Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Grave Rurale, Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD), në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë si UN Women, AICS, Bashkimi Evropian dhe We Effect, organizoi edicionin e 7-të të eventit “Pro Grave Rurale”. Kjo ditë mblodhi sëbashku gra dhe vajza zonat rurale nga Kopliku, Shkodra, Vau i Dejës, Dibra, Bulqiza, Elbasani, Kolonja and Tirana  dhe shërbeu si një thirrje për solidaritet shoqëror për të adresuar pabarazitë me të cilat përballen gratë e zonave rurale në aksesin në burime, shërbime dhe role drejtuese.

Edicioni i këtij viti u fokusua në të drejtën e grave të zonave rurale mbi pronësinë e tokës, me synimin e rritjes së ndërgjegjësimit të grave  mbi të drejtat e tyre ligjore dhe advokuar për ndryshime strukturore që garantojnë barazi në pronësinë e tokës dhe shpërndarjen e burimeve prodhuese.

Eventi u çel nga Majlinda Hoxha, Sekretare e përgjithshëm e ANRD e cila ndër të tjera tha: Gratë rurale kontribuojnë në familje, në komunitet dhe në shoqëri; janë punëtore, ruajtëse të burimeve natyrore, bartëse të traditës lokale dhe heroinat e heshtura që sigurojnë ushqim cilësor për të gjithë. Megjithatë, shpesh na quajnë “gratë e fermerëve”, kur në fakt ne jemi vetë fermeret, nënat e brezit të ri, dhe kujdestaret e jetës rurale. Kjo tregon jo vetëm kontributin tonë të jashtëzakonshëm, por edhe sfidat me të cilat përballemi çdo ditë.

Andi Salla, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural u ndal tek rëndësia e ofrimit të mundësive të barabarta për gratë dhe vajzat nga komunitetet rurale: Shqipëria është e pasur me burime natyrore, kulturore dhe njerëzore. Për të shfrytëzuar me mençuri dhe në mënyrë të qëndrueshme këtë pasuri, është thelbësore të fuqizojmë gratë dhe vajzat në komunitetet rurale. Kur ato kanë mundësi të barabarta për pjesëmarrje, gratë dhe vajzat bëhen motorë të zhvillimit të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të zonave rurale.

Mario De Rosa, Drejtues i Zyrës Ekonomike dhe Tregtare të Ambasadës Italiane në Tiranë vuri theksin tek rëndësia e të drejtës së grave mbi tokën dhe pronën si bazë e barazisë gjinore: Eventi i sotëm, i dedikuar të drejtave të grave mbi tokën dhe pronën, prek një dimension themelor të barazisë: të drejtën për të pasur qasje, zotëruar dhe kontrolluar burimet që mundësojnë pjesëmarrje të plotë në jetën ekonomike dhe shoqërore. Ndërsa shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Grave Rurale, jemi mbledhur këtu jo vetëm për të festuar kontributin e grave në zhvillimin rural, por edhe për të riafirmuar angazhimin tonë të përbashkët për krijimin e një mjedisi mundësues për të gjitha gratë dhe vajzat, veçanërisht ato nga komunitetet rurale.

Letizia Fischioni, Zëvendësdrejtoreshë e AICS Tiranë u ndal tek rëndësia e eventeve te tilla që advokojnë për fuqizimin e grave dhe vajzave nga komunitetet lokale: Ky event përfaqëson kulmin e një përpjekjeje të jashtëzakonshme kolektive që është bërë për të amplifikuar zërat e grave dhe vajzave nga zonat rurale. Ai thekson rolin e tyre të pazëvendësueshëm të tyre, jo vetëm si agjentë ndryshimi, por edhe si baza e mirëqenies për mijëra familje rurale në të gjithë Shqipërinë.

Në vijim, sesioni plenar “Zëra nga terreni” solli histori frymëzuese nga gra dhe vajza të angazhuara në sektorin agro-ushqimor, që treguan rrugëtimin e tyre drejt pavarësisë ekonomike, si dhe sfidat me të cilat ato përballen në përditshmërinë e tyre. Ky sesion u pasua nga ndërhyrja e eksperteve ligjore të UN Women dhe të Qendrës për Nisma Ligjore e Qytetare dhe synoi të rrisë ndërgjegjësimin mes grave rurale mbi të drejtat e tyre ligjore, hapat praktikë për të kërkuar dhe mbrojtur këto të drejta, si dhe mekanizmat mbështetës të disponueshëm.

Një moment i veçantë i eventit ishte ndarja e Çmimit “Liljana Isakaj: Për lidershipin në fuqizimin e grave rurale”. Ky çmim nderon figura që kanë kontribuar në zhvillimin rural dhe në fuqizimin e grave në komunitetet rurale, duke vijuar trashëgiminë e aktivistes Liljana Isakaj. Një momentet tepër i veçantë dhe emocionues i eventit ishte dhënia e çmimit “Liljana Isakaj” Për Lidership në Fuqizimin e Grave të Zonave Rurale, një nismë kushtuar nderimit të trashëgimisë së jashtëzakonshme të Zj.Liljana Isakaj, e cila ia kushtoi jetën e saj zhvillimit rural dhe fuqizimit ekonomik të grave rurale. Si epitomë e grave rurale, Liljana hapi rrugën për progres, lidership dhe ndryshim pozitiv në komunitetet rurale. Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural dhe  Adad Malore, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural kanë krijuar një komitet për themelimin dhe administrimin e çmimit “Liljana Isakaj” Për Lidership në Fuqizimin e Grave të Zonave Rurale. Komiteti vlerësoi me këtë çmim  Flutura Begun nga Gjegjan, Pukë. Flutura, është një ndër gratë e para që nisi prodhimin e jufkave tradicionale që në fillim të viteve 2000, ka sfiduar normat dhe paragjykimet e kohës. Ajo është kthyer në frymëzim për shumë gra dhe vajza të zonës që synojnë pavarësinë përmes punës së tyre.

Në përmbyllje, u organizua panairi “Duart që na ushqejnë”, ku gratë pjesëmarrëse ekspozuan produkte tradicionale agro-ushqimore dhe artizanale, duke promovuar vlerat e produkteve lokale dhe trashëgiminë kulturore të zonave rurale në Shqipëri.

***Edicioni i 7-të i “Pro Grave Rurale” u realizua me mbështetjen e UN Women përmes projektit “Fuqizimi i grave për zhvillim rural në Shqipërinë e Veriut”, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë.