+355 (04) 2400241 [email protected]

Parlamenti i tretë rural shqiptar – platforma kombëtare dedikuar ngritjes së kapaciteteve, rrjetëzimit dhe advokacisë për zhvillimin e qëndrueshëm rural – do të organizohet më 11-13 tetor 2023 në iniciativën e Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural dhe 34 organizatat anëtare të tij. Kjo platformë përfaqëson përpjekjen më të qëndrueshme të advokacisë nga poshtë-lart duke krijuar hapësirën e duhur për dialog dhe bashkëpunim, shkëmbim dhe diskutimin e çështjeve të rëndësishme dhe aktuale të zhvillimit rural dhe bujqësor si dhe ofrimit të rekomandimeve për rivitalizimin e jetës dhe ekonomisë rurale.
Nisma e Parlamentit Kombëtar Rural – si pjesë e fushatës mbarë evropiane rurale synon të shprehë zërin e komuniteteve rurale duke artikuluar shqetësimet e banorëve të tyre dhe duke promovuar veprimet konkrete të komuniteteve vendase në partneritet me sektorin e shoqërisë civile dhe qeverisjen. Banorët e zonave rurale, fermerët, prodhuesit, blegtorët, gratë dhe të rinjtë, përfaqësuesit e qeverisjes qendore dhe vendore, të akademisë, sektorit privat, komunitetit ndërkombëtar në Shqipëri mblidhen bashkë për t’u takuar, diskutuar çështjet e rëndësishme dhe zgjidhjet konkrete lokale në shërbim të mirëqënies së komuniteteve vendore dhe grupeve të ndryshme sociale të tyre.

Parlamenti i tretë organizohet në vijimësi të dy edicioneve të para të kësaj platforme dhe në funksion të gjetjes së zgjidhjeve lokale të problemeve dhe sfidave të komuniteteve rurale anembanë vendit tonë:

• Parlamenti i parë rural shqiptar organizuar më 28-30 shtator 2017 nga ANRD në partneritet me Universitetin Bujqësor të Tiranës përfaqëson platformën e vetme të advokacisë mbarëkombëtare dhe nga poshtë-lart në sektorin e zhvillimit rural duke bërë bashkë më shumë se 300 pjesëmarrës nga 61 bashkitë e vendit.

• Parlamenti i dytë rural shqiptar organizuar më 4-5 mars 2021 në kushte të pandemisë Covid-19 shënoi një ngjarje unike të advokacisë dhe shkëmbimit për zhvillimin rural duke mbledhur, online dhe në prezencë, më
shumë se 600 pjesëmarrës falë qelizave komunitare.

Parlamenti i tretë vjen në një platformë më të plotësuar duke krijuar për herë të parë mundësi për të rinjtë nga zonat rurale, fermerët dhe sipërmarrësit e rinj të mblidhen në Kuvendin Rinor: me të rinjtë, për të rinjtë, nga vetë të rinjtë e Qendrës Rinore Rurale. Gjithashtu, Edicioni i V-të i Pro Grave Rurale 2023 do të organizohet në kuadër të platformës së Parlamentit Rural për të fuqizuar advokacinë për një sektor bujqësor dhe rural, komunitete dhe shoqëri me mundësi të barabartë për të gjithë.

Për informacione të mëtejshme mbi nismën e Parlamentit të tretë rural shqiptar, mund të kontaktoni zyrën e Koordinatores Kombëtare të Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural në adresën e e-mailit: [email protected]

 

Për të lexuar deklaratën e plotë klikoni këtu: