Workshopi udhëtues në QABR Kukës ekspozon pjesëmarrësit ndaj realiteteve rurale, sfidave të terrenit dhe rolit të QABR në forcimin e fermerëve dhe prodhuesve të vegjël.
Më 21 nëntor 2025, përfaqësues institucionalë dhe organizata të angazhuara në zhvillimin rural dhe bujqësor morën pjesë në workshopin udhëtues të organizuar në Kukës dhe Has. Ky aktivitet, që kombinon udhëtimin, shkëmbimin e njohurive dhe rrjetëzimin, i ekspozoi pjesëmarrësit ndaj modelit të Qendrës së Asistencës Bujqësore dhe Rurale (QABR).
Workshopi ofroi një mjedis të veçantë për t’u njohur me rolin e QABR-ve, si dhe për të diskutuar sfidat dhe mundësitë e qëndrueshmërisë së këtij modeli, i cili po ndryshon mënyrën se si fermerët dhe prodhuesit e vegjël marrin informacion, asistencë dhe mbështetje profesionale. Ky aktivitet gjithashtu krijoi mundësi për të njohur nga afër terrenin rural, për të vizituar një fermë lokale përfituese të shërbimeve të QABR-së dhe për të zhvilluar biseda të hapura me fermerët e zonës.
Pjesëmarrësit u mirëpritën në Qendrën NOK, një hapësirë e menaxhuar nga Bashkia Kukës dhe e vënë në shërbim të aktiviteteve në funksion të komunitetit lokal. Takimi u hap nga Hafuz Domi, Drejtor Ekzekutiv i ADAD Malore, i cili theksoi se Qarku Kukës, për shkak të treguesve socio-ekonomikë nën mesataren kombëtare, ka nevoja të mëdha për shërbime më pranë fermerëve dhe cilësore të asistencës bujqësore dhe rurale. Sipas tij, suksesi i QABR Kukës qëndron në sinergjinë e krijuar me pushtetin vendor, ekspertizën e ofruar në fushën e kooperimit bujqësor dhe trajnimet e shpërndara në territor. “QABR-të janë risi për Shqipërinë dhe kanë mbështetur edhe investimet në ferma,” u shpreh ai.
Evelina Azizaj, Koordinatore e ANRD, theksoi se modeli i Qendrave të Asistencës Bujqësore dhe Rurale prezantohet në një kohë kur Qeveria Shqiptare ka nisur zbatimin e programit pilot për decentralizimin e shërbimit të ekstensionit bujqësor dhe rural në katër bashki të vendit. Ajo nënvizoi rëndësinë që përvoja e QABR-ve të njihet dhe të merret si praktikë referuese, e cila mund të mbështetet, aplikohet dhe replikohet më gjerësisht në kuadër të këtyre përpjekjeve publike.
Ndërsa Lavinia Sgammini, Koordinatore e projektit Ruralbania në RTM-Volontari nel Mondo, vuri në dukje se thelbi i QABR-ve është partneriteti publik-privat, një bashkëpunim që sipas saj ka qenë çelësi i suksesit dhe forca kryesore e këtij modeli. QABR Kukës, e operuar nga ADAD Malore në bashkëpunim me Bashkinë Kukës dhe AREB, është tashmë një pikë referimi për fermerët e zonës dhe një praktikë me potencial të lartë për t’u replikuar.
Nga ana e Bashkisë Kukës, Gladiola Ismailaj, nga Zyra e Projekteve dhe Integrimit Evropian, theksoi se bashkëpunimi i ngushtë me QABR ka forcuar besimin dhe ka sjellë rezultate konkrete. “Kukësi është bashki bujqësore, ku 72% e të punësuarve janë në sektorin e bujqësisë. Evidencat dhe të dhënat e QABR-së janë të çmuara për projektet dhe aplikimet tona,” u shpreh ajo.
Në vijim, Edison Axhami nga stafi i QABR Kukës prezantoi rolin dhe profilin e qendrës, vlerat kryesore dhe kategoritë kryesore të shërbimeve.
Çfarë ofrojnë Qendrat e Asistencës Bujqësore dhe Rurale?
Qendrat e Asistencës Bujqësore dhe Rurale përfaqësojnë një model të ri shërbimesh që vendos fermerët në qendër të vëmendjes dhe afron institucionet më pranë komunitetit. QABR Kukës është shembulli më i qartë i kësaj qasjeje: një shërbim efektiv, i orientuar nga terreni, i ndërtuar mbi partneritetin publik-privat dhe i përkushtuar t’u ofrojë prodhuesve të vegjël mbështetje praktike për të qenë më të informuar, më të formalizuar dhe më konkurrues.
QABR ofron asistencë teknike profesionale, këshillim për investimet në fermë, ndihmë në aplikime për subvencione dhe projekte, trajnime praktike në terren, si dhe mbështetje për formalizimin e bizneseve rurale. Përveç kësaj, qendra luan një rol të rëndësishëm në mbledhjen dhe përditësimin e të dhënave mbi fermerët dhe prodhimin bujqësor, informacione të cilat institucionet lokale i përdorin për planifikim dhe vendimmarrje.
