Në përpjekje për të kontribuar aktivisht në formulimin dhe zbatimin e politikëbërjes së Ministrisë Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD) ka luajtur një rol proaktiv në promovimin e agjendës kombëtare rurale, në dobi të zhvillimit të qëndrueshëm rural dhe bujqësor.
ANRD ka investuar ndër vite në krijimin e një komize të qëndrueshme të bashkëpunimit dhe dialogut me aktorë të ndryshëm në të gjitha nivelet, me synim sigurimin e pjesëmarrjes dhe angazhimit të gjerë të sektorit privat në hartimin dhe zbatimin e politikave efektive, nisur nga besimi ynë në potencialin maksimal të konsultimit me gjithë palët e interesit.
Për sa më sipër, duke vlerësuar momentin e publikimit për konsultim të Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Agroturizmit, ANRD mobilizoi anëtarësinë dhe organizoi Takimin Konsultues mbi Strategjinë Kombëtare për Zhvillimin e Agroturizmit në Shqipëri: Shanset për sukses. Takimi u organizua më 22 shkurt 2024 me synimin për të ofruar një hapësirë konstruktive diskutimi me aktorë të ndryshëm të interesit, për të mbledhur sugjerime dhe kontribute për të përmirësuar dokumentin strategjik. Ky aktivitet përputhet me misionin e ANRD në promovimin e advokacisë nga poshtë-lart për politika rurale efektive, të hartuara dhe të zbatuara në bashkëpunim me komunitetet rurale. Për rrjedhojë, takimi konsultues shënoi një moment të rëndësishëm në përpjekjet tona të vazhdueshme për të unifikuar interesat dhe prioritetet e komuniteteve rurale, për t’i lidhur ato me qeverisjen dhe për të influencuar politika dhe veprime të institucioneve publike dhe të aktorëve të ndryshëm të interesit.
Në vijim të takimit u hartuan një sërë konkluzionesh dhe rekomandimesh të cilat do të shërbejnë për përmirësimin e dokumentit strategjik. Dokumentin me rezultatet dhe rekomandimet e gjeni këtu: Konkluzione dhe Rekomandime mbi Strategjinë Kombëtare për Zhvillimin e Agroturizmit në Shqipëri_ANRD