Sikurse është bërë traditë, Asambleja e Përgjithshme e Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural u mblodh më 29 maj 2020. Pavarësisht sfidave të krijuar nga kriza COVID-19, dhe në kërkim të mënyrave të reja për të mbajtur vazhdimësinë e veprimtarisë, Asambleja e këtij viti u mblodh virtualisht për të diskutuar, shkëmbyer dhe vendosur mbi çështje të rëndësishme të funksionimit të ANRD dhe agjendës së saj.
Agjenda e ditës përfshinte ndër të tjera shqyrtimin dhe votimin për pranimin në ANRD i kërkesave për anëtarësi dhe rianëtarësim të organizatave vendore; prezantimin dhe aprovimin e Raportit Vjetor mbi aktivitetet e ANRD dhe Raporti financiar për periudhën janar-dhjetor 2019; prezantimi dhe aprovimi i Planit të Veprimit për vitin 2020;zgjedhjet e reja të anëtarëve të bordit drejtues për periudhën 2020-2024.
AP miratoi pranimin e pesë organizatave si anëtare me të drejta të plota duke rritur anëtarësinë a ANRD në 27. Organizatat e reja ndihmojnë ANRD në një mbulim gjeografik më të mirë të komuniteteve rurale dhe sjellin përvoja dhe ekspertizë në tematika të rëndësishme të zhvillimit rural të tilla si mjedisi, biodiversiteti, sipërmarrja rurale, zhvillimi rajonal etj.
Pesë organizatat e anëtarësuara/rianëtarësuara janë:
- Shoqata mjedisore “Çajupi” (anëtarësuar më 29 maj 2020)
- Për mirëqënies sociale dhe ambjentale (anëtarësuar më 29 maj 2020)
- Klubi i sipërmarrësve të rinj (anëtarësuar më 29 maj 2020)
- Creative Bussiness Solutions (rianëtarësuar më 29 maj 2020)
- Agjensia e Zhvillimit Rajonal Lezhë (rianëtarësuar më 29 maj 2020)
AP miratoi në unanimitet Raportin Vjetor 2019 si dhe Planin e Veprimit për 2020. Diskutimet mbi Planin e Veprimit sollën sugjerime të vlefshme që përmirësojnë planin duke e bërë më relevant me dinamikat zhvillimore si dhe nevojat dhe mundësitë e organizatve anëtarëve dhe ANRD.
U arrit në përfundimin se nismat e ndërmarra dhe puna e mirë e bërë gjatë vitit paraardhës për konsolidimin dhe forcimin e rrjetit janë pasqyruar në rritjen e interesit të organizatave vendore për të kontribuar por njëkohësisht edhe për të qenë pjesë e sinergjisë dhe mundësive që ofron rrjetëzimi duke përbërë një tregues të rëndësishëm për besueshmërinë, efektivitetin e punës dhe ekspertizën që ofron ANRD.
Gjatë punimeve të Asamblesë, në kuadër të analizës së performancës së vitit të kaluar, u vlerësua vendimmarrja demokratike dhe shpërndarja e drejtë dhe gjithëpërfshirëse e mundësive e cila ka nxitur aktivizmin dhe vullnetarizmin nga ana e antarësisë për aktivitete të përbashkëta.
Gjithashtu, në kuadër të kërkesës statutore për rinovimin e Bordit Drejtues të ANRD, Asambleja diskutoi gjatë dhe hapur dhe mori vendime të rëndësishme. U ra dakord që të plotësohej baza rregullatore e funksionimit të Bordit Drejtues të ANRD në përputhje me statutin, për të rregulluar procesin ripërtëritës dhe përzgjedhjen e anëtarëve të bordit. Nërkohë që duke vlerësuar kontributet dhe përvojën e anëtarëve të bordit, si dhe në funksion të ruajtjes së llogjikës së qeverisjes dhe konsolidimit të mëtejshëm të strukturave drejtuese të ANRD u konkludua në mandatimin për herë të dytë të bordit aktual drejtues. Për t’u njohur me anëtarët e bordit të ANRD klikoni këtu: https://anrd.al/bordi-anrd/.
Asambleja i mbylli punimet në një atmosferë optimiste dhe pozitive me besimin që ndikimi, besueshmeria dhe roli i ANRD do të forcohen cilësisht e thellohen në dobi të rritjes së rëndësisë së agjendës rurale në nivel kombëtar, në linjë me politikën e Bashkimit Evropian për zhvillimin lokal të udhëhequr nga komuniteti.