+355 (04) 2400241 [email protected]

Workshopi udhëtues nëpër rrugën e verës dhe ullirit

Workshopi udhëtues nëpër rrugën e verës dhe ullirit u organizua më 14-15 Nëntor në zonat rurale të qarqeve Tiranë dhe Durrës. Workshopi bëri bashkë rreth 20 pjesëmarrës që përfaqësojnë aktorë të ndryshëm të zhvillimit rural. Në workshop morrën pjesë përfaqësues të bashkive që shtrihen në këtë zonë të tilla si bashkitë e Durrësit, Vorës, Shijakut, përfaqësues të qarkut Durrës; përfaqësues nga institucione qendrore si Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR), Agjensia e Zhvillimit Rural dhe Bujqësor (AZHBR); përfaqësues të organizatave anëtare të Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural, përfaqësues të institucioneve të mikrokreditit si dhe ekspertë të zhvillimit rajonal. Pjesëmarrja fillestare ishte menduar edhe më e gjerë, duke ftuar edhe përfaqësues nga bashkitë e tjera të zonës, donatorë që mbështesin zhvillimin e integruar ruralë dhe aktorë të tjerë të sektorit, përfaqësues të medias, të cilët nuk mundën të ishin të pranishëm në aktivitet.

Workshopi synonte t’i njihte pjesëmarrësit me komunitetet rurale të rajonit të Shqipërisë së Mesme (qarqet Tiranë-Durrës), i njohur tradicionalisht për peizazhin me kodra të buta, të veshur me vreshta dhe ullishte, për prodhime bujqësore dhe blegtorale të shumëllojshme, traditën, kulturën dhe kapitalin njerëzor të pasur por njëkohësisht një territor ku ruralja përplaset fort me zhvillimin agresiv urban që kërcënon balancat dhe qëndrueshmërinë e të ardhmes së zonës.

Ashtu si Marcel Proust është shprehur se të zbulosh nuk do të thotë thjesht të udhëtosh larg për të gjetur gjëra të reja, mjafton të shikosh me sy tjetër çfarë natyra dhe njeriu ka krijuar edhe pranë teje, ky workshop bëri që të shikojmë në një këndvështrim të ri, fakte, ide, realitete dhe personazhe të cilët shpesh kalojnë pa u vënë re para syve tanë, edhe pse janë vazhdimisht në kërkim të evidentimit në përpjekjet e përditshme drejt zhvillimit dhe prosperitetit.

Udhëtimi në rrugën e verës dhe ullirit u shoqërua me ndërveprim, ndalesë në kantinat e verës dhe punishtet e vajit të ullirit, sipërmarrje lokale dhe komunitete rurale, shkëmbime direkte më banorët. Ky aktivitet jo-formal mundëson testimin e teorive dhe të politikave përkundrejt realitetit objektiv, si dhe përvojave dhe opinioneve të banorëve të komuniteteve rurale.  Workshopi përfshiu sesione të shkurtra prezantimi dhe diskutimi mbi nismat me qasje territorin – qasje që fokusohet në një territor të vogël, homogjen për nga ana sociale,  shpesh e karakterizuar nga tradita të përbashkëta, një identitet lokal dhe ndjenjë përkatësie ose nga nevoja dhe pritshmëri të përbashkëta, si zona e synuar për zbatimin e politikave.

Ky aktivitet u organizua në kuadër të zbatimit të projektit ‘Konsolidimi i rolit të Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural drejt një modeli funksional të perspektivës me pjesëmarrje nga poshtë-lart në agjendën kombëtare rural’, i cili mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), në partneritet me organizatat AgriNET dhe AgroPUKA.

Interlandi i rrugës së verës dhe të ullirit

Zona rurale që shtrihet në qarkun e Tiranës dhe Durrësit është një zonat e pasura me vreshta dhe ullinj, përfshi këtu edhe ullinj shekullorë. Kodrat e buta të veshura me ullinj dhe vreshta kanë krijuar një terren të përshtatshëm për prodhimin e vajit të ullirit dhe verërave.  Përgjatë zonës rurale ndodhen një numër i konsiderueshëm kantinash dhe punishtesh vaji të ullirit të njohura jo vetëm në tregun shqiptar por edhe atë ndërkombëtar për prodhimet e tyre cilësore. Duke njohur këtë potencial zhvillimi të zonës, është investuar në vite nga aktorët zhvillimore për krijimin e Interland Rruga e Verës dhe Ullirit më synimin e lidhjes së prodhuesve me njëri-tjetrin dhe kthimin e tyre në destinacione turistike të vizitueshme përgjatë vitit.

