+355 (04) 2400241 [email protected]

Mbi distancimin (rural) social

*Artikull i botuar më 29 mars 2020 në Forum Synergies

Në këto ditë pune nga shtëpia kam menduar gjithmonë rreth aktiviteteve që do të organizonim sikur kjo pandemi globale të mos kishte ndodhur: marsi rural, katër forumet rurale rajonale dhe Parlamenti i dytë rural shqiptar në fillim të muajit prill. Parlamenti i dytë do të përkonte me sezonin e punëve në fshat. Për momentin e gjithë kjo është e parealizueshme. Jemi në një situatë të panjohur dhe nuk dihet sa do të zgjasë.

Distancim social është kryefjala e këtyre ditëve. Distancimi dhe Parlamenti rural nuk përkojnë bashkë. Parlamenti kërkon që njerëzit nga çdo vend i Shqipërisë, qoftë fermer, sipërmarrës, a përfaqësues i bashkisë, i ri apo grua rurale etj të mblidhen, takohen e diskutojnë rreth nevojave, prioriteteve dhe interesave të popullsisë rurale, se në çmënyrë jeta në fshat mund të përmirësohet, se si politikat kombëtare të ndihmojnë në këtë, a ka alternativa për të rinjtë ruralë etj etj. Gjithashtu, parlamenti synon të ndihmojë banorët dhe aktorët e ndryshëm të përfshirë në zhvillimin rural të vet-ndihmohen nëpërmjet solidarizimit. E megjithatë, tashmë kërkohet solidarizim kundër COVID-19.

Periudhë e pazakontë, e cila s’dihet sa do zgjasë; pasiguria të mpin aftësitë planifikuese, pavarësisht dëshirës së mirë dhe të besuarit se kjo do kalojë shpejt. Mendimi i parë në lidhje me jetën rurale, është se nëse në këtë kohë na imponohet distancimi social, për popullsinë rurale, izolimi social është një gjendje përditshmërie. Pasi e gjithë kjo të kalojë, ndoshta do të jemi më empatik për të kuptuar më mirë izolimin social të shumë komuniteteve rurale dhe efektin që ka në jetët e banorëve. Në kohë të vështirë si kjo, me masa shtrënguese, shërbime të nevojshme bazike të kufizuara, izolimi i zonave rurale thellohet. Vështirësitë më të mëdha në kohë të vështirë i përjetojnë më shumë grupet më të cënueshme të shoqërisë. Dhe banorët ruralë janë një ndër ta. Jo më pak fermerët dhe sipërmarrësit ruralë.

Megjithatë, e gjithë kja ndalesë nga nxitimi i zakonshmëm na ndërgjegjëson dhe na bën të reflektojmë rreth situatava të këtilla! Ku ndodhemi, sa të përgatitur dhe sa innovator jemi për të vepruar në rrethana të tilla, të penguar nga fenomene të ndryshme natyrore apo nga katastrofa të paparashikueshme? Fatkeqësisht, e gjejmë veten të papërgatitur, pa ide e aq më shumë pa alternativa për ditë të vështira si këto. Ndërkohë që ky sezon punësh do të kalojë, Parlamenti i dytë rural shtyhet për t’u organizuar më vonë, kur situata të lejojë lëvizjen dhe ndërveprimin.

Tashmë na kërkohet solidaritet! Të ndihmojmë e ndihmohemi. Por kush kë të ndihmojë – urbanja (pushteti qendror, bashkitë, qytetet) ruralen (bujqësinë, blektorinë, agroturizmin, etj) apo e kundërta! Në situata të këtilla, në kushte të jashtëzakonshme, njëra pa tjetrën vështirë se mund të funksionojnë e ekzistojnë, ndaj dhe ndihma duhet të jetë reciproke. Tani dalja në terren realizohet përmes internetit, mbledhja e informacionit dhe komunikimi bëhet elektronikisht. Vetëm kjo lidhje, vetëm ky komunikim sot për sot mund të ndihmojë deri te “realizimi” i një Parlamenti imagjinar, prej të cilit të njihej situata aktuale në zonat rurale. Një njohje e tillë e realitetit që po jetojmë do të ndihmonte të gjithë aktorët, duke nisur nga institucionet qeveritare e deri te prodhuesit dhe banorët ruralë, fermerët dhe grupeve prodhuese, të cilët duhet të ndihmohen në këto situata, të përkrahen dhe të trajtohen.

Si mund të lidhemi? Si mund të nxisimin ndjenjën e solidaritetit dhe vetndihmës mes banroëve dhe aktorëve të zhvillimit rural? A mundemi të sfidojmë distancimin rural? Në c’mëyrë?

Nëse keni ide, reflektim apo doni të ndani një përvojë personale të përjetimit të kësaj situate në zonat rurale, na shkruani në [email protected]. Përvojat tuaja do të na ndihmonin të kuptonim ndikimin e kësaj situate në zonat rurale.

Pas kësaj Parlamenti rural do të afrojë shpejt… a mundet e sotmja të na drejtojë drejt diskutimeve dhe konkluzioneve që do t’i marrim nesër!