+355 (04) 2400241 [email protected]

Projekti “Rrjetëzim dhe Advokim për Ekonominë e Gjelbër” (NAGE) hap një Thirrje për konkurim për mediat dhe gazetarët e pavarur për hulumtimin dhe promovimin e praktikave më të mira të bizneseve rurale të gjelbra ose jo të dëmshme nga pikëpamja mjedisore.

Shkrimet gazetareske duhet të përqendrohet në konceptin e ekonomisë së gjelbër dhe të promovojnë një shembull të suksesshëm të praktikave të biznesit të gjelbër. Projekti motivon dhe inkurajon gazetarët ose mediat që të konkurojnë me shkrime të reja kërkimore, të pabotuara, në fushën e ekonomisë së gjelbër, vetëm në formën e shkruar, të pasuruara me fotografi / ilustrime përkatëse.

/*Gjeni bashkëlidhur këtu formularin e aplikimit për thirrjen. Brenda kësaj Thirrjeje nuk do të përgatiten dhe as do të pranohen histori në audio dhe video.*/

 

Autori / media individuale që prodhon shkrimin gazetaresk merr përsipër ta publikojë atë në median e vet ose në media të tjera. Autori gjithashtu do të lejojë që Projekti të bëjë një post-produksion të shkrimit fitues edhe në media të tjera.

Konkursi çelet më 18.12.2020 (e premte) dhe shkrimet duhet të dorëzohen jo më vonë se 18.01.2021 (e hënë) deri në orën 16:00 h.

Pas marrjes së produkteve të hulumtimit gazetaresk, një Komision i përbërë nga dy gazetarë dhe një ekspert i ekonomisë së gjelbër do të vlerësojnë dhe përzgjedhin shkrimin më të mirë që do të marrë një shpërblim monetar në shumën bruto të 1,500 (një mijë e pesëqind) eurove me kundërvlerë në lekë, e cila do të paguhet pas publikimit të shkrimit në mediat e shkruara.

 

Nga pikëpamja teknike, autori i shkrimit duhet t’i kushtojë vëmendje elementeve të mëposhtëm:

– Madhësia e shkronjave: 12

– Font: Times New Roman

– Gjatësia e tekstit: deri në 100 rrjeshta kompjuteri

 

Komiteti do të vlerësojë shkrimet e dërguara sipas kritereve të mëposhtme:

– Metodologjia e hulumtimit (për të shpjeguar konceptin e hulumtimit që do të thotë shpjegimi i temës, burimeve nga mblidhen të dhënat, mjetet e përdorura gjatë punës nga reporteri)

– Stili i shkrimit

– Relevanca e temës

– Respektimi i standardeve gazetareske dhe etike (prania e fakteve, saktësia dhe besueshmëria e informacionit / të dhënave të paraqitura)

 

Aplikimi për konkurs së bashku me shembullin e praktikës së mirë të konceptit të ekonomisë së gjelbër, duhet të dërgohen në formë elektronike në adresën vijuese: [email protected] jo më vonë se data e specifikuar 18.01.2021 deri në 16:00 h. Të gjithë shkrimet që do të mbërrijnë pas afatit të caktuar nuk do të jenë subjekt i vlerësimit dhe do të skualifikohen.

 

 Rreth projektit:  

Projekti NAGE – Rrjetëzim dhe Advokim për Ekonominë e Gjelbër – është një projekt trevjeçar i lançuar në prill të vitit 2018,  që zbatohet nga 7 organizata partnere nga Ballkani njëra prej të cilave është nga një vend i BE: Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural,  Rrjeti i Zhvillimit Rural në Bosnjë dhe Hercegovinë, Rrjeti i Zhvillimit Rural i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Rrjeti i organizatave për zhvillim rural të Kosovës, Rrjeti i Zhvillimit Rural i Serbisë,  Rrjeti i Zhvillimit Rural i Malit të Zi, Rrjeti Kroat i Zhvillimit Rural.

 

Qëllimi i përgjithshëm i NAGE është të ofrojë mbështetje për të rritur ndikimin  politik dhe vendimmarrës të Rrjetit Ballkanik të Zhvillimit Rural (BRDN) dhe të antarëve të tij, përmes përfshirjes në proceset e reformimit te programeve dhe politikave rurale e bujqësore me synim futjen aty të konceptit të ekonomisë së gjelbër.

Projekti ka tre objektiva specifike:

  • Ob1: Forcimi i kapaciteteve të OShC-ve në punën e përgjithshme të tyre, në advokim dhe rrjetëzim, për të qenë në gjendje të përballojnë rolin e tyre si avokatë të reformës bujqësore dhe rurale, në një mënyrë transparente dhe llogaridhënëse;
  • Ob2: Futja e konceptit të ekonomisë së gjelbër si një model sipërmarrës unik ndërsektoral për diversifikim rural dhe qëndrueshmëri;
  • Ob3: BRDN dhe antarët e tij do të përdorin zhvillimin e politikave të bazuara në fakte dhe advokimin e bazuar në të drejta për të nxitur proçeset kombëtare të përafrimit të CAP(Politika e Përbashkët Bujqësore) e BE-së dhe promovimin e ekonomisë së gjelbër.

 

Donatori: Komisioni Evropian nëpërmjet Programit 2016-2017 të Instrumentit të Shoqërisë Civile dhe Medias.

Buxheti total i projektit 1,071,269.13 EUR, prej të cilave 964,069.13 (89.99%) janë kontribut i BE.