+355 (04) 2400241 [email protected]

Drita Tanazi, Agjente e Zhvillimit Lokal, u vlerësua me çmimin “Pier Paolo Ambrosi” Për lidership në zhvillimin rural – një nismë që i kushtohet nderimit të trashëgimisë së jashtëzakonshme të Pier Paolo Ambrosit që kryesoi zhvillimin e qëndrueshëm rural në Shqipëri. Ky çmim u nda gjatë Parlamentit të Tretë Rural Shqiptar, të zhvilluar nga 11 deri në 13 tetor 2023, nga Rrjeti Shqiptar për Zhvillim Rural. Çmimi nderoi kujtimin e figurës së dashurPier Paolo Ambrosi duke njohur dhe vlerësuar aktorët lokalë, të cilët tregojnë lidership dhe kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve rurale në të gjithë Shqipërinë.

Drita Tanazi ia ka dedikuar jetën e saj zhvillimit të komuniteteve rurale. Teksa mban në duar çmimin “Pier Paolo Ambrosi”, me emocione që lexohen qartë në sytë e saj, Drita përshkruan rrugëtimin e gjatë që ka ndjekur për të qenë këtu sot: “Unë jam lindur dhe rritur në Tamarë, Kelmend, në Malësinë e Madhe, një zonë e thellë malore në veri të Shqipërisë. Në vitin 2011  u njoha me Pier Paolo-n, përfaqësues i shoqatës italiane VIS Albania dhe që nga ai vit e deri më sot, unë jam pjesë e stafit VIS Albania si Agjente e Zhvillimi Lokal. Puna jonë është t’i gjendemi afër komunitetit ku jetojmë, duke i dëgjuar, mirëkuptuar dhe ndihmuar ata. Roli i Agjentit tëZhvillimit Lokal nuk ka orare, nuk ka një vend pune të caktuar, nuk ka një rol të caktuar, ai është një vullnetar me zemër të madhe, që nuk lodhet kurrë. E tillë ndihem unë sot.”

Ky çmim ka një vlerë të veçantë për Dritën: “Çmimi i parë “Pier Paolo Ambrosi” – për mua, është një nder i madh. Gjithashtu, ky çmim do të më shërbejë si kurajo për të punuar me vullnet, shpresë dhe ndershmëri, siç Pier Paolo veproi përgjatë 30 viteve të tij në Shqipëri.” Për Dritën është një ndjesi sa e bukur aq edhe mallëngjyese të vlerësohet me këtë çmim në nder të personit që i zgjati dorën në hapat e parë të karrierës dhe i ofroi një mbështetje që do ta shoqërojë deri në fund të këtij rrugëtimi. E pyetur se cili është modeli që e frymëzon, pa u menduar dy herë, ajo shprehet: “Patjetër modeli Pier Paolo. Jam me fat që eksperiencën time të parë të punës e pata në VIS Albania dhe pata fatin që punëdhënësi im i parë të ishte një person i jashtëzakonshëm, që për mua u kthye në një mësues të shkëlqyer. Ai kishte shumë vlera dhe një zemër të madhe. Udhëzimet e tij më kanë sjellë deri këtu, ku komuniteti im tashmë më drejtohet për gjithçka dhe ka besim tek unë. Ai është dhe do jetë frymëzimi i punës time të përditshme.”

Rruga që Drita kishte zgjedhur të ndiqte ishte mjaft e vështirë dhe puna e saj shpesh e ka përballur me sfida të shumta, disa prej të cilave ajo ka vendosur t’i ndajë me ne: “Të jesh një vajze apo grua në zonat rurale nuk është aspak e thjeshtë. Kur unë fillova punën, isha një vajzë e re, e lindur dhe rritur në fshat, në një zonë të margjinalizuar. Opinioni i banorëve të fshatit kishte shumë rëndësi në ato kohë. Të punuarit në terren e vështirësonte edhe më shumë përditshmërinë tonë dhe vihej në “rrezik” opinioni i mirë që të tjerët kishin për ne. Më kujtohen ditët e para në terren, ku vetëm për faktin që  ishim vajza zhvlerësohej çdo mendim apo sugjerimi që iu jepnim banorëve të zonës. Kjo na e vështirësonte shumë punën dhe shpeshherë me lot në sy i tregonim Pier Paolos këto situata. Por vizioni i tij shikonte larg në të ardhmen, ai kishte arritur ta parashikonte të ardhmen dhe, na jepte kurajo dhe frymëzim pafund. Pas çdo dite të vështirë, dita tjetër fillonte gjithmonë me shumë energji dhe pozitivitet. Kjo periudhë e vështirë kaloi shumë shpejt dhe tashmë jemi këtu si shembull dhe forcë për çdo vajzë dhe grua rurale. Sot fjala dhe prezenca jonë në komunitet ka peshë!”

Të ardhmen e saj, ashtu sikurse të shkuarën dhe të tashmen, Drita e shikon në viset të cilave ju dedikoi një jetë të tërë. Megjithatë dëshira e saj duket sikur sfidohet nga situata aktuale e zonave rurale. “Shpresoj të vazhdoj të jem pjesë dhe të kontribuoj në vendin tim, por të jem e sinqertë e shoh shumë të vështirë këtë. Fakti që tashmë jam nënë e vështirëson jetën në fshat, sidomos mungesa e shërbimeve arsimore dhe shëndetësore, por le të shpresojmë...”- u shpreh ajo. Sigurisht që një grua si Drita do të përcillte një mesazh për të gjithë ata që duan të ndjekin hapat e saj, sidomos për të rinjtë: “Të shfrytëzojnë çdo mundësi që iu jepet në jetë dhe të kontribuojnë në komunitetin ku ata jetojnë, sepse kënaqësia më e madhe ndjehet vetëm në vendin të cilit i përket.”

Drita Tanazi është vetëm një shembull nga shumë Agjentë të Zhvillimit Lokal, të cilët çdo ditë japin maksimumin e tyre për zhvillimin e zonave rurale. Agjentët e Zhvillimit Lokal janë një pikë referimi për komunitetin dhe një urë lidhëse mes institucioneve dhe komunitetit dhe shoqatave të tyre. Pavarësisht se çmimi i vërtetë që ata marrin është ndryshimi pozitiv që shohin tek komunitetet me të cilat punojnë, çmimi “Pier Paolo Ambrosi” do të promovohet nga Rrjeti Shqiptar për Zhvillim Rural bashkarisht me VIS Albania çdo dy vjet, me rastin e Parlamentit Rural Shqiptar. Nisma synon të krijojë një trashëgimi që nxit zhvillimin dhe progresin e vazhdueshëm të komuniteteve rurale shqiptare, duke vlerësuar udhëheqësit/ liderët në zhvillimin e qëndrueshëm rural dhe të krijojë një rrjet të personave që sjellin ndryshimin dhe më tej përforcojnë përpjekjet e tyre në nivel kombëtar dhe lokal.