Grupi Vendor i Veprimit (GVV) “Kolonja e Gjelbër” në bashkëpunim me Rrjetin Shqiptar për Zhvillimin Rural organizoi Festën “Miqtë e Malit”, më 7 shtator në Shën Pjetër, Ersekë. Festa bëri bashkë më shumë se 100 pjesëmarrës duke përfshirë banorë të komunitetit, dashamirës të natyrës si Korca Alpin, klubi i futbolit i fëmijëve i ekpit Gramozi, gra artizane nga Kolonja dhe Pogradeci dhe grupe turistësh e vizitorë. Gjithashtu të pranishëm ishin dhe përfaqësues të Bashkisë Kolonjë dhe institucioneve të tjera publike. Ky event ofroi një eksperiencë të paharrueshme për pjesëmarrës të të gjitha moshave dhe interesave. Festa “Miqtë e Malit” synoi promovimin e një prej atraksioneve kryesore të zonës, Malin e Gramozit, dhe rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e mbrojtjes së pasurisë natyrore dhe biodiversitetit të zonës.
Festa u çel herët në mëngjes nga një grup pjesëmarrësish që u ngjitën në Malin e Gramozit. Të shoqëruar nga një guidë lokale ata patën mundësinë të shijojnë pamjen e mrekullueshme dhe të veçantë që ofron ky mal. Pjesëmarrësve iu bashkua Korça Alpin, organizatë që promovon turizmin malor, sportet në natyrë dhe mbrojtjen e mjedisit. Pas ngjitjes në Malin e Gramozit pjesëmarrësit u mblodhën pranë Kishës së Shën Stefanit ku u bë hapja e festës dhe u zhvillua pjesa tjetër e aktiviteteve.
Festa u hap nga Z. Erjon Isai, Kryetar i Bashkisë Kolonjë, i cili njohu rolin e rëndësishëm të GVV “Kolonja e Gjelbër” në zhvillimin e qëndrueshëm të Kolonjës dhe promovimin e turizmit rural. Ndër të tjera ai u shpreh: “GVV Kolonja e Gjelbër është një ndër GVV-të më aktive dhe ne e konsiderojmë si një aktor të rëndësishëm në projekte të ardhshme siç është krijimi i Shtegut të Lirisë apo krijimi i parcelave natyrore me shumëllojshmëri bimore që do të shërbejnë si atraksione turistike të rëndësishme të zonës.”
Në vijim Z. Paskal Vogli, Drejtor Ekzekutiv i GVV “Kolonja e Gjelbër” ju uroi mirëseardhjen të gjithë pjesëmarrësve në Festën “Miqtë e Malit”. Z. Vogli e vuri theksin tek rëndësia e bashkëpunimit i cili qëndron në zemër të qasjes LEADER: Rijetëzimi dhe formalizimi i GVV “Kolonja e Gjelbër” erdhi përmes një procesi të gjatë dhe dinamik në thelb të të cilit qëndron bashkëpunimi midis shumë aktorësh. Ky proces u udhëhoq nga Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural, mbështetja e të cilit ka shkuar përtej mbështetjes profesionale dhe na ka shtuar besimin në qasjen LEADER.”
Në fjalën e saj Zj. Evelina Azizaj, Koordinatore Kombëtare e Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural, ndër të tjera u ndalua tek vizioni që udhëheq GVV “Kolonja e Gjelbër”: “Teksa jam këtu sot dhe ndjej entuziasmin që na ka shoqëruar përgjatë të gjithë punës tonë me GVV “Kolonja e Gjelbër” besoj shumë tek vizioni “Ta bëjmë Kolonjën për kolonjarët dhe për të tjerët!” Kjo sepse Kolonja ka gjithçka çfarë duhet për të krijuar mirëqenie për banorët dhe për të pritur turistë dhe vizitorë.
Në vijim u zhvillua biseda “Ruatja e burimeve natyrore dhe biodiversitetit të zonës”. Kjo bisedë midis ekspertëve dhe pjesëmarrësve u fokusua në pasurinë e madhe natyrore të kësaj zone, sfidat me të cilat banorët përballen në menaxhimin e këtyre burimeve dhe mënyrave sesi këto burime mund të përdoren në mënyrë të qëndrueshme. Një ndër çështjet e diskutuara përfshin shpalljen e Malit të Gramozit si Zonë e Mbrojtur për shkak të pasurisë së veçantë të kësaj zone. Biseda u ndoq nga performanca e grupit të valleve të zonës, që nën ritmin e këngëve të këngëtarit të mirënjohur Vaskë Curri, krijoi një atmosferë të mrekullueshme. Festa ofroi hapsirë dhe për fëmijët të cilët patën mundësi t’i bashkohen grupit të piktorëve të vegjël dhe klubit të moshave të futbollit “Gramozi”. Gjithashtu pjesëmarrësit u njohën me produktet tradicionale të zonës përgjatë Panairit të Artizanatit dhe Produkteve Lokale. Në vijim festa u mbyll nën ritmet e muzikës tradicionale dhe degustimit të produkteve lokale të zonës. Dëshira dhe synimi i përbashkët i të gjithë aktorëve të pranishëm në këtë event është kthimi i kësaj feste në një traditë të përvitshme për të mbajtur gjallë pasurinë natyrore dhe kulturore të Kolonjës.
***Ky aktivitet u organizua në kuadër të zbatimit të projektit “Fuqizimi i Grave në Zonat Rurale dhe Turizmi” që Rrjeti Shqiptar për Zhvillim Rural po zbaton në rolin e nënkontraktorit, së bashku me UN Women Albania të financuar nga Qeveria Italiane dhe në partneritet me Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.