Tre organizata të shoqërisë civile, të cilat përfaqësojnë edhe organizatat nismëtare dhe themeluese të Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD), që nga muaji shkurt 2018 kanë nisur zbatimin e një projekti tre vjeçar të financuar nga Bashkimi Evropian. Projekti “Konsolidimi i rolit të Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural drejt një modeli funksional të perspektivës me pjesëmarrje dhe poshtë-lart në agjendën kombëtare rurale” zbatohet nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në partneritet me AgriNET dhe AgroPUKa. Ky projekt ndërtohet mbi vizionin e tyre të përbashkët për pjesëmarrjen e aktorëve jo-publikë në politikëbërjen rurale.
Për të prezantuar projektin, si dhe për të nxitur entuziazmin për fillimin e projektit dhe pjesëmarrjen aktive të grupeve të ndryshme të interesit përgjatë zbatimit të tij, organizatat zbatuese organizuan aktivitetin prezantues “Rrjetëzim për Zhvillimin Rural me Pjesëmarrje” më 12 Prill 2018, në ambientet e Qendrës së Informimit të BE-së. Prezantimi i projektit u mbështet në arritjet e deritanishme të përpjekjeve advokuese të ANRD dhe vizionit rreth rolit të ANRD në të ardhmen.
Mbi 50 pjesëmarrës, përfaqësues të organizatave anëtare të ANRD dhe organizatave të tjera të shoqërisë civile, përfaqësues të autoriteteve vendore dhe qendrore, donatorë, ekspertë dhe aktorë të tjerë të interesuar morën pjesë në këtë takim. Përfaqësues të EUD dhe përfaqësues të lartë të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) adresuan aktivitetin.
Takimin e hapi z. Hroni, Drejtor Ekzekutiv i IDM, dhe njëkohësisht Kryetar Bordi i ANRD, i cili ndër të tjera tha: “Sot, ne nisim një rrugëtim të dytë, i cili ka të bëjë me forcimin e filozofisë së Rrjetit në nivelin vendor, dhe decentralizimin e parlamentit rural të vendit në bazë të katër rajoneve. Ai theksoi se “projekti synon të kapitalizojë përvojën jo vetëm të organizatave të shoqërisë civile që merren me zhvillimin rural, por edhe të nismave te veçanta dhe të izoluara, të cilat janë të shumta, për t’i futur në rrjedhën e zhvillimit rural.”
Zj. Nadia Kyuchukova, Menaxhere Programi, Delegacioni i BE në Shqipëri përshëndeti pjesëmarrësit në takim si përfaqësuese e donatorit të projektit. Në fjalën e saj ajo tregoi rëndësinë e projektit për zhvillimin rural duke theksuar se:“Zgjidhjet e qëndrueshme të problemeve të zhvillimit rural nuk vijnë nga politika që hartohen nga sipër, ato kërkojnë që këto politika të konsultohen në terren, me komunitetet vendore, përmes qasjeve pjesëmarrëse.”
Zv. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Halilaj adresoi këtë aktivitet të parë të një projekti që shënon një proces të rëndësishëm të konsolidimit dhe fuqizimit të sektorit jo-publik për të influencuar proceset dhe reformat e zhvillimit rural. Ai ndër të tjera tha se “ANRD është një nga partnerët tanë që ka mbledhur aktorët relevantë për të çuar përpara politikat e qeverisë për zhvillimin rural.”
Koordinatorja e Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural, dhe njëkohësisht Menaxhere e Projektit, bëri një prezantim të përgjithshëm të projektit, duke u ndalur edhe në parimet që udhëheqin misionin dhe punën e ANRD. Ky projekt synon të krijojë mekanizma dhe mjete për të lejuar nje pjesëmarrje më të mirë të aktorëve të sektorit civil në formulimin dhe zbatimin e politikave që ndikojnë jetët e komuniteteve rurale. Rrjetëzimi nëpërmjet ANRD është një mekanizëm për të fuqizuar zërin e aktorëve jo-publikë dhe përmirësuar kontributin e tyre në këto procese dhe reforma. Për këtë arsye, në fund të takimit, zj. Azizaj ftoi gjithë të pranishmit të jenë pjesë e takimeve dhe aktiviteteve që do të ndërmerren në këtë kuadër.