVV-të që do të mbështeten financiarisht nga Programi IPARD III dhe në vijim do të duhet të raportojnë si financiarisht dhe raportet vjetore pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si Ministria përgjegjëse jo vetëm për krijimin, përditësimin e kuadrit rregullator por edhe si struktura përgjegjëse që planifikon, zbaton dhe monitoron masën e qasjes Leader në IPARD III.

GVV-ja përfshin komunitetin dhe grupet e ndryshme të interesit në vendimarrje

GVV-ja është një organizim shumë unik, që përfshin partnerë të ndryshëm (publik, privat dhe sektori civil), interesa dhe grupe sociale të ndryshme, GVV duhet të jetë rrezatuese e grupeve të ndryshme të interesit në një territor të caktuar. Partneriteti duhet të jetë i gjerë dhe i balancuar, duke pasur përfaqësi të grave dhe të të rinjve. I gjithë procesi i krijimit të GVV duhet të jetë transparent, gjithëpërfshirës, ndërsa procesi i hartimit të strategjisë duhet të jetë shumë pjesëmarrës, duke përfshirë të gjitha grupet në komunitet, me fokus të veçantë grupet më të cënueshme. Vetë komuniteti vendos për prioritetet e strategjisë. Është nga të vetmet masa në sektorin bujqësor dhe rural që në qendër ka njerëzit në territor, gratë, të rinjtë, fermerët e vegjël, etj., pikërisht ato grupe që e kanë të vështirë të gjejnë mbështetje publike apo të programeve si IPARD. Përmes GVV-ve, grupe të ndryshme interesi mund të mbështeten për aksione kolektive për të injektuar përpjekje në zhvillimin e jetës dhe ekonomisë në fshat.

GVV-të  do aplikojnë për fonde të AZHBR-ja kur të shpallë thirrjet në masën e qasjes Leader, dhe ato do të seleksionohen bazuar në partneritetin e krijuar në GVV (nëse është përfaqësues), në bazë dhe të procesit pjesëmarrës të hartimit të strategjisë, apo edhe formulimit të strategjisë nëse adreson problematikat lokale.

Zbatimi i qasjes Leader – sfidat përpara

Zbatimi i qasjes Leader në frymën që e kërkon ky instrument nuk është i lehtë dhe mbi të gjitha, krijimi i GVV-ve nuk është diçka që mund të arrihet brenda natës. Kjo qasje kërkon kohë, lidership lokal dhe besim të ndërsjellë ndërmjet aktorëve vendor, publik, privat dhe shoqëria civile. Jo më kot, kuadri rregullator evropian për zbatimin e kësaj qasje kërkon fillimisht të realizohet një proces i animimit të territorit, aktorëve vendor që vinë në një proces gjithëpërfshirës për të folur për potencialet zhvillimore të zonës, problemeve dhe prioriteteve si dhe vendimmarrjes së përbashkët mbi drejtimet kryesore të zhvillimit lokal. GVV-ja duhet të jetë produkt i një procesi të tillë gjithëpërfshirës në komunitet, duke iu larguar dhe shmangur sa më shumë proceseve të mbyllura, jo me pjesëmarrje, ku përfshihet vetëm një grup i vogël njerëzish, apo proceseve të dominuara nga qeverisja lokale ku GVV-ja rrezikon të kthehet në zgjatim ose strukturë paralele e bashkive.

Për të shmangur këto dhe risqe të tjera, është e nevojshme që aktorët vendor të kenë njohuri dhe kapacitete për të zbatuar qasjen Leader, krijimin e partneriteteve, mobilizimin e komuniteteve, hartimin e strategjive vendore etj., përpara se ato të përfshihen në krijimin e një GVV-je për zonën e tyre. Disa arritje dhe zhvillime të kohëve të fundit i vinë në ndihmë nxitjes së proceseve lokale të llojit Leader. Këtu vlen të përmendim: brezin e parë të Agjentëve Lokal të Zhvillimit  të diplomuar nga Universiteti Bujqësor i Tiranës; skuadra e trajnerëve të certifikuar e ANRD për zbatimin e qasjes Leader; rrjetëzimi dhe ndërtimi i kapaciteteve që ofron ANRD me anëtarësinë e vet aktive dhe lidhjet për rrjetëzim dhe shkëmbim përvoje me rrjetet e tjera rurale në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në nivel evropian.

Çfarë tregon përvoja në BE?

Qasja Leader, që kur është prezantuar në BE (1991-93 faza e parë) dhe deri më tani, ka njohur vetëm rritje si në buxhete edhe në shtrirje territoriale dhe tematika të GVV-ve, duke përfshirë edhe FLAG (ose GLV-të e peshkimit). Kjo i atribuohet rezultateve inkurajuese të zbatimit të qasjes Leader. Qasja LEADER nisi si një nismë komunitare (për komunitetet rurale të disavantazhuara) dhe aktualisht është një instrument zhvillimi i integruar në programet e zhvillimit rural të të gjithave vendeve anëtare të BE-së dhe atyre që janë në proces anëtarësimi në BE. Nga 217 rajone të pazhvilluara që u mbështetën në periudhën ‘91-‘93, tashmë qasja Leader mbulon 2402 territore rurale në vendet anëtare të BE-së. Vetëm në periudhën 2014-2020 janë mbështetur me fonde rreth 2600 GVV në Evropë.

Historia e suksesit e zbatimit të metodës Leader në gjallërimin e jetës dhe ekonomisë rurale në Evropë, mësimet e nxjerra nga zbatimi i këtij instrumenti, mundësitë e shkëmbimit dhe rrjetëzimet ndërmjet rrjeteve kombëtare rurale dhe GVV-ve në Evropë dhe më gjerë, shoqëruar me mbështetjen që ofron IPARD III për GVV-të, interesin dhe entuziazmin e lidershipit lokal për t’u angazhuar në nisma të llojit Leader në shumë komunitete vendore në Shqipëri dhe nevoja e dukshme që kanë komunitetet për zbatimin e këtij instrumenti janë vetëm disa faktorë nxitës për të mos humbur ende kohë në përfshirjen e komuniteteve vendore në zbatimin e këtij instrumenti evropian për zhvillimin rural. Përvoja e pasur 30 vjeçare evropiane në zbatimin e Leader-it do të frymëzojë një sipërmarrje kombëtare në zbatimin e këtij instrument edhe në Shqipëri.

 

[1] Leader është akronim që rrjedh nga fjalia në frëngjisht “Liaison Entre Actions de Développement de l’Économie Rurale”, që do të thotë “Lidhjet ndërmjet ekonomisë rurale dhe veprimeve zhvillimore”.

[2] Autoritet publike ose grupet e interesit (nga sektori privat ose shoqëria civile) përfaqësojnë jo më shumë se 49% të të drejtave të votës në nivelin më të lartë të vendimmarrjes së GVV sipas ligjit. Njësitë e vetë-qeverisjes vendore duhet të kenë minimumi 20% të së drejtës së votës.