Në kuadër të edicionit të parë të Çmimeve të Akademisë “Nga Ferma në Tryezë”, u zhvillua ceremonia e ndarjes së çmimeve, një nismë që synon të identifikojë dhe promovojë praktikat më të mira në bujqësinë e qëndrueshme, zhvillimin rural dhe sistemet ushqimore të qëndrueshme. Ceremonia u zhvillua në kuadër të Parlamentit IV Rural Shqiptar, një platformë advokacie që mblodhi rreth 300 pjesëmarrës dhe krijoi një mjedis të përshtatshëm për dialog, bashkëpunim dhe shkëmbim idesh ndërmjet aktorëve të zhvillimit rural, institucioneve publike, fermerëve, organizatave të shoqërisë civile dhe aktorëve të sektorit agro-ushqimor.
Tre fituesit në Shqipëri për edicionin e parë të Çmimeve të Akademisë “Nga Ferma në Tryezë”janë si vijon:
Shkolla e Mesme Profesionale “Mihal Shahini” – “Produkte Zero Kilometër” (Kopshtaqe)
Kjo nismë synon promovimin e produkteve të freskëta dhe lokale që prodhohen dhe shpërndahen brenda zonës, duke reduktuar ndikimin mjedisor dhe duke mbështetur fermerët vendas.
Nisma përfshiu organizimin e tregjeve lokale, aktivitete ndërgjegjësuese, partneritete me biznese lokale dhe krijimin e markës së shkollës “Kopshtaqe”, përmes së cilës u shpërndanë produktet e fermës së shkollës në komunitet. Nisma kontribuon në edukimin e të rinjve mbi bujqësinë e qëndrueshme, reduktimin e emetimeve nga transporti dhe forcimin e ekonomisë lokale.
Bio Farm Gramsh – “Zhvillimi i Fshatit dhe Zonave Rurale”
Bio Farm Gramsh është një nismë që synon zhvillimin e zonave rurale përmes punësimit dhe përfshirjes së të rinjve në bujqësi dhe agroturizëm.
Ferma, e vendosur në zonën e Bulçarit në Gramsh, ka krijuar zinxhirë prodhimi dhe përpunimi të produkteve lokalw. Brenda disa viteve, në këtë fermë janë punësuar 13 familje dhe kanë bashkëpunuar me 9 familje të tjera nga fshatra përreth, duke krijuar gjithashtu një pikë grumbullimi që shërben për fermerët e zonës. Nisma kontribuon në uljen e braktisjes së zonave rurale, rritjen e të ardhurave dhe zhvillimin e agroturizmit në zonë.
Agropuka – “Rritja e vlerës së produkteve lokale në Shqipërinë e Veriut”
Një nga arritjet kryesore të nismës ishte certifikimi i “Kërpudhës së Pukës” si produkt me Tregues Gjeografik të Mbrojtur (PGI), duke rritur vlerën e produktit dhe duke promovuar biodiversitetin dhe trashëgiminë lokale. Kjo nismë përfshiu gjithashtu mbështetje për fermerët, krijimin e grupeve të grave fermere, përmirësimin e infrastrukturës dhe promovimin e teknologjive të qëndrueshme bujqësore. 
Fituesit do të përfaqësojnë Shqipërinë në nivel rajonal dhe do të përfitojnë nga promovimi dhe shkëmbimi i përvojave me iniciativa të tjera në Ballkanin Perëndimor, duke kontribuar në krijimin e sistemeve ushqimore më të qëndrueshme.
***Projekti rajonal “Akademia nga Ferma në Tryezë për Ballkanin e Gjelbër Perëndimor – E ardhmja jonë e përbashkët evropiane” financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet bashkërisht nga rrjetet kombëtare për zhvillim rural në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Kroaci, si dhe nga platforma e tyre rajonale e bashkëpunimit, Rrjeti Ballkanik për Zhvillim Rural.