Një dekadë përkushtim për zhvillimin rural
Më 3 shtator 2025, Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural zhvilloi Asamblenë e tij të Përgjithshme në ambientet e fermës Bonum, duke mbledhur së bashku organizatat anëtarë. Si çdo vit, Asambleja shërbeu si moment reflektimi mbi përpjekjet e përbashkëta, arritjet dhe sfidat e ANRD, por edhe si mundësi për të përcaktuar prioritetet e ardhshme.
Takimin e hapi Sekretarja e Përgjithshme, zj. Majlinda Hoxha, e cila vuri theksin te roli i ANRD si zë i komuniteteve rurale dhe nxitëse e zhvillimit gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm në Shqipëri. Kryetari i Bordit, z. Sotiraq Hroni theksoi rëndësinë e forcimit të besueshmërisë, rritjes së vizibilitetit dhe intensifikimit të komunikimit publik me institucionet qendrore dhe vendore, komunitetet vendore dhe donatorët.
Koordinatorja Kombëtare, zj Evelina Azizaj prezantoi Raportin Vjetor dhe Financiar 2024, i cili u miratua në unanimitet nga Asambleja. Në fjalën e saj, ajo e përshkroi raportin si një pasqyrë të përpjekjeve të përbashkëta të rrjetit, partneriteteve të qëndrueshme dhe besimit të fituar nga aktorë kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Falë mbështetjes së donatorëve si Bashkimi Evropian, UN Women, AICS dhe GIZ, ANRD ka avancuar nisma që kanë në qendër fermerët dhe prodhuesit e vegjël, gratë dhe të rinjtë në zonat rurale etj.
Asambleja miratoi gjithashtu pranimin e Shoqatës “Përtej të Sotmes” si anëtare të re me të drejta të plota, duke zgjeruar mbulimin gjeografik dhe tematike të rrjetit.
Viti 2025 shënon edhe 10-vjetorin e ANRD, një dekadë përpjekjesh, arritjesh dhe mësimesh. Në këtë kuadër, Asambleja përcaktoi prioritetet e vitit që lidhen me forcimin e zbatimit të qasjes LEADER si instrumenti evropian për zhvillimin e integruar rural; fuqizimin social ekonomik të grave në zonat rurale, dhe organizimin e edicionit të 7-të të Pro Grave Rurale; përgatitjen e Parlamentit të 4-të Rural Shqiptar (mars 2026); konsolidimin e Qendrës së Rinisë Rurale; asistencën ndaj organizatave lokale në zbatimin e nismave të lidhura me Fondin të Akademisë “Nga Ferma në Tryezë”; si dhe rritjen e rolit në nisma ligjore dhe strategjike të sektorit bujqësor dhe rural etj.
Diskutime të gjera iu kushtuan edhe Parlamentit të 4-të Rural Shqiptar, i cili synon të jetë një platformë kombëtare e bashkëqeverisjes, duke bashkuar zërat e aktorëve të ndryshëm për të ndikuar në politikat dhe mirëqeverisjen rurale.
Asambleja u mbyll në një atmosferë pozitive, me bindjen se roli, ndikimi dhe besueshmëria e ANRD do të thellohen në shërbim të komuniteteve rurale dhe të axhendës kombëtare të zhvillimit rural, në linjë me politikat evropiane për zhvillimin lokal të udhëhequr nga komuniteti.
Për t’u njohur me raportet vjetore dhe financiare të ANRD klikoni këtu.

