Në datë 20 Tetor 2022, Rrjeti Shqiptar për Zhvillim Rural organizoi vizitën studimore me grupin lokal të grave përfshira në zinxhirin e vlerës së artizanatit në Bashkinë e Kavajës të cilat patën mundësinë të takojnë artizanet e Pazarit të Vjetër të Krujës. Vizita ishte njëditore dhe u krijoi mundësi grave artizane të Kavajës dhe Krujës të shkëmbenin përvoja si dhe të përfitonin njohuri dhe aftësi të reja nga njëra-tjetra.
Aktiviteti nisi në sallën e Qendrës Kulturore Krujë në të cilën u bënë prezantimet e organizatorëve dhe pjesëmarrësve. Një nga çështjet kryesore që u vëzhgua gjatë prezantimeve ishte kapaciteti i qytetit pritës – Krujës, për të artikuluar proceset e zhvillimit të lidhura me sektorin e artizanatit. Kjo u prezantua nga përfaqësuesit e bashkisë në një mënyrë shumë të ekuilibruar në të cilën u theksua se rrjetëzimi midis të gjitha palëve të interesuara i shtyn ato të koordinojnë dhe të promovojnë aktivitete të orientuara drejt të njëjtave qëllime. Prezantime të mëtejshme u dhanë për të paraqitur iniciativa të ndryshme në këtë sektor krijues. Ndër të tjera përfaqësuesja e Bashkisë Kavajë u shpreh se Bashkia tashmë ka në strategjinë e saj zhvillimore një plan për mbështetjen dhe fuqizimin e artizanatit.
Programi përfshiu vizita në Pazari e Vjetër të Krujës. Disa prej ndalesave të veçanta ishin:
Punishtja e qelesheve. Ndriçim dhe Adrian Guni, atë e bir, trashëgonin punishten prej 4 brezash dhe janë të vetmit qeleshepunues në Pazarin e Krujës. Gjatë kësaj ndalese pjesëmarrësit u njohën me të gjitha proceset në të cilat kalon prodhimi i qelesheve. Bashëbisedimi mes pjesëmarrësve u fokusua në rëndësinë e kalimit të trashëgimisë të zejeve tek të rinjtë, për shkak të mungesës së dëshirës së të rinjve për ta vazhduar këtë aktivitet. Gjithashtu u diskutua për vështirësitë dhe mungesën e makinerive që mund të lehtësojnë proceset e punës.
Vizita tjetër me shumë interes për artizanet e Kavajës ishte në punishten e kostumeve tradicionale, ku kostumografia Elida Cela ndau me pjesëmarrësit mënyrën sesi një artizane mund të ndërtojë një biznes të tillë. Pjesëmarrësit u njohën me procesin e prodhimit dhe marketimit të kostumeve tradicionale.
Punishtja e qilimave ishte një tjetër ndalesë ku pjesëmarrësit panë demostrime të prodhimit të qilimave dhe sesi ky demostrim rriste besueshmërinë dhe klientët ishtin të bindur për produktin që blinte. Gjithashtu u fol edhe për rëndësinë e brandimit dhe vlerën e shtuar që ju jep produkteve.
Diskutimet në secilën punishte e bënë më të lehtë kuptimin e ideve apo konceptet dhe nxitën vullnetin për të ndërmarrë veprime të njëjta në të ardhmen. E gjitha kjo, i mundësoi pjesëmarrësve të njihen me proceset e punës, me mënyrën se si duhet paraqitur objekti në dyqan, si duhet përshtatur artizani në mungesë të lëndës së parë etj, duke i krijuar atyre në këtë mënyrë vetbesimin për aftësitë e tyre si dhe pozitivitetin për të filluar apo vazhduar në këtë sektor.
Më pas vizita vazhdoi sipas programit në Muzeun Etnografik të Krujës. Megjithëse ky muze ndodhej në proces rikontruksioni, pjesëmarrësit u njohën me mënyrën e organizimit të muzeut, ndryshimet e ndodhura së fundmi në muze pas rikonstruksionit, mënyrën e qasjes se re të prezantimit të objekteve në këtë muze në të ardhmen, por më e rëndësishmja me mënyrën e konservimit të veshjeve dhe objekteve tekstil-lesh, mënyrë që mund të aplikohet nga pjesëmarësit në raste të objekteve shumëvjeçare.
Vizita u mbyll me një takim të shkurtër, gjatë të cilit pjesëmarrësit ndanë përshtypjet dhe përfitimet e tyre nga kjo vizitë studimore.
Ky aktivitet u organizua nga Rrjeti Shqiptar për Zhvillim Rural në bashkëpunim me Bashkinë e Kavajës në kuadër të ndërhyrjes për mbështetjen ekonomike dhe fuqizimin e grave në Bashkinë Kavajë në zinxhirin e vlerës së artizanatit, mundësuar financiarisht nga Projekti me Ndjeshmëri Gjinore për Rikuperimin dhe Rindërtimin pas Tërmetit, mbështetur nga UN Women me fonde të Qeverisë Suedeze përmes Fondit të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri.