Deklarata e Parlamentit IV Rural Shqiptar prezantohet në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural duke shënuar fillimin e një mekanizmi të ri bashkëpunimi për mbështetjen e reformave dhe procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
Takimi u organizua për prezantimin e Deklaratës së Parlamentit IV Rural Shqiptar, dokument që përmbledh mesazhet, prioritetet dhe rekomandimet e dala nga procesi gjithëpërfshirës i konsultimit dhe dialogut të zhvilluar gjatë Parlamentit Rural, i cili mblodhi rreth 300 përfaqësues të komuniteteve rurale, fermerëve, organizatave të shoqërisë civile, grupeve vendore të veprimit, autoriteteve vendore, institucioneve publike, akademisë, biznesit dhe partnerëve të zhvillimit.
Në fjalën e tij të hapjes, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural vlerësoi rëndësinë e Deklaratës si një kontribut të vlefshëm që buron nga një proces i gjerë konsultimi me aktorët e zhvillimit rural.
“Jemi këtu për t’u njohur me gjetjet e Deklaratës që buron nga Parlamenti Rural. Procesi i integrimit kërkon instrumente të reja, politika të reja, përafrim të legjislacionit, qasjen LEADER dhe krijimin e rrjeteve kombëtare përmes dialogut dhe rekomandimeve. Jemi këtu për të dëgjuar dhe për të mbajtur shënimet e duhura,” u shpreh Ministri.
Parlamenti Rural si platformë kombëtare për dialog dhe konsultim
Në vijim të fjalës së Ministrit, Kryetari i Bordit të ANRD-së, Sotiraq Hroni theksoi se Parlamenti Rural Shqiptar është shndërruar në një platformë të rëndësishme kombëtare dialogu, e cila gjatë viteve ka forcuar ndërveprimin ndërmjet komuniteteve rurale, organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve publike. Ai solli në vëmendje se edhe gjatë periudhës së pandemisë, përmes organizimit të qelizave komunitare, Parlamenti Rural arriti të sigurojë një pjesëmarrje të gjerë nga territori, duke dëshmuar se dialogu nga poshtë-lart mund të zhvillohet edhe në kushte sfiduese.
Sipas tij, sfida kryesore mbetet institucionalizimi i konsultimit publik dhe ndërtimi i një bashkëpunimi më të strukturuar ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe aktorëve të zhvillimit rural. Ai theksoi se ANRD, përmes rrjetit të saj kombëtar dhe organizatave anëtare me shtrirje në të gjithë territorin, ka krijuar ndër vite një kapital të rëndësishëm ekspertize dhe njohjeje të realitetit rural, i cili duhet të vlerësohet dhe të shfrytëzohet në proceset e hartimit dhe zbatimit të politikave publike. Ai nënvizoi gjithashtu nevojën që të gjitha strukturat e Ministrisë të njihen më mirë me punën, agjendën dhe kontributin që sjell ANRD dhe organizatat e tjera të shoqërisë civile, duke theksuar se forcimi i sinergjisë ndërmjet institucioneve publike dhe rrjeteve të organizuara të aktorëve ruralë do të rriste ndjeshëm cilësinë dhe efektivitetin e politikave për bujqësinë dhe zhvillimin rural.
Dialog i hapur mbi prioritetet e zhvillimit rural
Në vijim të takimit, Koordinatorja Kombëtare e ANRD-së, Evelina Azizaj prezantoi procesin e hartimit të Deklaratës së Parlamentit IV Rural Shqiptar, duke theksuar se ajo përfaqëson zërin kolektiv të komuniteteve rurale dhe një kontribut konkret për hartimin e politikave publike në mbështetje të zhvillimit rural dhe integrimit evropian të Shqipërisë.
Takimi u zhvillua në formën e një dialogu të hapur mbi rekomandimet e Deklaratës dhe jo si një prezantim formal i saj. Katër pjesëmarrës, kontribues të procesit të përgatitjes së Deklaratës që nga disktutimet tematike në Parlamentin rural, Rozeta Gradeci, Besmira Kuka, Nexhmi Torra dhe Petrit Dobi prezantuan mesazhet kryesore dhe rekomandimet e disa prej tematikave prioritare -zhvillimi rural gjithëpërfshirës dhe qasja LEADER/CLLD, fuqizimi i grave në sektorin agro-ushqimor, bujqësia familjare dhe transhumanca – të cilat gjeneruan një shkëmbim aktiv mendimesh ndërmjet përfaqësuesve të Ministrisë, organizatave anëtare të ANRD-së dhe partnerëve të zhvillimit.
Pjesëmarrësit nënvizuan se procesi i integrimit evropian kërkon një dialog më të strukturuar ndërmjet institucioneve publike dhe organizatave të shoqërisë civile, si dhe një njohje më të mirë të kontributit që organizatat ofrojnë përmes ekspertizës, pranisë territoriale dhe përvojës shumëvjeçare në mbështetje të reformave në bujqësi dhe zhvillim rural.
Në diskutim u theksua gjithashtu rëndësia e fuqizimit të qeverisjes vendore dhe përfshirjes së saj në hartimin dhe zbatimin e politikave rurale, ndërsa ANRD prezantoi angazhimin për të aktivizuar forumet rajonale si mekanizma të dialogut dhe advokacisë nga poshtë-lart. Përtej rekomandimeve të Deklaratës, organizatat dhe pjesëmarrësit e pranishëm ndanë iniciativa konkrete që tashmë kontribuojnë në adresimin e prioriteteve të saj. Ndër to u përmendën programet e UN Women Albania për fuqizimin ekonomik të grave rurale, iniciativa e organizatave partnere për organizimin e takimeve rajonale të barinjve në kuadër të Vitit Ndërkombëtar të Pastoralizmit, si dhe projekti i ri i ANRD-së, i mbështetur nga We Effect, që synon forcimin e nismave kolektive dhe advokacisë përmes forumeve rajonale.
Grup pune për vijimin e dialogut
Një nga rezultatet më të rëndësishme të takimit ishte dakordësimi për krijimin e një grupi pune, i cili do të drejtohet nga Zëvendësministri z. Fatmir Guri dhe do të shërbejë si mekanizëm komunikimi ndërmjet Ministrisë dhe ANRD-së për ndjekjen e rekomandimeve të Deklaratës.
Në fjalën e tij, Zëvendësministri theksoi se Parlamenti Rural dhe Deklarata janë pjesë e procesit të politikëbërjes, duke i cilësuar rekomandimet si informacion të gatshëm për përdorim në proceset institucionale. Ai bëri të ditur se Ministria ka nisur procesin e hartimit të Strategjisë së re për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, duke nënvizuar se rekomandimet e Deklaratës duhet të reflektohen në këtë dokument strategjik dhe se grupi i punës do të luajë një rol të rëndësishëm në këtë proces.
Në përmbyllje të takimit, Koordinatorja Kombëtare e ANRD falenderoi Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për gatishmërinë për të hapur këtë dialog institucional, organizatat anëtare të ANRD-së, partnerët zhvillimorë dhe të rinjtë e Rural Youth Hub për kontributin e tyre në proces.
Ajo prezantoi gjithashtu projektin e ri të ANRD-së, të mbështetur nga We Effect, i cili synon aktivizimin e forumeve rajonale dhe forcimin e dialogut shumëpalësh për zhvillimin rural në nivel vendor. Në të njëjtën kohë, ANRD shprehu gatishmërinë për të mbështetur Ministrinë në organizimin e proceseve të konsultimit mbi tematika të ndryshme të politikave publike, në mënyrë që nevojat dhe evidencat nga komunitetet rurale të vazhdojnë të informojnë hartimin, zbatimin dhe monitorimin e reformave.
***
Organizimi i Parlamentit të IV Rural Shqiptar dhe përgatitja e Deklaratës së Përbashkët u mundësuan falë mbështetjes së partnerëve dhe projekteve të mëposhtme:
■ Projekti “Mbështetje institucionale për Shqipërinë në sektorët e bujqësisë dhe peshkimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian – EU GoAL”, financuar nga Ministria Italiane e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, përmes Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim (AICS), dhe i zbatuar nga CIHEAM Bari;
■ Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), përmes programeve dhe iniciativave që mbështesin transformimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe zonave rurale, përfshirë Business, Partnerships and Solutions for SDGs (B4SDGs), Digital Agriculture and Rural Transformation in Albania (DART), si dhe Mbështetje për përmirësimin e menaxhimit të tokës dhe zhvillimit rural lokal në kontekstin e integrimit në BE.
■ Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural, përmes projektit rajonal “Akademia nga Ferma në Tryezë për Ballkanin Perëndimor të Gjelbër – E ardhmja jonë e përbashkët evropiane”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga konsorciumi i Rrjeteve Kombëtare për Zhvillimin Rural në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Kroaci, së bashku me platformën e tyre rajonale të bashkëpunimit, Rrjeti Ballkanik për Zhvillimin Rural.
■ UN Women Shqipëri, në kuadër të projektit “Fuqizimi i grave për zhvillim rural në Shqipërinë e Veriut”, i zbatuar nga UN Women dhe i financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar e Italisë.
ANRD shpreh mirënjohjen e vet për të gjithë partnerët, bashkitë pritëse, ekspertët, moderatorët, raportuesit dhe pjesëmarrësit që kontribuan në Parlamentin e IV Rural Shqiptar dhe në hartimin e Deklaratës.



