Ledina është 47 vjeç, nga fshati Kuqan, në Elbasan. Më shumë se gjysmën e jetës së saj ia ka dedikuar kultivimit të produkteve në sera, ku çdo ditë punon së bashku me bashkëshortin.
Megjithëse puna në serat e prodhimit është e lodhshme dhe shpesh herë demotivuese kur produkti nuk shitet apo zhvlerësohet në treg, Ledina nuk ndahet kurrë nga puna e saj. Ajo thotë se kjo është puna që e mban me shpresë dhe se “nuk ka kënaqësi më të madhe kur hyn në serë dhe sheh bimët të rritën të shëndetshme e të bukura”.
Lodhja e Ledinës nuk mbaron me serën, pasdite ajo shkon në ullishte dhe në pjesën tjetër të kohës kujdeset për familjen dhe qenushin e saj Aksa. Por prap thotë se “po të duash e gjen kohën e lirë”. Prej kohësh i është bashkuar Grupit të Grave në Shirgjan në takime dhe shkëmbime eksperiencash me gra të tjera në sektorin agro-ushqimor ku ndajnë informacion, diskutojnë problematikat dhe vështirësitë që hasin.
“Nevoja jonë e vetme është grumbullimi, nevoja për të shitur produktin. Puna në serë është e lodhshme dhe të priten krahët kur sheh që të zhvlerësohet në treg apo kur nuk shitet.
Ashtu si edhe në zona të tjera rurale, mungesa e një pike grumbullimi vështëron punën e grav fermere. Megjithatë, takimet dhe bisedat e ndryshme me shoqet, organizatat dhe instiucionet, e mbajnë Ledinën optimiste dhe e inkurajojnë për të vazhduar punën e saj me të njëjtin pasion dhe vendosmëri.
Me një buzëqeshje në fytyrë dhe me një shpirt optimist, Ledina thotë se “Nuk e kemi menduar kurrë ta lëmë fshatin. Lodhesh pak më tepër, por këtu më pëlqen çdo gjë, duke filluar që nga ushqimet bio, tek natyra dhe ajri i pastër që merr kur ngrihesh në mëngjes”.
Ky album fotografik synon t’i japë lexuesit një vështrim të Shqipërisë rurale, ku gratë marrin shumë role. Përmban histori të ndryshme të grave dhe vajzave nga zonat e Pukës, Elbasanit dhe Kolonjës, me fokus tek sfidat e jetës së tyre të përditshme, familja, puna dhe koha e lirë. Realizuar nga Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural në rolin e nën-kontraktorit në kuadër të projektit “Fuqizimi i Grave në Zonat Rurale dhe Turizmi” i cili po zbatohet së bashku me UN Women Albania, të financuar nga Qeveria Italiane dhe në partneritet me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Shfleto Albumin e plotë KËTU.