+355 (04) 2400241 [email protected]

Kafja e pasdites në shtëpinë e Marinelës në Leskovik kalon mes bisedash me mikeshat e saj. Varfëria, thotë Marinela se merr kohën më të madhe të diskutimit, mungesa e vendeve të punës, shërbimeve dhe mbi të gjitha, mungesa e tregut për produktet që ato kultivojnë.

Rakia dhe vera janë traditë ndër breza në Leskovik. Edhe sot, çdo shtëpi vazhdon të prodhojë, por në mungesë të tregut dhe një pike grumbullimi, çdo vit, dhjetëra e qindra litra alkool mbeten brenda shtëpive të banorëve.

Në Shqipëri, pavarësisht përmirësimeve të kohëve të fundit, statusi social dhe ekonomik i gruas mbetet i dobët. Pjesëmarrja në aktivitetet ekonomike si zinxhirët e shkurtër të vlerës është konsideruar një instrument për fuqizimin ekonomik të grave. Rritja e kapaciteteve përmes pjesëmarrjes në faza të ndryshme duke përfshirë procesim, ambalazhim, marketim etj. mund te sjellë përfitime për gratë, familjet e tyre dhe ekonominë lokale.

Nëpërmjet projektit “Fuqizimi i Grave në Zonat Rurale dhe Turizmi”, Rrjeti Shqiptar për Zhvillim Rural në rolin e nën-kontraktorit, mbështet instrumentin e Politikës së Përbashkët Evropiane për zhvillimin e integruar rural, qasjen LEADER dhe krijimin e Grupeve Vendore të Veprimit, që do të ndiqet në mbështetje të fuqizimit ekonomik dhe social të grave rurale në bashkitë Elbasan dhe Kolonjë do të jetë në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi. Marinela është një nga zonjat që i janë bashkuar iniciativës së ANRD në bashkinë e Kolonjës.

“Më lajmëruan tek zyrat e ndihmës ekonomike që do të zhvilloheshin disa trajnime. Deri tani të katër trajnimet i kam ndjekur me shumë interes, qoftë për pjesën se si të punojmë grup apo të zhvillohemi më tepër. Ne me bujqësinë, zahiret e dimrit dhe gatimet jemi marrë gjithmonë, por trajnimi po na ndihmon të kuptojmë më mirë çfarë mundësish dhe nevojash ka Leskoviku.

Deri pak muaj më parë, vreshtat dhe ndihma ekonomike prej 65 mijë lekësh të vjetra, ishin i vetmi burim të ardhurash për familjen me katër anëtarë të Marinelës. Por ata duan ta ndryshojnë, bashkëshorti sapo ka nisur të punojë në ndërtim, ndërsa Marinela i është bashkuar trajnimeve për zhvillim të qendrueshëm vendor në bashkinë e Kolonjës.

“Nëse do të më jepej mundësia për të hyrë në punë apo për të na ndihmonin me shitjen e verës dhe rakisë, do ishte ndihmë e madhe. Unë e di që jam e zonja t’ia dal mbanë dhe kjo do ma bënte shpirtin të punoja edhe më shumë.”

 

Ky album fotografik synon t’i japë lexuesit një vështrim të Shqipërisë rurale, ku gratë marrin shumë role. Përmban histori të ndryshme të grave dhe vajzave nga zonat e Pukës, Elbasanit dhe Kolonjës, me fokus tek sfidat e jetës së tyre të përditshme, familja, puna dhe koha e lirë. Realizuar nga Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural në rolin e nën-kontraktorit në kuadër të projektit “Fuqizimi i Grave në Zonat Rurale dhe Turizmi” i cili po zbatohet së bashku me UN Women Albania, të financuar nga Qeveria Italiane dhe në partneritet me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Shfleto Albumin e plotë KËTU.