Tiranë, 1 prill 2020
Drejtuar: SH.T.Z. Edi Rama, Kryetar i Këshillit të Ministrave
Për dijeni të:
Zj. Ogerta Manastirliu, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Kryetare e Këshillit Kombëtar të Shoqërisë Civile
Z. Blendi Çuçi, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Z. Arben Ahmetaj, Ministri Përgjegjës për të Kontrolluar dhe Menaxhuar Situatën Ekonomike gjatë Periudhës së COVID-19 në Vendin tonë.
Zj. Anila Denaj, Ministre e Financave dhe Ekonomisë
Zj. Besa Shahini, Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë
Lënda: Problematika dhe rekomandime në mbështetje të banorëve të zonave rurale në situatën e krijuar nga COVID-19.
I nderuar Zoti Kryeministër,
Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD), i cili përfshin më shumë së njëzet organizata të shoqërisë civile të angazhuara në tematika të ndryshme të zhvillimit rural dhe me shpërndarje gjeografike në gjithë territorin e vendit, shpreh gadishmërinë në ofrimin e mbështetjes për përballimin e krizës të shkaktuar nga COVID-19. Në krye të herës, në zbatim të masave parandaluese të marra nga Qeveria, të gjitha organizatat e ANRD kanë riprogramuar aktivitetet e tyre dhe kanë gjetur alternativa të tjera për të vijuar komunikimin dhe këshillimin me grupet e ndyshme në zonat rurale të vendit. Bazuar në këtë komunikim të vazhdueshëm me kolegë e partnerë, bashkëpunëtorë e përfitues të ndihmës dhe punës sonë, jemi të informuar mbi situatën aktuale në zonat rurale për përballimin e fatkeqësisë natyrore. Këto zona janë ndikuar nga zbatimi i masave shtrënguese të ndërmarra nga Qeveria, më së shumti nga masat që lidhen me kufizimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe ushtrimin e aktiviteteve ekonomike.
Kjo letër e hapur synon të sjellë në mënyrë të unifikuar disa nga shqetësimet kryesore të ngritura nga fermerë e banorë të zonave të ndryshme rurale të vendit përmes organizatave të tyre, anëtare të ANRD. Letra ofron edhe propozime në lehtësimin e problematikës së ngritur si dhe kërkon vëmendjen e strukturave qeveritare ndaj çështjeve kritike që ajo paraqet. Kjo nismë e ANRD është në vazhdën e shumë përpjekjeve të organizatave anëtare në dobi të përmirësimit të jetës së komuniteteve rurale në Shqipëri.
Masat shtrënguese të marra nga Qeveria në kuadër të krizës Covid-19 nuk bëjnë diferencim ndërmjet zonave urbane dhe atyre me karakter rural ndëkohë që dinamikat e jetës dhe ekonomisë dallojnë në të dyja kontekstet dhe kanë specifika. Përshtatja e masave me këto specifika duhet të bëhet e tillë që të ketë efekt pozitiv si në kujdesin ndaj shëndetit ashtu dhe në raport me cilësinë e jetës dhe ekonominë rurale. Kujdesi për shëndetin në këtë kohë të vështirë është dhe duhet të jetë primar për të gjithë. Por, në të njëjtën kohë shprehim shqetësimin për përkeqësimin e cilësisë së jetës në zonat rurale dhe pasojat e zbatimit të masave shtrënguese në ekonominë rurale.
Masat e kufizimit të lëvizjes së njerëzve dhe funksionimi i aktiviteteve ekonomike nuk është përshtatur me specifikat e aktiviteteve bujqësore dhe rurale. Zbatimi i tyre ka shkaktuar një sërë problemesh për fermat familjare, aktiviteti kryesor i të cilave është bujqësia, blegtoria dhe të tjera aktivitete rurale. Aktualisht kjo kohë përkon me sezonin e punëve në bujqësi. Në masën më të madhe i gjithë ky aktivitet kryhet në bazë familje dhe pjesa më e madhe e punëve kryhet në mënyrë manuale. Parcelat apo aktivitetet e tjera në fermë ndodhen në distancë të konsiderueshme nga fshati dhe banesat e fermerëve. Si rrjedhim, shumë fermerë duhet të udhëtojnë ose ecin për kohë të gjatë deri te parcelat e tyre, si për shembull rasti i bletarëve që kanë kosheret e bletëve në zona të tjera larg nga vendi ku jetojnë.
Fasha e orareve nuk është e mjaftueshme për punët në parcelë dhe aktiviteteve bujqësore dhe rurale. Koha e lejuar për lëvizje është penalizuese për aktivitetet prodhuese (mbjellje, trajtime, shërbime në parcelë, fermë, etj) dhe të tjera aktivitete si bletaria, peshkimi etj.
