+355 (04) 2400241 [email protected]

NJOFTIM PËR MEDIA
Dita Ndërkombëtare e Grave Rurale –
Gratë e Komuniteteve Rurale Ruajtëse Të Natyrës Për Të Ardhmen e Përbashkët

Tiranë, 15 tetor 2024 – Për të gjashtin vit radhazi, “Pro-grave Rurale” solli në vëmendje sfidat dhe aspiratat e grave dhe vajzave nga komunitetet rurale. Në ambientet e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, më shumë se 60 vajza dhe gra nga komunitetet rurale të bashkive Dibër, Pukë, Kolonjë, Korçë, Elbasan dhe Durrës diskutuan rreth sfidave që pengojnë produktivitetin e tyre në sektorin agro-ushqimor. Dita Ndërkombëtare e Grave të angazhuara në bujqësi dhe zhvillim rural shërben si një platformë e qëndrueshme për t’u përfshirë në diskutime rreth sfidave dhe prioriteteve të tyre si dhe për të identifikuar hapat që institucionet dhe shoqëria duhet të ndërmarrin për fuqizimin e tyre social ekonomik.

Sot, fokusi ynë është mirëqenia e grave dhe vajzave të komuniteteve rurale. Njohja e sfidave dhe gjetja e zgjidhjeve praktike për to është hapi i parë për të avancuar dialogun me strukturat politikëbërëse, duke lehtësuar kështu përballimin e këtyre sfidave” – u shpreh Majlinda Hoxha, Sekretare e Përgjithshme e Rrjetit Shqiptar për Zhvillim Rural.

Sipas Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, fuqizimi ekonomik i grave në sektorin agro-ushqimor rurale mund të arrihet përmes rritjes së aksesit në skemat mbështetëse dhe nxitjes së bashkëpunimit midis tyre. “Pro Grave Rurale na mblodhi së bashku jo vetëm për këtë event, por edhe për të konkretizuar çfarë duhet të ndryshojmë me instrumentet tona për të sjellë më shumë mbështetje financiare të drejtpërdrejtë në fokusin tuaj. Skemat Kombëtare për Bujqësinë duhet të kenë një zë më të fuqishëm për gratë sipërmarrëse. Orientimi drejt bashkëpunimit mes operatorëve është një mundësi e artë për të tejkaluar vështirësitë ekonomike, në mënyrë që produktet e tyre të njihen jo vetëm në tregjet kombëtare, por edhe në ato ndërkombëtare.”

Zheni Gjergji, Kryetare e Komisionit Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, u ndal tek sfidat me të cilat përballen gratë në zonat rurale: “Gratë dhe vajzat në zonat rurale përballen me një sërë sfidash duke filluar nga aksesi i ulët në shërbime arsimore dhe shëndetësore, mungesa e transportit, ujit të pijshëm e deri te qasja dhe pronësia mbi burimet prodhuese dhe financiare. Në vendin tonë, rreth 55% e të punësuarve në bujqësi janë gra, por vetëm 7% e tyre drejtojnë ferma. Është domosdoshmëri integrimi i grave nga zonat rurale në tregun e punës dhe zhvillimi i aftësive të tyre sipërmarrëse. Në këtë drejtim, strukturat vendore dhe qeverisja lokale duhet të luajnë një rol shumë të rëndësishëm për fuqizimin ekonomik të grave.”

Gjatë diskutimeve, gratë pjesëmarrëse shprehën nevojën për më shumë qasje në trajnime, rritje të kapaciteteve dhe të aksesit në burimet financiare, si mundësi për fuqizimin e tyre ekonomik. “Grupi i grave ‘Duarartat e Leskovikut’ janë të angazhuara në prodhimin dhe tregtimin e zahireve të dimrit.Falë mbështetjes së FAO-s, kemi në dispozicion inkubatorin ‘Duarartat e Leskovikut’ me teknologji dhe infrastrukturë moderne. Megjithatë, ndiejmë se kemi ende nevojë për  ndihmë që të jemi më të pranishme në treg dhe të rrisim të ardhurat tona,” – u shpreh Majlinda Mehmeti, Drejtuese e Inkubatorit të Zahireve.

Në diskutimin mbi situatën sociale dhe ekonomike të grave dhe vajzave të angazhuara në sektorin agro-ushqimor, një rëndësi të veçantë mori çështja e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Pavarësisht se skema e sigurimeve shoqërore favorizon gratë e vetëpunësuara në bujqësi përmes kontributeve të ulëta për shkak të subvencionimeve nga shteti, kjo skemë ende nuk vlerësohet e përshtatshme me sfidat e sektorit.  Skema nuk merr parasysh pamundësinë paguese të kontributeve nga fermerët, përfshi këtu edhe gratë dhe vajzat e vetpunësuara në bujqësi, në vitet e vështira të fermave, kur nuk munden të gjenerojnë të ardhura të mjaftueshme nga aktiviteti bujqësor. Gjithashtu, kriteri bazë i pëfshirjes në skemë, pronësia mbi tokën –  përjashton fermerët, përfshi edhe gratë dhe vajzat e vetpunësuar në bujqësi, nga skema  të cilët punojnë tokën, por nuk zotërojnë dokumentet e pronësisë mbi tokën, për shkak të reformës të papërfunduar të tokës, apo në rastet kur jetojnë në zonat malorë dhe nuk kanë tokë në pronësi, apo dhe rastet e blegtorëve që nuk zotërojnë tokë në pronësi, por bagëti. Në këto raste, kriteri që do të mund të lehtësonte përfshirjen e fermerëve në skemë do të ishte jo pronësia mbi tokën, por NIPT aktiv i fermerit.

Përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe institucione të qeverisjes vendore dhe qendrore, organizata për të drejtat e njeriut dhe aktorë të tjerë, u njohën me rolin e grave në bujqësi dhe zhvillimin rural, dhe ruajtjen e natyrës për të ardhmen e përbashkët. Për më tepër, zërat e grave fermere të Dibrës, Pukës, Kolonjës, Korçës, Elbasanit dhe Durrësit do të përforcohen në një deklaratë të përbashkët që do t’u dërgohet institucioneve përgjegjëse, mbi nevojat, sfidat dhe aspiratat për fuqizimin e mëtejshëm ekonomik në sektorin agro-ushqimor.