Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD) organizoi Forumin rural rajonal të Drinit më 6 mars 2020 në qytetin e Lezhës. Forumi u organizua në kuadër të Parlamentit të dytë rural shqiptar (2-3 prill 2020) dhe përfaqëson të parin nga katër forumet që do t’i paraprijnë Parlamentit. Forumi u mirëprit nga AGROPUKA, një prej organizatave anëtare të ANRD-së.
Forumi një ditor bëri bashkë rreth 80 pjesëmarrës, përfaqësues të institucioneve të ndryshme publike, autoriteteve lokale, organizatave të shoqërisë civile, shoqatave të fermerëve dhe grupeve prodhuese, grave dhe të rinjve ruralë, sipërmarrësve vendorë, qytetarë aktivë e të tjerë nga gjithë rajoni i Drinit, përkatësisht nga qarqet Shkodër, Lezhë dhe Kukës. I konceptuar si ndërthurje e sesionit plenar që trajtoi gjerësisht sfidat zhvillimore të rajonit të Drinit dhe politikat agrare dhe rurale, me prezantimin motivues prej të ftuarit mbi biznesin social si alternativë për ofrimin e shërbimeve të nevojshme në zonat rurale dhe, së fundmi me workshopet paralele mbi konsultimin publik për strategjinë e re ndërsektoriale të bujqësisë dhe zhvillimit rural, Forumi u shndërrua në një hapësirë dinamike ndërveprimi.
Forumin e çeli z. Sabah Djaloshi, Drejtor ekzekutiv i Agro Puka, i cili nënvizoi se Forumi synon krijojë mundësi për aktorët e zhvillimit rural të lidhen me proceset vendim-marrëse dhe politikë-bërëse të sektorit. Gjithashtu, Forumi do të diskutojë mbi sfidat zhvillimore të rajonit, do të ofrojë hapësira konsultuese mbi politikat dhe strategjitë që udhëheqin sektorin dhe do të orientojë aktorët në lidhje me veprime konkrete për zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve rurale.
Kryetari i Bashkisë Lezhë z. Pjerin Ndreu përshëndeti pjesëmarrësit dhe vlerësoi zhvillimin e qendrueshëm rural të rëndësishëm për zhvillimin e një turizmi cilësor, si një nga drejtimet ekonomike prioritare të bashkisë që drejton. Z. Ndreu theksoi mbështetjen e ofruar nga bashkia Lezhë për iniciativat në dobi të zhvillimit rural të cilat shtojnë besimin dhe ngjallin shpresën për një jetë më të mirë në komunitetet rurale.
I pranishëm në Forum, z.Gjergj Leqejza Konsull Nderi i Austrisë në Shqipëri, nënvizoi rëndësinë e problematikës në qendër të Forumit duke konsideruar zhvillimin rural një çështje komplekse dhe me shumë aktorë. Turizmi është e ardhmja e Shqipërisë dhe zhvillimi rural është pazgjithshmërisht i lidhur me të, theksoi ndër të tjera ai.
Në sesion e hapjes, zj. Rigerta Loku ngriti shqetësimin mbi stanjacionin e gjendjes në fshat dhe shpopullimin e zonave rurale për shkak të mungesës së ndërhyrjeve reale zhvilluese.
Në hapje të sesionit plenar të Forumit zj. Evelina Azizaj, Koordinatore Kombëtare e ANRD solli në vëmendje nevojën e dukshme për advokaci për më shumë mbështetje dhe vëmendje nga politikat publike për zonat rurale. Zj Azizaj, ndër të tjera tha se në qëndër të advokacisë së ANRD janë fermerët e vegjël, zonat malore dhe të paavantazhuara, të rinjtë dhe gratë rurale, zhvillimi i integruar dhe me pjesëmarrje i zonave rurale nëpërmjet qasjes Leader, rolit të fuqizuar të bashkive në zhvillimin rural etj. Zj. Azizaj tërhoqi vëmendjen mbi rëndësinë e proceseve që lidhin aktorët ruralë me qeverisjen e sektorit duke i mundësuar kësaj të fundit krijimin e një panorame të qartë të nevojave e sfidave të komuniteteve rurale. Në lidhje me këtë, ajo prezantoi edhe nismën e ANRD mbi konsultimin e Strategjisë së re të Zhvillimit Bujqësor dhe Rural që në fazat e para të hartimit të saj. Gjithashtu, ajo informoi pjesëmarrësit se idetë dhe sugjerimet e konsultimit përgjatë forumeve rurale rajonale do të shërbejnë si input për grupin e punës të ngritur pranë Ministrisë.