Kantinat të cilat patëm mundësi të vizitonim prodhonin lloje të ndryshme verërash tepër cilësore të njohura edhe në tregun ndërkombëtar. Kantinat ofrojnë mundësi degustimi të verërave, vizita në ambjentet e kantinave dhe vreshtat përreth tyre. Ngjashëm edhe punishtet e vajit të ullirit ofrojnë mundësi për vizitorët që të ndjekin nga afër procesin e përpunimit të vajit të ullirit, degustimin e vajit dhe ullinjve, dhe vizita në ullishtet me ullinj shekullorë. Shumë prej prodhimeve të punishteve kanë fituar edhe cmime në panaire ndërkomnëtare falë cilësive dhe karakteristikave të vajit të ullirit bio ekstra të virgjër që prodhojnë.

Foto: interlandi i rrugës së verës dhe të ullirit

Sesion Workshopi: Kohezioni territorial në komunitetet rurale të rrugës së verës dhe ullirit

Workshopi u fokusua në prezantimin dhe diskutimin mbi nismat me qasje territorin – qasje që fokusohet në një territor të vogël, homogjen për nga ana sociale,  shpesh e karakterizuar nga tradita të përbashkëta, një identitet lokal dhe ndjenjë përkatësie ose nga nevoja dhe pritshmëri të përbashkëta, si zona e synuar për zbatimin e politikave. Pasja e një zone të tillë si referencë lehtëson njohjen e pikave të forta dhe të dobëta lokale, kërcënimeve dhe mundësive, potencialin endogjen dhe identifikimin e pengesave kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm[1].Duke pasur në mendje qasjen zhvillimore me bazë territorin, identifikimi i një nënrajoni me potenciale të përbashkëta zhvillimore do të ndihmonte në ravijëzimin e skenarëve të mundshme për ndërhyrje me qëllim promovimin e zhvillimit ekonomik dhe territorial të komuniteteve që përshkohen nga rruga e verës dhe e ulllirit.

Bazuar për sa më sipër, workshopi solli në vëmendjen e pjesëmarrësve qasjen Leader – Lidhje midis ekonomisë rurale dhe veprimeve të zhvillimit – instrument i politikës së BE për zhvillimin e integruar të zonave rurale. Qasja LEADER – instrument i promovuar nga Komisioni Evropian që në vitin 1990 propozon zhvillimin “nga poshtë lartë” ose zhvillimi vendor i drejtuar nga komuniteti. Në qendër të qasjes LEADER për zhvillimin e zonës dhe përfshirjen e popullsisë lokale në vendimmarrje qëndron Grupi Lokal i Veprimit (GLV).

Komuniteti i rrugës së verës dhe ullirit përfaqëson një komunitet me specifikë kulturore dhe territoriale. Identiti territorial dhe kohezioni zhvillimor i gjithë zonës kthehet në një gur themeli të rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës. Për këtë arsye një prezantim i përgjithshëm mbi qasjen LEADER, duke përshirë veçoritë kryesore të qasjes, hapat konkretë për zbatimin në praktikë të kësaj qasje etj, u zhvillua me synimin e nxitjes së diskutimeve me pjesëmarrësit.

 

“Kjo zonë është shumë e përshtatshme për krijimin e një Grupi Vendor të Veprimit. Megjithatë është parësore që të gjithë aktorët të ulen në tavolinë dhe procesi të karakterizohet nga besimi i ndërsjelltë” – u shpreh një nga pjesëmarrësit në workshop.

Diskutimet u fokusuan në pyetjet e mëposhtme:

Ku gjenden bashkitë në lidhje me zbatimin  e qasjes LEADER? A janë ato të përgatitura me njohuri, aftësi dhe kapacitete për të inicuar krijimin e një grupi lokal veprimi në territoret e tyre?

Cila është situata e organizatave të shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë për t’u përfshirë në një sipërmarrje të tillë? Po sipërmarrja private?