Kontrollet policore për mjetet e transportit dhe mekanikën bujqësore janë të panevojshme në rastet e zonave rurale dhe penalizuese për familjet e lidhura me këto aktivitete.
Këshillimi teknik, farmacitë bujqësore dhe furnitorët të përfshirë në zbatimin e kufizimeve për oraret e lëvizjes, kanë penalizuar prodhuesit dhe grumbulluesit në zonat rurale. Kjo situatë është problematike veçanërisht për zonat e largëta rurale, pasi farmacitë bujqësore gjenden kryesisht në qendrat e qyteteve. Duhet patur në vëmendje se tregtimi i pesticideve bëhet vetëm nga persona të autorizuar dhe sezoni i tanishëm përkon me kohën e trajtimit të një pjese të mirë të kulturave bujqësore.
Në kushtet e kufizimit të lëvizjes, fermerët nuk janë të mbuluar me informacion, këshilla teknike dhe sugjerime nga ana e shërbimit këshillimor (ekstensioni bujqësor). Shërbimi këshillimor përbën një nga instrumentet e rëndësishëm publik në ofrimin e informacionit dhe njohurive teknike për kategoritë e ndryshëm të fermerëve. Situata aktuale tregon se ky shërbim ende nuk ka zhvilluar metoda e praktika të reja për t’u gjendur pranë fermerëve në këtë kohë. Platforma online e këshillimit në bujqësi nuk është aktive, në një kohë kur duhej të ishte e përditësuar dhe funksionale. Dixhitalizimi i këshillimit dhe informacionit bujqësor është jo vetëm kërkesë e kohës, por jetike për fermerët në kushtet e krizës nga COVID-19.
Kohët e vështira si kjo situatë e fatkeqësisë natyre që po përjeton vendi ynë, rëndojnë më tepër familjet e varfëra dhe e bëjnë më të dukshme varfërinë. Zonat rurale kanë tregues varfërie më të lartë, dhe aktualisht ka një seri thirrjesh për ndihmë ndaj familjeve më të varfëra në fshatra. Izolimi fizik i shumë zonave rurale është thelluar edhe më shumë për shkak të kësaj situate. Shumë aktivitete plotësuese të ekonomisë rurale të tilla si bujtina, restorante në fshat, punishte përpunuese, artizanati, guida e të tjera sipërmarrje të vogla agro-turistike janë mbyllur dhe nuk munden të gjenerojnë të ardhurat për familjet e tyre. Këto aktivitete përbëjnë burimin e vetëm të të ardhurave edhe për familjet e tjera në zonë, që i furnizojnë ato me prodhimet e tyre të pakta. E gjithë kjo ka sjellë një nevojë të madhe dhe të dukshme për të mbështetur familjet e varfëra me ushqime bazë. Gjithashtu, çdo grup i cënueshëm i shoqërisë sonë, është dyfish vulnerabël nëse jeton në zonë rurale. Për këtë arsye paketa e ndihmës qeveritare duhet të prioritizojë çdo grup vulnerabël i cili ndodhet në zonë rurale.
Mësimi online nga shtëpia që nisi me mbylljen e shkollave, nuk funksionon në shumë zona rurale, në veçanti në zonat e thella malore. Zonat rurale nuk kanë mbulim të plotë me internet, ose në rastin e një mbulimi të mirë, familjet rurale nuk munden të paguajnë shërbimin e internetit. Dhe aq më tepër kur jo të gjitha familjet kanë mjete komunikimi për të qenë të lidhur në kohë. Mungesa e energjisë elektrike është një tjetër vështirësi në shumë zona të thella. Në këtë kohë kur arsimi po zhvillohet online, shqetësimi për nxënësit e zonave rurale është i natyrshëm. Gjithëpëfshirja – një arritje e lavdëruar e sistemit tonë arsimor, duhet të sigurohet për të gjithë fëmijët pavarësisht zonës ku jetojnë, mundësisë në mjete të komunikimit dhe teknologji. Kjo është sfidë e cila duhet të merret në konsideratë që sa më parë të gjenden alternativa për t’u krijuar nxënësve të zonave rurale qasje në arsim.
