Parlamenti IV Rural Shqiptar – Shqipëria rurale në rrugën drejt BE-së, bëri bashkë 300 pjesëmarrës për të formësuar të ardhmen e komuniteteve rurale përmes dialogut, partneritetit dhe integrimit në BE.
Nga data 25 deri më 27 mars, Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD), në bashkëpunim me bashkitë Lezhë dhe Mirditë, organizoi me sukses Parlamentin IV Rural Shqiptar. E
Edicioni i këtij viti mblodhi rreth 300 pjesëmarrës nga 61 bashkitë e vendit, duke përfshirë fermerë, të rinj, gra, përfaqësues të shoqatave lokale, autoritete vendore, akademinë dhe partnerë zhvillimorë. Parlamenti rural shërben si platformë kombëtare për të diskutuar të ardhmen e komuniteteve rurale dhe për të eksploruar se si procesi i integrimit evropian i Shqipërisë mund të përkthehet në mundësi konkrete për zhvillimin vendor.
Parlamenti Rural Shqiptar vijon të konsolidohet si një platformë e qëndrueshme e advokacisë nga poshtë-lart, që nxit dialogun, bashkëpunimin dhe veprimin e përbashkët ndërmjet aktorëve kryesorë. Edicioni i këtij viti, i zhvilluar nën temën “Shqipëria rurale në rrugën drejt BE-së përmes partneriteteve, reformave dhe zhvillimit koheziv territorial”, vuri theksin te rëndësia e qasjeve gjithëpërfshirëse dhe zgjidhjeve praktike të bazuara në realitetin e zonave rurale.
Programi treditor kombinoi një aktivitet mbi dialogun territorial, sesione plenare dhe punëtori tematike pjesëmarrëse, duke krijuar hapësirë për shkëmbim përvojash, identifikim sfidash dhe prezantim të nismave të suksesshme lokale.
Në fjalën e saj hapëse, Znj. Evelina Azizaj, Koordinatore Kombëtare e ANRD, theksoi se integrimi evropian është një përgjegjësi e përbashkët që nuk mund të arrihet nga një aktor i vetëm. Ajo nënvizoi nevojën për partneritete të njëmendta ndërmjet institucioneve, komuniteteve dhe aktorëve zhvillimorë. Duke iu referuar simbolikës që mbart Lezha, ajo theksoi se trashëgimia e saj historike e bashkimit pasqyron frymën e nevojshme për rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së.
Parlamenti startoi në Mirditë me një aktivitet të dialogut territorial të fokusuar në forcimin e sinergjive për zhvillimin lokal të udhëhequr nga komuniteti përmes qasjes LEADER. Kjo ditë vendosi bazat për bashkëpunime konkrete dhe mbështeti përpjekjet lokale për krijimin e Grupeve Vendore të Veprimit. Z. Sotiraq Hroni, Kryetar i Bordit të ANRD, theksoi ambicien konkrete për krijimin e GVV-ve në Mirditë, Lezhë dhe Zadrimë, duke nënvizuar se këto territore kanë potencial të lartë, por zhvillimi real duhet të vijë nga vetë komunitetet dhe jo të imponohet nga lart-poshtë.
Përfaqësues të nivelit të lartë në fjalën e tyre në sesion hapës të Parlamentit ri konfirmuan mbështetjen e tyre për transformimin rural dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Znj. Eranda Selmanaj, përfaqësuese nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, theksoi se integrimi në BE sjell mundësi të reja për fermerët, por kërkon gjithashtu përgatitje për përmbushjen e standardeve dhe rritjen e konkurueshmërisë. Ajo vuri në dukje përpjekjet në vijim për informimin dhe mbështetjen e fermerëve dhe inkurajoi bashkitë të angazhohen në krijimin e Grupeve Vendore të Veprimit.
Prof. Fatbardh Sallaku, Rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës, theksoi se partneritetet nuk janë një zgjidhje e thjeshtë, por një domosdoshmëri, duke riafirmuar angazhimin e UBT-së për të mbështetur zhvillimin rural përmes dijes, kërkimit dhe bashkëpunimit.
Edhe partnerët ndërkombëtarë kontribuuan në diskutime. Z. Andrea Ferrero nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ritheksoi mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për Shqipërinë, jo vetëm përmes përafrimit legjislativ, por edhe përmes masave konkrete në mbështetje të komuniteteve rurale. Z. Franco Turri, përfaqësues i Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS), shprehu besimin se rezultatet e Parlamentit do të kontribuojnë në politika më gjithëpërfshirëse dhe efektive për bujqësinë dhe zhvillimin rural. Z. Raimund Jehle, përfaqësues i FAO në Shqipëri, theksoi kontributin e FAO-s në këtë platformë në fusha kyçe si bujqësia e qëndrueshme, qasja LEADER/CLLD, inovacioni digjital dhe bujqësia familjare.
Sesioni plenar, me titull “Shqipëria rurale në rrugën drejt Evropës: Çfarë do të thotë kjo për komunitetet dhe territoret”, vendosi kuadrin e përgjithshëm dhe kontekstin politik të Parlamentit. Një panel i larmishëm që përfaqësonte qeverinë, akademinë, pushtetin vendor, prodhuesit, të rinjtë dhe partnerët zhvillimorë diskutoi pozicionin aktual të Shqipërisë në raport me reformat e BE-së dhe mënyrën se si politikat dhe instrumentet evropiane përkthehen në mundësi dhe përgjegjësi në nivel lokal.
Diskutimet vijuan përmes punëtorive tematike të njohura si “Rural Talks”, të cilat u fokusuan në tema kyçe si bujqësia e qëndrueshme dhe tranzicioni i gjelbër, digjitalizimi dhe inovacioni, fuqizimi i grave, bujqësia familjare, pastoralizmi dhe zhvillimi lokal i udhëhequr nga komuniteti. Këto sesione pjesëmarrëse mundësuan identifikimin e sfidave konkrete dhe formulimin e rekomandimeve të zbatueshme për forcimin e ekonomive rurale dhe përmirësimin e jetesës.
Parlamenti u përmbyll me prezantimin e mesazheve dhe rekomandimeve kryesore që dolën nga shtatë diskutimet tematike “Rural Talks”. Nga zhvillimi lokal i udhëhequr nga komuniteti dhe bujqësia e qëndrueshme, te fuqizimi i grave, inovacioni dhe bujqësia familjare, mesazhi ishte i qartë: zhvillimi rural efektiv kërkon zgjidhje nga poshtë-lart, partneritete të forta dhe politika të bazuara në realitetin lokal.
Sesioni përmbyllës theksoi përgjegjësinë e përbashkët të institucioneve, komuniteteve dhe partnerëve zhvillimorë për të kthyer dialogun në veprim konkret. Si një platformë kombëtare për advokaci, shkëmbim dhe bashkëkrijim, Parlamenti Rural Shqiptar vijon të luajë një rol kyç në afrimin e realiteteve rurale me politikëbërjen dhe në avancimin e Shqipërisë drejt standardeve evropiane.
Në vijim, rezultatet e Parlamentit do të konsolidohen në Deklaratën e Përbashkët, e cila do të ndahet dhe diskutohet me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe aktorët e tjerë publik dhe jo-publik si dhe do të shërbejë si bazë për dialog institucional, përfshirë edhe angazhimin me komisionet parlamentare përkatëse.
Falenderime
Ky aktivitet u organizua nga Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural dhe u mbështet financiarisht nga:
- Projekti “Mbështetje institucionale për Shqipërinë në sektorët e bujqësisë dhe peshkimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian – EU GoAL”, financuar nga Ministria Italiane e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar përmes Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS) dhe zbatuar nga CIHEAM Bari;
- Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), përmes programeve si Business, Partnerships and Solutions for SDGs (B4SDGs), Digital Agriculture and Rural Transformation in Albania (DART), dhe mbështetjes për përmirësimin e menaxhimit të tokës dhe zhvillimin rural në kontekstin e integrimit në BE;
Projekti rajonal “Akademia nga ferma në tyrezë për Ballkanin Perëndimor të Gjelbër – E ardhmja jonë e përbashkët evropiane”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga Rrjetet Kombëtare të Zhvillimit Rural në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Kroaci, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik për Zhvillimin Rural.
- Parlamenti IV RURAL Shqiptar
- Parlamenti IV RURAL Shqiptar
- Parlamenti IV RURAL Shqiptar
- Parlamenti IV RURAL Shqiptar
- Parlamenti IV RURAL Shqiptar
- Parlamenti IV RURAL Shqiptar
- Parlamenti IV RURAL Shqiptar
- Parlamenti IV RURAL Shqiptar
- Parlamenti IV RURAL Shqiptar
- Parlamenti IV RURAL Shqiptar
- Parlamenti IV RURAL Shqiptar
- Parlamenti IV RURAL Shqiptar