 

Diskutimi gjithashtu u nxit edhe nga informacioni që qasja Leader është një masë e Programit IPARD II, e cila pritet të mbështetet në vitet e ardhshme. Një nga rezultatet që pritet nga aktiviteti lidhet me nxitjen dhe inkurajimin e aktorëve vendor, si publik dhe jo-publik, në inicimin e një procesi animues të territorit dhe aktorëve vendor për krijimin e një Grupi Lokal të Veprimit në rrugën e verës dhe të ullirit. Një nismë e tillë do të përfaqësonte instrumentin për të valorizuar gjithë potencialin territorial të zonës dhe pasuruar ofertën turistike të zonës, cka do të nxiste zhvillimin e qëndrueshëm rural në komunitet vendore të zonës.

Më poshtë jepet një përmbledhje e diskutimeve kryesore:

  • Mungesa e licencimit të fabrikave të vajit të ullirit është problem për Shqipërinë dhe për të gjitha këto sipërmarrje në zonën e Tiranës dhe Durrësit. Licensimi i tyre do t’i jepte garanci më të forta produkteve lokale që realisht janë mjaft të kërkuara në treg;
  • Në vijim të këtij aktiviteti, ka rëndësi listimi i aktorëve që veprojnë në zonë sipas bashkive. Kjo është një fillesë e mirë për inicimin procesit për krijimin e GLV-së. Ndërsa pritet edhe miratimi i Ligjit për krijimin dhe funksionimin e Grupeve Lokale të Veprimit brenda vitit 2019, edhe pse një gjë e tillë ka kaluar pritshmëritë kohore;
  • Ende nuk ka asnjë veprim konkret nga stukturat përgjegjëse në lidhje me zbatimin e qasjes LEADER. Do të ishte e dobishme që në dy muajt e ardhshëm të organizohej një workshop rajonal me aktorët vendor dhe të konkretizohej krijimi i një GLV-je. Duhet mbajtur parasysh se krijimi i GLV duhet paraprirë nga investim dhe punë përgatitore për ngritjen e kapaciteteve të njerëzve të cilët janë aktualisht të papërgatitur. Me rëndësi është që institucionet të besojnë tek GLV dhe kuadri ligjor i tyre. Duhet synuar që nga cdo bashki e zonës të identifikoheshin dhe përfshiheshin minimumi 4-5 aktorë (autoritete vendore, OSHC, sipërmarrje private etj). Krijimi i bërthamës së një GLV do të ishte një lëvizje e zgjuar.
  • Një nga pjesëmarrësit e konsideroi këtë workshop si fillesën e iniciativës për krijimin e GLV-ve. Momentalisht nuk ka shumë informacion mbi GLV-të dhe iniciativat e tyre. Sugjerimi qëndron për Parlamentin e ardhshëm rural ku duhet t’i jepet vend i rëndësishëm ndarjes së iniciativave për krijimin e GLV-ve.
  • U nënvizua gjithashtu se ka tregues të mirë për krijimin e një GLV-je por ky process duhet bazuar në një kuadër ligjor të plotë. Gjithashtu është e rëndësishme përmirësimi i punës së shërbimit të ekstensionit dhe nivelit të përgatitjes teknike të tij;
  • Përfaqësues të bashkive pjesëmarrëse në aktivitet shprehën gatishmërinë e administratës së njësisë vendore për mbështetjen dhe bashkëpunimin në dobi të zhvillimit rural;
  • Me vlerë për procesin e mobilimizimit të aktorëve do të ishte edhe përfshirja e Drejtorive Bujqësore në bashkitë dhe shërbimi i ekstensionit me specialistët e vet;
  • Ndihmë në proceset e zhvillimit rural ofrohet edhe nga institucionet bankare të cilat mund të ndikojnë në zhvillimin rural të qëndrueshëm nëpërmjet përshtatjes së politikave bankare me specifikat e zonave të ndryshme rurale;
  • Në fund të diskutimeve u vu theksi në rëndësinë e platformës së Parlamentit Rural e cila duhet që domosdoshmërisht të kthehet në një kuadër rregullues të zhvillimit rural;
  • Parlamentin II Rural Shqiptar i cili do të zhvillohet në pranverën e 2020, do të fokusohet në advokacinë për skemat kombëtare të financimit të bujqësisë dhe zhvillimit rural. Cështje për t’u diskutuar mbetet të kuptuarit se ku qëndron Shqipëria me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu, duhet të qartësohet marrëdhënia midis skemave kombëtare dhe mbështetjes financiare të BE. Roli i pushtetit vendor në ciklin e hartimit, zbatimit dhe vendimarrjes duhet të rritet. Dhe në kushtet e një mungese besimi të fermerëve të institucionet, transparenca dhe llogaridhënia në procesin e administrimit të skemave ka nevojë të përmirësohet.