Ajo që e dallon QABR Kukës nga modelet tradicionale është prania e vazhdueshme në terren. Zona e mbulimit përfshin Kukësin, Hasin dhe Tropojën, një territor i gjerë dhe një nga më të vështirët për t’u mbuluar, me fshatra të shpërndarë, infrastrukturë të kufizuar dhe distanca të mëdha mes vendbanimeve. Megjithatë, ekipi i QABR ka ndërtuar një praktikë të qëndrueshme pune në terren, duke qenë prezent “nga Cërnica në Dobërdol”, siç u përmend me krenari gjatë takimit.
Kjo prani e drejtpërdrejtë ka krijuar besim tek fermerët dhe ka prodhuar rezultate të matshme:
- formalizim i aktiviteteve bujqësore;
- rritje e kapaciteteve dhe njohurive praktike;
- përmirësime të investimeve në fermë;
- krijim i organizatave të prodhuesve;
- certifikimi i produkteve lokale, si patatja e Shishtavecit;
- rritje e aksesit në skema mbështetëse dhe programe zhvillimore.
QABR është gjithashtu një urë bashkëpunimi mes aktorëve vendorë dhe institucioneve qendrore. Bashkia Kukës, AREB, Agropika, MBZHR, si dhe partnerët e projektit Ruralbania-ADAD Malore, , AgroPuka dhe ANRD, janë pjesë e këtij partneriteti që e ka bërë modelin funksional dhe efektiv.
Duke operuar në një territor të vështirë dhe të shpërndarë, QABR Kukës ka treguar se shërbimet bujqësore mund të jenë vërtet efektive vetëm kur ofrohen afër fermerëve, përmes pranisë së vazhdueshme në terren dhe mbi bazën e partneriteteve të forta. Për këtë arsye, ky model përfaqëson një praktikë me vlerë të veçantë për t’u zgjeruar dhe replikuar në bashki të tjera të vendit, veçanërisht në kontekstin e decentralizimit të shërbimeve të ekstensionit bujqësor.
Vizitë në një fermë përfituese të shërbimeve të QABR
Pjesëmarrësit vizituan fermën e familjes Dibra në Has, një nga fermat përfituese të shërbimeve të QABR-së. Përmes bisedës me familjen dhe ekipin e QABR, u njohëm me përmirësimet në fermë të realizuara falë këshillimit profesional dhe mbështetjes për investime. Një prej investimeve kryesore është minibaxhoja, e ndërtuar nga familja dhe e pajisur me mjete dhe pajisje e duhura, si dhe me dhomë frigoriferike të financuar nga projekti Ruralbania. Minibaxhoja do të funksionojë me ngrohje me dru, një zgjidhje praktike për kushtet klimatike dhe ekonomike të zonës.
Megjithë këto zhvillime pozitive, vizita në terren nxori në pah sfidat e mëdha të jetës dhe punës në një zonë të largët malore. Aksesi në fermë është i vështirë, për shkak të lidhjes së dobët rrugore me rrugën kryesore; në ditë me reshje shiu si ajo e vizitës sonë, ecja apo lëvizja me mjete të zakonshme bëhet thuajse e pamundur. Ajo që mbetet e dukshme është palodhshmëria e familjes, e cila punon çdo ditë për të ndërtuar jetën e saj përmes mundit dhe djersës. Vetmia e jetës në fermë ndihet edhe më shumë në kushtet e largimit të popullsisë nga fshati.
Ferma është përfituese edhe e subvencioneve për blegtorinë, por familja thekson se mbështetja është ende e pamjaftueshme. Për më tepër, kriteri i kufirit minimal të krerëve për të përfituar subvencione shihet si kufizues. Sipas tyre, mbështetja duhet të jepet proporcionalisht me numrin real të krerëve: qoftë 10, 50 apo 300.
QABR Kukës, së bashku me partnerët e saj lokalë dhe ndërkombëtarë, dëshmon se ndryshimi në zonat rurale vjen nga zgjidhje të thjeshta, të qëndrueshme dhe të ndërtuara mbi nevojat konkrete të fermerëve dhe prodhuesve të vegjël.
Më 1 janar, me përfundimin e projektit Ruralbania, QABR Kukës pritet të transferohet zyrtarisht pranë Bashkisë Kukës dhe të funksionojë mbi bazën e të ardhurave nga shërbimet që ofron. Duke qenë se në Kukës nuk ekziston asnjë zyrë tjetër konsulence për fermerët, vijimësia e QABR-së bëhet edhe më e rëndësishme për komunitetin lokal.
Pjesëmarrësit vlerësuan këtë model si një praktikë të suksesshme, me potencial për t’u replikuar në bashki të tjera të vendit. Megjithatë, në diskutimet mbi qëndrueshmërinë e tij, u theksua se vazhdimësia e funksionimit të QABR-ve mbetet ende çështje kritike.
*** Workshopi Udhëtues:“Partneritete për shërbime të reja të asistencës bujqësore” u zhvillua në kuadër të projektit “Ruralbania: Nisma për Mbështetjen dhe Promovimin e Produkteve Tradicionale Bujqësore për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Zonave Rurale të Shqipërisë”, mbështetur nga Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim (AICS) dhe zbatuar nga konsorciumi italo-shqiptar i udhëhequr nga RTM – Volontari nel Mondo, në partneritet me ANRD, ADAD Malore dhe AgroPuka.