Përkeqësimi shëndetësor, social dhe ekonomik i grave dhe vajzave rurale është shqetësim i raportuar nga organizatat që punojnë me fuqizimin e gruas rurale. Të ndërgjegjshëm se situata social-ekonomike e grave rurale është kritike edhe në kohë normale, shqetësimi rritet ndërsa kjo periudhë i pëballë këto grupe me akses të kufizuar në shërbime. Barra e punëve të shtëpisë, edukimi i fëmijëve në kohën kur shkolla nuk funksionon, kujdesi për anëtarët e tjerë të familjes kur kanë shumë anëtarë, pamundësia ekonomike, ndërprerja e ndërveprimit me grupet e organizuara të grave si mjet për fuqizimin e tyre, rrit gjasat për përkeqësim të gjendjes dhe statusit të tyre. Kjo bëhet edhe më problematike në rastet e grave që përjetojnë dhunë në familje.
Problemet e mësipërme janë të rëndësishme për fermerët, aktorët e tjerë të zhvillimit rural, por mbi të gjitha për banorët e zonave rurale dhe si të tilla ato kërkojnë vëmendje dhe reagim në lehtësimin e tyre. Ne jemi të ndërgjegjshëm se në kohëra të tilla krize është më e lehtë identifikimi i problemeve dhe e vështirë gjetja e alternativave për t’i lehtësuar dhe zgjidhur ato. Ndaj për të ndihmuar në përmirësimin e situatës në zonat rurale, organizatat e ANRD propozojnë disa rekomandime në përpjekje për të kontribuar në adresimin e tyre:
- Të rishikohen fashat e kohës për lëvizje dhe të bëhet diferencim për zonat rurale, pjesa e madhe të cilave kanë dendësi të ulët të popullsisë dhe distanca fizike të konsiderueshme për të aksesuar shërbimet bazë;
- Të propozohet fashë kohe më e gjatë për aktivitete prodhuese bujqësore dhe rurale ku puna bazohet kryesisht në bazë familje, sipas një autorizimi specifik;
- Të anullohen penalizimet e deritanishme dhe të lejohet qarkullimi i mjeteve të transportit dhe mekanikës bujqësore për kryerje të aktiviteteve në fermë, sipas një autorizimi specifik;
- Të lejohet përdorimi i numrit të regjistrimit të fermerit, ngjashëm si NIPT-i, për fermerët e paregjistruar si biznes, përgjatë gjithë kohës së masave kufizuese të lëvizjes;
- Të lejohet ofrimi i këshillës teknike (autorizim specifik për specialistët bujqësor) si dhe funksionimi i farmacive bujqësore dhe i furnitorëve, sipas një autorizimi specifik;
- Të mbështetet qeverisja vendore dhe aktorë të tjerë aktiv në zonë, si për shembull OSHC-të, për identifikimin e rasteve të familjeve më të varfëra dhe furnizimin periodik të tyre me paketa ushqimorë bazë;
- Hartëzimi i shpejtë i nxënësve të pambuluar me mësimin online dhe gjetja e alternativave të menjëhershme për përfshirjen e tyre në procesin mësimor.
Duke qenë të ndërgjegjshëm për situatën e vështirë ku gjendemi dhe sfidat e mëdha përballë qeverisjes në këtë kohë krize, ANRD dhe organizatat anëtare shprehin edhe njëherë gadishmërinë dhe Ju garantojmë në vullnetin tonë për të kontribuar në mbështetje të përmirësimit të situatës.
Duke Ju falenderuar për vëmendjen, mbetemi shpresëplotë në një reagim pozitiv në marrjen e masave që ndihmojnë në lehtësimin e shqetësimeve të ngritura për të përmirësuar cilësinë e jetesës në komunitetet rurale.
Sinqerisht,
Evelina Azizaj
Koordinatore Kombëtare
Organizatat anëtare të Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural:
- ADAD Malore (Shoqata Zhvillimi Bujqësor)
- AGRINET ALBANIA
- AGRITAVISION
- AGROPUKA
- Agjencia për Zhvillimin e Zonave Malore (MADA)
- Aleanca e Alpeve Shqiptare
- CESVI Onlus
- COSPE
- DORCAS Albania
- Federata Kombëtare e Bletërritësve të Shqipërisë
- Federata Bujqësore e Elbasanit
- Gruaja në Bujqësinë e Qëndrueshme
- Instituti i Bujqësise Biologjike
- Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim
- Instituti për Paqe, Zhvillim dhe Inovacion Acli (ACLI-IPSIA)
- Konsorcium Pro Përmet
- Programi për Mbështetjen e Shoqatave Rurale (RASP)
- Qendra për Zhvillim dhe Integrim
- Reggio Terzo Mondo
- Shoqata “Integrimi”
- Shoqata e Zhvillimit të Bujqësisë së Rretheve Malore (ADAD)
- VIS ALBANIA
- Vizion i Gjelbër
- World Vision Albana