+355 (04) 2400241 [email protected]

NJOFTIM PËR MEDIA

Dita Ndërkombëtare e Grave Rurale – Një thirrje për t’u zgjuar për eliminimin e pabarazive gjinore në sektorin agro-ushqimor

Elbasan, 15 tetor 2022 – Për të katërtin vit rresht, “Pro-grave Rurale” i dha zë sukseseve dhe sfidave të sipërmarrëseve nga zonat rurale. Në komunitetin e vogël të Shirgjan në Elbasan, vajza dhe gra nga bashkitë Kolonjë, Korçë, Elbasan dhe Pukë diskutuan mbi sfidat e tyre në sektorin agro-ushqimor. Për më tepër, ato kërkuan të ndërmerren veprime për të përmirësuar mirëqenien e tyre dhe për të pakësuar kufizimet  që zvogëlojnë produktivitetin dhe potencialin e tyre sipërmarrës.

“Nga pushteti qendror mund të dalin ligje të kulluara si uji i përroit, por ato turbullohen rrugës dhe ndaj sot kemi këto vështirësi. Të flasësh për gratë e zonave rurale duhet që fillimisht ta njohësh mirë realitetin. Po të shohësh duart e grave rurale është për t’i vënë duart kokës dhe ndaj i bëj thirrje pushtetit vendor të ndërhyjë dhe të mbështesë grupet e grave rurale, të cilat fatmirësisht janë ekzistente, në formalizimin e aktivitetit” – tha Maria Frroku, përfaqësuese e grupit të grave Gjegjan, Pukë.

Edhe Evelina Azizaj, Koordinatore Kombëtare e Rrjetit Shqiptar për Zhvillim Rural, theksoi se “Pro Grave Rurale shërben si një mundësi për të bërë të ndërgjegjshëm institucione dhe aktorë të angazhuar, mbi rëndësinë e rritur për instrumente dhe veprime konkrete për të përmirësuar mirëqenien e vajzave dhe grave në zonat rurale, veçanërisht në kohë të sfidave të mëdha sociale, ekonomike, shëndetësore dhe politike”.

Sipas Zv. Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ermira Gjeci, problematika e formalizimit të aktiviteteve të grave në zonat rurale do të gjej zgjidhje nëpërmjet iniciativës së re për barazi gjinore rurale. “Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me Agjencitë e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Agrikulturë dhe Gratë, janë angazhuar me anë të projektit GREAT të arrijnë zhvillimin e kapaciteteve të grave nëpërmjet formalizimit të aktiviteteve të tyre, forcimin e rolit dhe kontributit të tyre në zhvillimin rural”, u shpreh ajo.

Në diskutimin mbi kufizimet që zvogëlojnë potencialin produktiv dhe sipërmarrës të grave në zonat rurale, Estela Bulku, Drejtuese e Programeve të UN Women në Shqipëri tha se “Sot, vetëm 8% e fermave në Shqipëri drejtohen nga gratë. Gratë në zonat rurale përballen me diskriminime të ndryshme që kanë të bëjnë me pabarazi në vendimmarrje, stereotipe gjinore si dhe me ndarje të pabarabartë të kontributit dhe të punës së papaguar”, duke nënvizuar nevojën për angazhim të përbashkët për përmirësimin e mirëqenies së vajzave dhe grave.

Përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bashkisë Elbasan dhe institucione të qeverisjes vendore dhe kombëtare, organizata për të drejtat e njeriut dhe aktorë të tjerë, u njohën me rolin e grave në secilën bashki, në bujqësi dhe zhvillimin rural, sigurinë ushqimore dhe zbutjen e varfërisë. Për më tepër, zërat e grave fermere të Kolonjës, Korçës, Elbasanit dhe Pukës do të përforcohen në një deklaratë të përbashkët që do t’u dërgohet institucioneve përgjegjëse, mbi nevojat, sfidat dhe aspiratat për fuqizimin e mëtejshëm ekonomik në sektorin agro-ushqimor dhe për ngritjen e sistemeve ushqimore të qëndrueshme.

Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Mbështetje për fuqizimin ekonomik dhe social të grave rurale në bashkitë Elbasan dhe Kolonjë” i cili zbatohet nga Rrjeti Shqiptar për Zhvillim Rural në kuadër të projektit Barazi Gjinore Rurale dhe Turizëm (GREAT), i financuar nga Qeveria Italiane dhe zbatuar nga UN Women and FAO, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.