Prezantimet dhe diskutimet në panel sollën në vëmendjen e të pranishmeve sfidat aktuale të sektorit rural dhe bujqësor të rajonit nga perspektiva të ndryshme, duke përfshirë përfaqësues të autoriteteve vendore, institucioneve publike që investojnë në zhvillin rural, OSHC-ve si dhe nga të rinjtë ruralë. Përmbledhtas pjesëmarrësit në panel dhe diskutimet e tyre jepen më poshtë:
Z. Shpëtim Quku përfaqësues i Fondit Shqiptar për Zhvillim (FSHZH) informoi të pranishmit se është në përgatitje e sipër draft Strategjia për Zhvillimin Rajonal e cila do të fokusohet kryesisht tek ngritja e kapaciteteve njerëzore dhe rritja e produktivitetit në shkallë rajonale. Ajo do të shoqërohet nga Ligji përkatës i Zhvillimit Rajonal i cili është në fazën e draftit të avancuar dhe pritet miratimi. Në përputhje me problemet dhe sfidat e zhvillimit rural në rajon, ai prezantoi edhe prioritetet e FSHZH mbi përmirësimin e infrastrukturës në zonat rurale turistike të konceptuara si pole zhvillimi.
Z.Mustaf Kopani Zv/Kryetar i Bashkisë Pukë solli një panoramë të plotë të gjendjes aktuale të bashkisë Pukë pas reformës administrative-territoriale, duke nënvizuar sfidat në lidhje me zhvillimin e agrobiznesit dhe krijimin e një infrastrukture fizike funksionale në zonat rurale. Z.Kopani vuri në dukje pamundësinë financiare të bashkisë për të përmbushur funksionet që lidhen me zhvillimin rural. Z. Kopani nënvizoi varësinë e madhe financiare nga institucionet qendrore.
Zj.Anna Carboni përfaqësuese e VIS Albania, bëri një përshkrim të rezultateve të mira të punës së organizatave RTM, COSPE dhe VIS në drejtim të zhvillimit të komuniteteve rurale. Duke ju referuar qasjes LEADER, ajo u përqendrua tek cilësia e jetesës si shtylla kryesore e ndërhyrjes dhe apeloi se duhet të jenë vetë komunitetet rurale nxitësit kryesorë të bashkive për ndërhyrje zhvilluese. Ajo përmendi edhe rolin që luan organizata VIS në mobilizimin dhe fuqizimin e të rinjve në zhvillimin rural dhe evidentoi rolin e agjentit të zhvillimit i cili lidhet dhe punon për të ngritur besimin tek vlerat e një zone të caktuar. Ajo konkludoi prezantimin e saj se njerëzit rrinë në një vend, kur e duan atë dhe mirëqenia sociale është një faktor shumë i rëndësishëm për këtë.
Udhërrëfyesi i Youth Hub të ANRD, Gent Imeraj solli në Forum perspektivën e të rinjve ruralë me fokus tek sfidat e digjitalizimit. Ai vuri në dukje fenomenin e emigrimit masiv të të rinjve ruralë dhe vlerësoi se kuadri strategjik për rininë (Plani i veprimit 2015-2020) nuk dëshmoi relevancë në lidhje me këtë çështje. Ai theksoi se migrimi i të rinjve është një problem mbi të gjitha moral, ndaj krijimi i politikave që trajtojnë çështjen e të rinjve si ndërsektorale është emergjente.
I ftuar si folës në Forum, z. Shkëlzen Marku nga fondacioni YUNUS Social Business prezantoi përvoja dhe mundësi të zbutjes së papunësisë dhe ofrimin e shërbimeve në zonat rurale nëpërmjet krijimit të sipërmarrjeve sociale. Prezantimi i z. Marku nxiti pjesëmarrësit për të vlerësuar alternativa të tjera, përvec pritjes nga bashkia apo Ministria, për të përmbushur nevoja aktuale të komuniteteve dhe gjenerimin e vendeve të punësimit.
Forumi krijoi gjithashtu hapësirë për diskutim me pjesëmarrësit mbi problematikat dhe shqetësimet e aktorëve të interesit në rajon. Kryesisht tematika e diskutimeve u përqendrua në skemat mbështetëse kombëtare të bujqësisë dhe zhvillimit rural, rolit të bashkive dhe ndikimi i reformës territoriale në zhvillimin rural, programi i 100 fshatrave dhe ecuria e tij, pylltaria, arsimi profesional, perspetiktiva për të ardhmen në fshat, shërbimi i ekstensionit dhe mbështetja e fermerëve etj.
Forumi vazhdoi diskutimet mbi problematikat aktuale të strukturuara në dy sesione paralele konsultimi mbi strategjinë e bujqësisë dhe zhvillimit rural. Diskutimet u strukturuan në problematike dhe nevoja, në prioritete dhe vizionin për të ardhmen dhe rekomandime për përmirësime. Të gjitha diskutimet u regjistruan për t’u organizuar së bashku me informacionin që do të grumbullohet në forumet e tjera. E gjitha kjo për të sjellë më pranë vendimmarrjes dhe hartuesve të politikave publike të sektorit si dhe të unifikuar nevojat, prioritetet dhe interesat e aktorëve të ndryshëm të zhvillimit rural.
Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit:Rrjetëzim për Zhvillimin Rural me Pjesëmarrje