 

Mbledhja e Bordit të Rrjetit Shqiptar të Zhvillimit Rural ishte pjesë e agjendës së aktivitetit. Vendimi më i rëndësishëm për të cilin u dakortësua lidhet me organizimet për Parlamentin e dytë rural shqiptar. Konkretisht, Bordi vendosi që përgjatë shkurtit 2020 të organizohen katër parlamentet rurale rajonale:

  1. Parlamenti rural rajonal i Drinit (qarqet Shkoder-Lezhe-Kukes)
  2. Parlamenti rural rajonal i Arberit (qarqet Durres-Tirane-Diber)
  3. Parlamenti rural rajonal i Vjoses (qarqet Vlore-Fier-Gjirokaster)
  4. Parlamenti rural rajonal i Drinit (qarqet Korce-Elbasan-Berat)

Pas organizimit të katër parlamenteve rajonale, do të organizohet Parlamenti I II-të rural Shqiptar në mars 2020.

 

Shkolla e Mesme Profesionale Kombëtare “Charles Telford Ericson”, Golem, Kavajë ishte një nga ndalesat e fundit të planifikuar në këtë workshop udhëtues.

E themeluar më 1925, shkolla ka hedhur kështu bazat e një institucioni modern në fushën e arsimit profesional, si dhe të zbatimit të metodave bashkëkohore në bujqësinë dhe blegtorinë shqiptare. Tashmë e modernizuar dhe përshtatur me kërkesat e tregut të punës, shkolla vazhdon dhe sot me sukses aktivitetin në përgatitjen e specialistëve të Ekonomisë dhe Bujqësisë. Drejtoria dhe stafi i shkollës na njohën me shkollën, historikun, arritjet ndër vite dhe sfidat aktuale të shkollës.

 

Më poshtë jepet një informacion[2] i shkurtër mbi kantinat dhe punishtet e vajit të ullirit që vizituam në këtë udhëtim:

 

Fabrika e vajit të Ullirit 3 MIQTE – Ndroq, Tiranë

Fabrika “Tre Miqte” përpunon një larmi ulliri të bardhë dhe të zi. Fabrika ofron mundësinë që turistët e huaj dhe vendas të vizitojnë ambientet e saj dhe të shohin procesin e përpunimit të vajit të ullirit. Produktet e kësaj fabrike janë prezantuar në panaire kombëtare dhe ndërkombëtare, duke fituar çertifikata të cilësisë dhe mirënjohje.

Kantina e verës SHEHI – Farkë e Madhe (TEG)

Një kantinë familjare e pesë vëllezërve Shehi që ndërthur modernen me tradicionalen e vëndosur mes tokave të mbjella me ullinj, varieteteve të ndryshme të rrushit dhe pemëve të ndryshme frutore. Kantina ofron degustim vere dhe produkte tradicionale.

Kantina e Verës Herta Maminas, Durres

Kantina Herta i përket familjes Osmani. Kantina përfshin vreshta të përbëra nga rrush Cabernet Sauvignon, Merlot, Trebiano dhe Shesh i Bardhë. Eshte një investim familiar ku kombinohet e reja dhe përvoja e brezave. Aty gjithashtu ofrohet për mysafirët bukë e pjekur e llojeve të ndryshme, si dhe djathë dhie artizanal.

Kantina e verës KOKOMANI. Gjepale, Shijak

Kantina është e njohur për verërat shumë cilësore dhe tepër të veçanta për aromën dhe shijen e tyre. Falë përvojës së gjatë të punës prej pesëmbëdhjetë vitesh në kantinat më të njohur të Toskanës, Itali dhe bazuar në traditën e lashtë shqiptare në kultivimin e vreshtave dhe prodhimin e verërave, sipërmarrësit e saj e kanë kthyer kantinën në një destinacion të preferuar agro-turistik.

[1] [1]http://enrd.ec.europa.eu/enrd-static/leader/leader/leader-tool-kit/the-leader-approach/ëhy-is-leader-specific/en/area-based-approach_en.html

[2]Informacioni për sipërmarrjet e përmendura është bazuar nga Katalogu i rrugës së verës dhe ullirit, hartuar nga Agjensia për Zhvillimin Rajonal 2 dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

 

Foto nga aktiviteti: